Policët serbë arrestojnë 14 persona për trafik klandestinësh

Policët serbë kanë arrestuar 14 persona të dyshuar për trafik klandestinësh drejt Evropës Perendimore.
Zyrtari i policisë serbe Millorad Veljoviç, tha se arrestimet janë kryer në disa qytete të Serbisë.
“Policia ka gjetur armë, drogë dhe para gjatë bastisjes së shtëpive të të dyshuarve, tha Veljoviç.
Sot gjithashtu, zyrtarët e kufirit njoftuan se kanë gjetur 12 emigrantë ilegalë të cilët po bënin përpjekje për të hyrë në Serbi nga Maqedonia.
Serbia së bashku me pjesën tjetër të Ballkanit, është një nga rrugët kryesore tranzite për emigrantët nga Afrika dhe Lindja e Mesme të cilët kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian.
Serbia ka premtuar se do të ulë shkallën e krimit të organizuar, në kohën kur ky vend kërkon të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian.