Përfundon takimi Kosovë-Serbi, vetëm një marëveshje

Ka përfunduar raundi i shtatë i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Palët kanë rënë dakort që diplomat e të dyja vendeve t`i certifikojë Asociacioni i Universiteteve Evropiane.
Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper, tha se është hapur edhe tema e menaxhimit të integruar të kufijve.
”Palët kanë kanë rënë dakort që Asociacionit të Universiteteve Evropiane do t`i kërkohet që t`i çertifikoj diplomat e lëshuara nga Universitetet e secilës palë, për përdorim nga të dyja vendet, lidhur me arsimimin e mëtejmë ose punësimin”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Zyra e Cooperit.
Ndërmjetësi evropian ka bërë të ditur se është arritur progres në çështjen e bashkëpunimit efikas dhe gjithëpërfshirës rajonal, transmeton KosovaTimes.
“Kësaj çështje palët do t`i kthehen edhe në takimin e ardhshëm, me qëllim të arritjes së marrëveshjes, në kontekst të strategjisë së përgjithshme të BE-së për rajonin”, ka thënë ai.
“Palët kanë mirëpritur progresin e arritur gjatë kësaj jave në grupet punuese teknike, përfshirë librat amëz si dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet më tej në kumtesë.
Në këtë kontekst, Cooper ka thënë se “është diskutuar koncepti i Menaxhimit të Integruar të Kufijve, si mënyrë për të gjetur zgjidhje evropiane për vendkalimet kufitare”.
Raundi i tetë i dialogut pritet të mbahet javën e ardhshme.