Polici bashkiak: Ja si më plagosën truprojet e kandidatit të PS
Intervistoi: Habjon Hasani
Rasim Hoxha, polici bashkiak i plagosur dje në Kamëz, akuzon kandidatin socialist, si organizator të sulmit të tij. Në intervistën për MAPO-n, ai rrëfen se u dhunua nga një grup prej 18 personash, mes të cilëve njohu edhe truprojat e kandidatit Rakip Suli. Polici bashkiak, i shtruar në Spitalin Ushtarak mohon të ketë vendosur flamuj të Partisë Demokratike, gjatë kohës që PS po përgatitej për mitingun elektoral, por shton se flamujt i kishte në makinën e tij personale.
Zoti Hoxha, në ç’rrethana jeni sulmuar mesditën e sotme në Kamëz?
Unë isha duke lëvizur me automjetin tim privat, në një rrugicë në Kamëz. Zona ku isha duke lëvizur, është një rrugicë pranë kopshtit të vjetër dhe rruga është me një sens lëvizjeje. Në momentin që isha duke dalë në fund të rrugës, pranë një kryqëzimi mes lagjesh, katër automjete më kanë bllokuar rrugën dhe nga to dolën shumë djem të rinj, që m’u drejtuan me sharje dhe fyerje. U sulën duke goditur automjetin tim. Kanë dëmtuar dhe thyer tërësisht xhamin e parë dhe atë të pasmë të makinës, si dhe xhamin e shoferit. Unë gjatë gjithë kohës kam qëndruar brenda në automjet.
Në ç’rrethana jeni goditur? A i njihnit personat që u sulmuan?
Unë nuk kam dalë nga automjeti. Më godisnin nga të gjitha anët dhe ishin dhjetëra persona që më godisnin pareshtur. Mendoj se kanë qenë mbi 18 persona. Unë nuk i njoh të gjithë, por e them me siguri të plotë se organizator i kësaj goditjeje është kandidati socialist, Rakip Suli, pasi pjesë e grupit të personave që më goditën ishin edhe truproja të tij. Truprojat munda t’i njihja.
Zoti Hoxha, ju thatë që ishit duke udhëtuar me makinën tuaj në momentin e sulmit. Për ç’arsye ju rrahën?
Unë as i kam provokuar dhe as kam patur ndonjë përplasje me këta persona më parë. Ka një dhe vetëm një arsye që më kanë goditur. Kanë qenë posterat dhe flamujt e Partisë Demokratike, të vendosura në automjetin tim. Ata kanë zgjedhur një rrugicë për të më goditur, duke mos më dhënë asnjë mundësi reagimi. Ishin të organizuar dhe të shumtë në numër. Praktikisht ka qenë e mirëmenduar nga ana e tyre.
Ju jeni punonjës i Policisë Bashkiake të Kamzës. Gjatë javëve të fundit, në Kamëz ka patur shpesh përplasje për flamujt partiakë dhe banderolat. A jeni përfshirë ju në këto konflikte, në cilësinë e policit bashkiak?
E mohoj absolutisht këtë gjë. Në asnjë moment dhe rrethanë më parë nuk kam patur rastin të jem në të tilla debate. Dua të theksoj se unë nuk kam qenë në punë dhe isha në ditën time të pushimit, ndryshe nga sa pretendon Partia Socialiste, që thotë se isha duke vendosur postera të Partisë Demokratike apo se i kam provokuar. Unë kam qenë në ditë pushimi dhe kisha program tërësisht personal dhe familjar për këtë ditë.
PD: Kandidati i PS, i implikuar në sulm
Partia Demokratike e Kamzës ka akuzuar kandidatin e PS-së, si dirigjues të dhunës së ushtruar ndaj policit bashkiak. Ajo e ka cilësuar ngjarjen si “një akt të rëndë kriminal, të provokuar dhe drejtuar nga kandidati socialist për krytetar të bashkisë Kamëz. “Eksponentë të botës së krimit goditën rëndë punonjësin e Policisë Bashkiake, Rasim Hoxhaj, me mjete të forta duke i shkaktuar plagë të rënda. Në këtë sulm banditesk është implikuar drejtpërdrejtë vetë kandidati socialist, Rakip Suli, ndërkohë që në këtë akt të shëmtuar, janë identifikuar edhe njerëz që kanë lidhje të drejtpërdrejta me të”, - thuhet në reagimin e PD-së së Kamzës.