E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje në Kamëz mes militantëve të PS e PD

SHKRUAN: Habjon Hasani 18-04-2011 14:05

Tiranë Një polic bashkiak është plagosur dhe një 36-vjeçar është arrestuar, pas një përleshjeje të dhunshme për posterat elektoralë, dje në Kamëz. Vetëm pak orë para tubimit të PS, një grup simpatizantësh të kësaj partie janë përplasur me grupin kundërshtar, nga ku mbeti i plagosur punonjësi i Policisë Bashkiake të Kamzës, Rasim Hoxha. Ai ka marrë plagë në fytyrë dhe në trup dhe është shtruar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet në kujdesin e mjekëve. Sulmi ka ndodhur në afërsi të rrugës “Manhatan” në Kamëz, pranë vendit ku po ngrihej tribuna për zhvillimin e takimit elektoral të Partisë Socialiste. “Nga ky konflikt është plagosur Rasim Hoxha, 43 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë Bashkisë Kamëz, i cili në momentin e plagosjes ka qënë duke vendosur pankarta të Partisë Demokratike”, - tha në një njoftim, zëdhënësja e Policisë së Tiranës. Konflikti i djeshëm është pasuar nga reagime të kundërta të PS dhe PD: të parët pretenduan se janë provokuar nga polici bashkiak, ndërsa Partia Demokratike denoncoi dhunën e ushtruar mbi militantin e saj. I plagosuri Rasim Hoxha i tha dje MAPO-s se ai është sulmuar vetëm pse në makinën e tij mbante postera të Partisë Demokratike. “Nuk kam provokuar askënd. Nuk kam qenë në orar pune dhe kam qenë me makinën time private. Katër makina më kanë bllokuar rrugën dhe më kanë goditur disa djem të rinj” - tha Hoxha. E ndërsa polici bashkiak pretendon se është goditur nga shumë persona, policia njoftoi dje ndalimin e Petrit Hoxhës, si autor të mundshëm të sulmit. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.5 Tiranë arrestuan Petrit Hoxhën, 36 vjeç. Ai po merret në pyetje, në lidhje me rrethanat e kësaj plagosjeje”, - tha dje zyrtarisht, Policia e Tiranës. Nga ana tjetër, i pyetur për mëse 40 minuta nga drejtuesit e Policisë së Tiranës, i plagosuri Rasim Hoxha ka akuzuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë një grup djemsh, që i ka identifikuar si truproja të kandidatit socialist, Rakip Suli. Ky i fundit, i kontaktuar dje nga “MAPO”, ka mohuar tërësisht versionin e dhënë nga punonjësi i Policisë Bashkiake, Rasim Hoxha. “Ngjarja nuk është aspak siç e ka paraqitur zotëria. Nuk e kanë dhunuar truprojet e mi, për një fakt të thjeshtë: unë nuk kam fare truproje”, - tha për “MAPO”-n kandidati i PS-së për Kamzën, Rakip Suli. Ai pretendon se simpatizantët e Partisë Socialiste janë provokuar vazhdimisht nga policia bashkiake dhe sipas tij, mesditën e djeshme, Rasim Hoxha po vendoste flamuj të PD-së në vendin, ku po ngrihej tribuna e mitingut të PS. Për këtë ngjarje reagoi ashpër dje edhe Partia Demokratike e Kamzës, e cila i etiketoi personat që dhunuan Hoxhën si të lidhur me krimin e organizuar. Në reagimin zyrtar, Partia Demokratike ka akuzuar Rakip Sulin si autor të dhunës së policit bashkiak. Incidenti i djeshëm nuk është i vetmi i ndodhur gjatë përballjes elektorale për bashkinë e Kamzës. Javën e kaluar, një person mbeti i plagosur në Bathore gjatë një përleshjeje për shkak të konflikteve partiake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›