E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Protesta popullore kundër paktit për Kushtetutën

Lëvizja Socialiste për Integrim ka lënë të kuptohet se do t‘u drejtohet protestave popullore për të kundërshtuar paktin PS-PD të ndryshimit të Kushtetutës. Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, vlerësoi se miratimi i ndryshimeve kushtetuese nga PS-PD është faqe tjetër e medaljes së kodit të Gërdecit. Sakaq, Vasili shprehu tronditje edhe nga makabriteti i ngjarjes së ndodhur në Qendrën Spitalore Universitare dhe sulmit ndaj mjekut të njohur, Refatllari. "Sot është vërtet një ditë e rëndë, sepse mjekët shqiptarë kanë ndërprerë punën e tyre që shpëton jetë njerëzish në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit të nëpërkëmbur të vetë atyre", tha Vasili. Sipas tij, shteti shqiptar, i cili nuk funksionon prej kohësh nuk është në gjendje të ofrojë as edhe minimumin e domosdoshëm të sigurisë dhe qetësisë për të ushtruar detyrën e tyre e ku në rastin e mjekëve bëhet fjalë për një detyrë nga më fisnikët që njerëzimi ka krijuar. LSI i kërkon publikisht Kryeministrit të vendit që të ndryshojë në mënyrë radikale kushtet e sigurisë në ambientet e spitaleve shqiptare dhe që ngjarje të tilla të mos përsëriten më kurrë. "Të bëjë publike me afate dhe financim konkret çdo hap për ndryshimin e gjendjes skandaloze në shëndetësinë shqiptare", nguli këmbë Vasili.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›