E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici italian ekzekuton shqiptarin

 

Dy shqiptarë u vranë dje në Itali. Njëri prej tyre, Bekim Sinani, u vra nga një polic italian teksa po tentonte grabitjen e një makine kurse shqiptari tjetër Ilir Krypi është ekzekutuar në Xhenova. Krypi është ekzekutuar me një plumb në kokë në stacionin e autobusit që shkonte nga Xhenova në Milano. Sipas policisë, 42-vjeçari ishte i njohur për policinë italiane si bashkëpunëtor i drejtësisë për zbulimin e veprimtarisë së një klasi të mafias kalabreze. Vrasja ndodhi në orën 23:00 në rrugën Milano në lagjen Dinegro të Xhenovas. Mediat italiane, të cilat i referohen policisë, thanë se viktima e atentatit ishte personi i vetëm, i cili kishte pranuar të dëshmojë për një hetim në lidhje me trafikun e celularëve dhe të kokainës, për të burgosurit e burgut Marasi të Xhenovas në Itali. Në kuadër të këtij hetimi, në muajin shkurt të këtij viti, u arrestua një agjent i policisë së burgjeve, i cili i siguronte disa të burgosurve mundësinë për të folur nga qelia, si dhe dy eksponentë të familjes mafioze Makri me origjinë kalabreze. Ndërkohë shqiptari tjetër që mbeti i vrarë në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë është Bekim Sinani, 23 vjeç. Ai është qëlluar për vdekje me pistoletë nga policia, që kishte pikasur grabitjen e një makine, në momentin që Sinani po tentonte ta realizonte bashkë me 2 persona të tjerë të paidentifikuar. Shqiptari ka goditur me thikë karabinierin që e ka qëlluar, e më pas ai e ka qëlluar për vdekje me pistoletë.
BASHKEPUNETORI I DREJTESISE
Shqiptari i vrarë mbrëmjen e dy ditëve më parë në Itali, Ilir Krypi, ishte njëri nga shtatë të arrestuarit në shkurt të këtij viti, në kuadër të hetimeve mbi trafikun e kokainës dhe celularëve që përfundonin për të dënuarit e burgut Masasi. Atëherë në qeli kishin përfunduar një agjent policie dhe dy kalabrezë, të dyshuar si pjesëtarë të klanit Ndrageta. Media italiane shton se Krypi ishte i vetmi që u ishte përgjigjur hetuesve. Sipas mediave italiane, policia e ka quajtur vrasjen e Krypit si një veprim të pastër mafioz dhe aksion kundër shtetit për të gjithë ata njerëz që bashkëpunojnë me drejtësinë. Në bazë të të dhënave që dalin nga prokuroria e Xhenovas bëhet fjalë për një “ekzekutim mafioz” – shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA dhe shpreson “një ndërhyrje decisive të shtetit, derisa të gjenden ekzekutorët dhe porositësit e vrasjes, pasi i vetmi perceptim për një ekzekutim të tillë është ai për “të mbyllur gojën” dhe ky perceptim mund të ketë efekte shkatërruese”, shkruan ANSA. Ndërkohë një tjetër agjenci lajmesh shkruan se deri tani janë arrestuar dy shqiptarë, të dyshuar për vrasjen e Krypit, ndërkohë që dyshohet se në ekzekutimin e tij kanë marrë pjesë 5 persona.
VRASJA GJATE GRABITJES
Një tjetër shqiptar 23-vjeçar, Bekim Sinani, pa precedentë penale, por i regjistruar me mjaft emra, është vrarë nga një karabinier italian, në Sinalunga të Siena-s. Sipas medias italiane, dje në të gdhirë, policia ka ndjekur tre persona, që ishin duke grabitur një makinë tip “Lançia Ypsilon”. Pasi kanë ikur me vrap, njëri prej tyre, Bashkim Sinani, ka qëlluar me thikë karabinierin që po e ndiqte, ndërsa ky i fundit është përgjigjur me pistoletë. Pavarësisht se ka pësuar plagë në këmbë, shqiptarit i është dëmtuar një nga venat jetësore, çka i ka shkaktuar vdekjen. Personat e tjerë që po merrnin pjesë në grabitje ende nuk janë identifikuar nga policia.

Dy shqiptarë në vrasjen e Ilir Krypit

Itali - Mediat italiane shkruanin dje se dy shqiptarë u arrestuan me akuzën se morën pjesë në vrasjen e dy netëve më parë në stacionin e autobusit në Xhenova të Italisë. Sipas policisë, ata dyshohet se dikur kanë qenë miq të Ilir Krypit. Ata e kanë qëlluar 42-vjeçarin me një plumb të vetëm në fytyrë, duke e lënë të vdekur në vend. Policia italiane ka sqaruar se në vrasjen e tij kanë marrë pjesë pesë persona, por emrat e tyre ende nuk mund të bëhen të ditur për shkak të hetimeve. Njëri nga pesë autorët e ka mbajtur 42-vjeçarin që të mos lëvizte, të tjerë kanë mbuluar terrenin që të mos zbuloheshin nga policia, ndërsa personi tjetër e ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja është denoncuar në polici nga shoferi i një linje autobusësh, i cili është dëshmitari i vetëm i kësaj ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›