E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, Pavijoni i Kardiokirurgjisë rekord me 35 operacione në ditë

Nëndrejtori i QSUT-së:”Fluks pacientësh në pavijonin e sëmundjeve të zemrës”

Emanuela Sako

Pavijoni i Kardiokirurgjisë është mbipopulluar nga pacientët me probleme të zemrës gjatë ditëve të nxehta. Specialistët shprehen se numri i operacioneve të kryera ditët e fundit ka arritur 35 raste në ditë. Kjo situatë është e ndryshme nga pavijonet e tjerë, të cilët kanë pezulluar operacionet dhe presin vetëm rastet e urgjencave. Nëndrejtori i QSUT-së, Xheladin Draçini, deklaroi se Pavijoni i Kardiokirurgjisë ka një fluks të madh të pacientëve, ku në këtë qendër drejtohen rreth 100-120 raste në ditë me probleme të zemrës. Për këtë arsye, Drejtoria e QSUT-së ka marrë masa për shtimin e personelit mjekësor dhe shtimin e numrit të shtretërve. Sipas specialistëve, në çdo moment ka pacientë që vijnë në gjendje të rëndë, të cilët duhet të marrin ndihmën e menjëhershme.
Situata
Specialistët bëjnë të ditur se kjo gjendje është pothuajse e përvitshme, pasi ndër kategoritë më të prekura nga temperaturat e larta janë të sëmurët me zemër. Çdo vit, Kardiokirurgjia ka pasur një fluks të madh pacientësh, të cilët janë trajtuar si raste urgjente. Por këtë vit Drejtoria e QSUT-së ka parë të nevojshme shtimin e numrit të personelit dhe shtretërve, pasi një vit më parë pacientët janë detyruar të qëndrojnë dy persona në një shtrat, madje edhe tavolinat janë përdorur si shtretër.
Nëndrejtori Draçini, theksoi se aktualisht puna për kryerjen e operacioneve në pavijonet e tjera ka rënë për shkak të infeksioneve që mund dhe lejeve të mjekëve. “Planifikimi i operacioneve bëhet nëpër pavijone, por nuk ka atë numër që ka gjatë muajve të tjerë. Kjo për dy arsye, e para sepse një pjesë e stafit kirurgjikal, që janë dhe pedagogë të Fakultetit të mjekësisë gjatë muajit gusht marrin lejen e zakonshme. Niveli i infeksioneve është më i lartë në stinën e verës, kjo është pjesërisht e vërtetë”, u shpreh Xheladin Dracini.
Këshillat
Të sëmurët me zemër janë më të predispozuar për t’u prekur nga temperaturat e larta dhe gjendja e tyre mund të rëndohet deri në goditje kardiake. Për këtë kategori personash që vuajnë nga zemra, mjekët këshillojnë që ata të bëjnë konsulta të herëpashershme, pasi mund të kenë nevojë për rregullim të mjekimit. Gjatë ditëve të nxehta lind nevoja për të ndryshuar dhe kurën apo medikamentet bazë, në mënyrë që të bëhet balancimi ekuilibrave në organizëm. Specialistët shprehen se duhet të evitohen daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11:00- 16:00. Ambienti në shtëpi duhet të mbahet sa më i freskët, deri në temperaturën 27 gradë. Por nuk duhet të mbahet në një temperaturë më të ulët sepse mund të krijohen komplikacione kur qytetarët të bien në kontakt me temperaturat e nxehta jashtë ambientit të shtëpisë.

Gripi i derrit, sot priten rezultatet për dy vajzat nga Vlora

Vajzat kanë ardhur nga Greqia për pushime pranë të afërmve

ISHP në pritje konfirmimi për 10 mostra e marra ditët e fundit

Emanuela Sako

ISHP-ja po shton numrin e mostrave të marra nga emigrantët e ardhur, të cilët dyshohen se janë prekur nga virusi i gripit të derrit. Ditën e sotme pritet të dalin rezultatet përfundimtare të dy vajzave në moshë të vogël, që kishin ardhur ditët e fundit nga Greqia, pranë të afërmve të tyre. Vajzat janë dyshuar se kanë pasur simptomat e virusit dhe menjëherë mjekët e Vlorës kanë marrë mostrat, për të cilat po kryhen ekzaminimet. ISHP-ja ka bërë të ditur se së shpejti do të dalin rezultatet përfundimtare për fëmijët. Ndërkohë që, specialistët shprehen të bindur se rasti i parë do të konstatohet nga radhët e emigrantëve që vijnë nga vendet fqinje, të cilat kanë konfirmuar rastet e gripit H1N1.
Rastet
Aktualisht, ISHP po kryen ekzaminimet e 10 mostrave të marra gjatë ditëve të fundit, të cilat janë nisur për t’u kryer në Rumani. Përveç ekzaminimeve që bëhen në laboratorët e ISHP-së, OBSH-ja ka vendosur që analizat për H1N1, për Europën Juglindore do të kryhen në shtetin Rumun. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka kryer një vizitë në Urgjencën e Tiranës, ku ka bërë të ditur edhe njëherë mënyrën se si duhet të veprohet me rastet e dyshuara me gripin e derrit. Ndërsa ka pranuar që tashmë situata nuk është e monitorueshme në pikat kufitare të hyrjes së emigrantëve. Në pikat kufitare hyjnë çdo ditë mijëra shtetas shqiptarë, të cilët nuk mund të verifikohen nëse janë ose jo me grip. Pavarësisht se epidemiologët janë vendosur në të gjithë pikat kufitare, ardhja e emigrantëve pritet të sjellë edhe rastet e para të konfirmuara nga virusi, pasi shtetasit shqiptarë janë mbartës të këtij virusi. Situata është e pashmangshme, pasi në vendet fqinje virusi ka kohë që ka gjetur terren. Specialistët pranojnë që pritet se së shpejti do të konfirmohet rasti i parë me gripin e derrit.
Simptomat
Specialistët e shëndetësisë kërkojnë ndërgjegjësimin e popullatës për njohjen e simptomave dhe denoncimin e rasteve pranë strukturave shëndetësore. Shenjat e para të prekjes nga virusi janë temperaturë e lartë, kollë, të vjella dhe diarre. Këto simptoma janë të përafërta me gripin normal dhe për këtë arsye kërkohet kryerja e ekzaminimeve laboratorike, për të konfirmuar nëse rasti është një grip i zakonshëm ose jo. Specialistët kërkojnë që të parandalojnë rastet nëpërmjet vaksinimit, pasi sezoni i vjeshtës mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore dhe të shtojë rastet sepse është një periudhë e favorshme për gripin. Drejtuesit e Shëndetësisë theksojnë se e gjithë popullata duhet të vaksinohet ndaj gripit të zakonshëm, pasi më vonë mund të ketë një kombinim. ISHP-ja është furnizuar me një sasi të konsiderueshme Tamifluje, e cila do të shërbejë për kurimin e rreth 4500 pacientëve të parë nëse do të preken nga virusi AH1N1. Ndërsa pritet që të ketë blerje të reja, të cilat do të shpërndahen nëpër farmaci dhe mund të blihen nga vetë qytetarët. Vaksinimi i popullatës është e vetmja mundësi që mund të frenojë përhapjen e virusit.

Virozat e stinës, dyndje në urgjencat e QSUT-së

Mjekët e QSUT-së raportojnë çdo ditë fluksin e qytetarëve që drejtohen në pavijonet e spitaleve. Specialistët shprehen se në Spitalin Pediatrik paraqiten rreth 200-230 pacientë në ditë me simptoma të stinës: diarre, të vjella, temperaturë, etj. Sipas mjekëve, pacientët trajtohen ambulatorisht dhe largohen pasi marrin ndihmën e duhur mjekësore dhe këshillat përkatëse nga mjekët. Numri i qytetarëve që drejtohen në urgjencë po mban një mesatare të palëvizshme, ku numri konsiderohet i lartë. Në Shërbimin e Kardiologjisë, bazuar në të dhënat nga QSUT, paraqiten rreth 100-120 pacientë në ditë me simptoma nga temperaturat e larta. Ndërsa numri i pacientëve në Spitalin Infektiv të QSUT-së, për shkak të helmimeve të ndryshme, arrin në rreth 60-70 pacientë në ditë. Në Urgjencën e Tiranës numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmën mjekësore arrin në rreth 25-30 në ditë me simptoma të ndryshme të stinës. Mjeku, Besnik Lamçe pohon se numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmën e specializuar mjekësore është pothuajse i njëjtë me atë të viteve të kaluara.
Mjekët bëjnë apel për më shumë kujdes për ushqimet që konsumohen, për të cilat blerësit duhet të sigurohen që të jenë të kontrolluara dhe të sigurta. Ata këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, deri 2 litrave ujë në ditë, fruta dhe zarzavate, ndërsa kujdes të veçantë duhet të tregohet për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna e të sëmurët kronikë.

21 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›