Andoni: Sa e blemë dokumentin e CIA-s për Mehmet Shehun në ambasadën e SHBA
AFRIM IMAJ
“Letra sekrete e CIA-s për Shqipërinë, ishte nga ato dokumente të rëndësishme agjenturore, që sigurohen me vështirësi dhe me shuma të jashtëzakonshme. Në e ho-dhëm në dorë vetëm me mirëbesim dhe solidaritet shoqëror...”
E rrallë në llojin e vet historia e rrëmbimit të shkresës “Top sekret” nga arkivi i Ambasadës amerikane në Buenos Aires, shfaqet e çuditshme edhe në “koston” e saj që siç thotë në rrëfimin për gazetën “Panorama”, protagonisti Piro Andoni ka kushtuar gjithsej një arkë me verë Përmeti, dy shishe uiski dhe një bust të vogël të Skënderbeut. Duke hedhur poshtë hamendësimet e dëgjuara për shpenzimin e miliona dollarëve për këtë operacion të vështirë me natyrë spiunazhi, ish-diplomati të cilit detyra ia kërkoi të dalë për një moment nga profili i shërbimit të tij, sqaron se gjithçka është realizuar falë miqësisë së sinqertë dhe përpjekjeve shoqërore, që në asnjë rast nuk kërkuan shpërblim për kontributin e ofruar në këtë çështje. Sidoqoftë, nga tërë kjo ngjarje plot mister e të papritura, Andoni ka peng mënyrën tinëzare të punonjëse të policisë së fshehtë, të cilët disa vite më vonë nisën hetimet për abuzimet e mundshme në këtë operacion për të cilin shteti shqiptar nuk harxhoi asnjë dollar...
Çfarë mbani mënd nga kontakti i parë me Reiz Malilen kur i dorëzuat dokumentin e CIA-s?
Ai sa përfundoi së lexuari letrën “Top sekret” mori nga sirtari i tavolinës një tufë me letra dhe m’i zgjati, duke më thënë se duhej të shkruaja me detaje gjithçka kishte ndodhur gjatë operacionit për sigurimin e atij dokumenti të rezervuar dhe shumë të rëndësishëm. Mu desh të riprodhoja me hollësi çdo detaj nga përpjekjet e gjithë atyre ditëve ku bashkë me mikun tim Farrani bëmë të pamundurën për t’u futur në kasafortat e arkivit të ambasadës së SHBA-së. Si ia dorëzova dhe këtë ministrit, dolëm të dy nga zyra. Unë për t’u rikthyer disa çaste te shtëpia në Tiranë dhe ai drejt selisë së Komitetit Qendror. Më në fund isha qetësuar nga gjithë ai makth. Megjithatë prisja se si do të shkonte filli i zhvillimeve të mëtejshme me letrën misterioze....
Në gjithë këtë histori misterioze të tërheq vëmendjen fakti që një dokument me një plan strategjik të CIA-s për Shqipërinë gjendej në një nga ambasadat e SHBA-së shumë larg saj, në Argjentinë...
Jo rastësisht operacioni strategjik i CIA-s për përmbysjet politike në vendin tonë gjendej në Ambasadën e Amerikës në Argjentinë. Ky institucion, pra ambasada e SHBA-së në Buenos Aires, ishte pjesë e skenarit të operacionit të fshehtë që ishte planifikuar me detaje. Sipas fazave të tij, ishte parashikuar që menjëherë pas eliminimit të Enver Hoxhës dhe afrimit të Shqipërisë me SHBA-në, i tërë personeli i Ambasadës amerikane në Argjentinë, me në krye ambasadorin, do të instaloheshin në mënyrë të rrufeshme në Tiranë dhe do të merrnin misionin diplomatik në Shqipëri. Plani kishte parasysh azhurnimin në proces të këtyre aktorëve, çka do të thoshte futjen në lojë të tyre sa të përmbushej faza e parë, që kishte të bënte me objektivin e Mehmet Shehut për të eliminuar Enver Hoxhën...
Rrëmbimi i letrës sekrete në dosjet e CIA-s, ka qenë një operacion i fshehtë dhe si i tillë ka pasur një kosto, apo jo...
Nuk e di për çfarë kosto e keni fjalën në rastin konkret. E vërteta është se letra sekrete e CIA-s për Shqipërinë, ishte nga ato dokumente të rëndësishme agjenturore, që sigurohen me vështirësi dhe me shuma të jashtëzakonshme. Në e hodhëm në dorë vetëm me mirëbesim dhe solidaritet shoqëror...
Nuk e paguat Farranin dhe diplomatin amerikan Mendesin nëpërmjet të cilëve arritët të rrëmbenit nga arkiva sekrete e CIA-s dokumentin?
Kam dëgjuar që flitet për shuma të mëdha që janë shpenzuar për këtë dokument, por të gjitha janë trillime. Unë isha ambasador dhe rregulli i detyrës e kërkonte që edhe çdo qindarkë që harxhonim të dokumentohej me detaje në evidenca zyrtare. Ato janë aty edhe sot e kësaj dite. Le të hapen e të konfirmohet e vërteta...
Kaq thjesht mund të merrej një dokument i karakterit tepër sekret nga dosjet e CIA-s?
Unë e përshkrova me detaje të gjithë këtë histori dhe e deklaroj publikisht se nuk kam kërkuar asnjë dollar për të shpërblyer bashkëpunëtorët që më ndihmuan në përmbushjen e detyrës që më ngarkoi ministri Reiz Malile...
Pra, nuk u keni dhënë gjë bashkëpunëtorëve tuaj?
E gjitha kjo më ka kushtuar vetëm një dhuratë simbolike. Një dhuratë me një arkë me verë Përmeti, dy shishe Uiski dhe një bust të vogël të Skënderbeut. Nuk kam dashur të flas kurrë për të, pasi në kodin moral të shqiptarit nuk përmendet ajo që i dhuron tjetrit. Nga kjo histori kam një peng që më ka munduar jo pak në atë kohë. Si ishte mbyllur ccdo gjë lidhur me dokumentin sekret, u gjënd një ditë papritur njëri nga eksponentët e policisë së fshehtë në Buones Aires dhe pasi më ftoi për një kafe në periferi të qytetit, filloi të më pyes tinëzisht për sasinë e valutës që kisha harxhuar me Farranin. Nuk e di si mu duk vetja ato ccaste. Sidoqoftë u mundova ta kapërcej pa e fyer...
Zoti Andoni! Ju pohoni se keni mundur ta siguroni këtë dokument thjesht në mirëbesimin e një miku tuaj dhe të Shqipërisë. Aq të lehtë e kishte ky biznesmen nga Argjentina të futej në arkivat e CIA-s?
Padyshim që nuk ka qenë e lehtë ajo që mundi të bëjë në tërë këtë histori Farrani. Më saktë ajo që arriti të realizojë në sajë të shoqërisë me diplomatin amerikan Mendes. I kam parasysh si tani kontaktet e shpeshta që bëja ato ditë me Farranin. I kisha raportuar Tiranës se kisha rënë në gjurmët e një dokumenti shumë të rëndësishëm për vendin dhe kisha marrë detyrën për të siguruar një kopje të tij, çka do të konfirmonte saktësinë e përmbajtjes të shkresës “top sekret”. Miku nga Argjentina sa ndahej nga mua nxitonte për te takimi me amerikanin Mendes, fillonte bisedat e lirshme me të, duke u rezervuar për mos t’u shfaqur te dokumenti misterioz. Dua të them se Farrani i dëgjonte me vëmendje instruksionet e mia dhe sa kthehej nga takimi me mikun e tij që punonte në ambasadën e SHBA-së në Argjentinë më raportonte me hollësi, jo vetëm porsa i fliste ai, por edhe për detaje të imtësishme nga dialogët me të. E porosisja vazhdimisht që të bënte shumë kujdes kur t’i hapte Mendesit çështjen e letrës për Shqipërinë. Duhej me çdo kusht që diplomati amerikan mos ta merrte vesh se për atë dokumente interesohej tërë hierarkia zyrtare dhe politike e shtetit shqiptar. Përndryshe, situata do të bëhej tepër kritike dhe jo vetëm që do të dështonim në sigurimin e dokumentit, por do të vinim në rrezik edhe jetën e mikut tonë Farrani.
Çfarë rreziku paraqiste ky operacion i fshehtë për Gerardo Farranin?
Në thelb ishte një duel i heshtur midis një qytetari argjentinas dhe shërbimit më të fuqishëm inteligjent të botës. Po të zbulohej skema si vepronte Farrani me Mendesin, qoftë edhe për interesin e treguar lidhur me përmbajtjen e dokumentit të arkivuar në dosjet e CIA-s në ambasadën e SHBA-së në Buenos Aires, pasojat do të ishin të mëdha e të rrezikshme. Mjaftonte një shkujdesje e diplomatit amerikan gjatë bisedës me një kolegun e tij për interesin e treguar rreth letrës për Shqipërinë dhe gjithçka merrte fund. Sidoqoftë, fati ishte me ne dhe gjërat shkuan mirë.
Farrani u fut në lojë dhe iu përgjigj me përpikëri çdo këshille të dhënë nga mua. Në të gjitha takimet me mikun e tij Mendes, duke risjellë në bisedë gjithfarë problemesh, u mundua t’i krijojë bindjen se kishte të bënte me një shok të mirë e të sinqertë. Pikërisht në këtë fluks takimesh e bisedash, Farrani gjeti rastin dhe si spontanisht hapi temën e letrës për Shqipërinë. Që këtej çdo gjë bëhej e organizuar dhe e menduar me shumë kujdes, në mënyrë që diplomati amerikan mos të dyshonte për qëllimin e tij.
Kështu erdhi çasti kur Farrani i kërkoi të dinte se çfarë synohej konkretisht në atë letër. Tjetri që nuk ra në gjurmët e lojës së tij u tregua i gatshëm dhe i rrëfeu me hollësi atë që kishte lexuar në dokumentin e fshehtë. Që këtej pastaj në mirëbesim e sipër u arrit dhe epilogu i misionit që kishte të bënte me rrëmbimin e tekstit të letrës. Ishte një moment fatlum ky për mua dhe ashtu siç e theksova, fillova menjëherë të bëj përkthimin e dokumentit...
I thatë Farranit përse e donit dhe si e vazhduat shoqërinë me të më vonë?
Kuptohet që me Farranin nuk mund të shpjegohesha për çdo gjë që po bëja me dokumentin. Ai nuk kishte si t’i dinte, madje as interesohej t’i dinte veprimet e mia në komunikimin me Tiranën për këtë çështje shumë të rëndësishme. Farrani ishte tip inteligjent dhe nuk bëhej kurioz të dinte për atë që po bëhej më tej me letrën sekrete të CIA-s. Detyra ime mbaron këtu, më tha atë ditë kur ma solli në zyrë. Gjithsesi, ai mbeti një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve...
vijon nesër
Nga Argjentina në Tiranë për të sjellë letrën “Top sekret”
Ka zgjatur plotë 13 orë udhëtimi i ish-ambasadorit shqiptar nga Buenos Aires në Tiranë për të sjellë në dorën e autoriteteve të larta dokumentin sekret të rrëmbyer në kasafortën e Ambasadës amerikane në Argjentinë. Duke iu rikthyer çasteve plot tension kur mori në dorë letrën “top sekret” me planin e fshehtë për përmbysjen politike në Shqipëri, ish-diplomati Piro Andoni tregon me imtësi rrethanat në të cilat u njoh me përmbajtjen e dokumentit misterioz që CIA amerikane ia adresonte ambasadorit të SHBA-së në Buenos Aires. “E hapa me një frymë, sqaron ish-diplomati. Ishin gjithsej tre faqe të shkruara në spanjisht. Fund e krye bëhej fjalë për lidhjet e Mehmet Shehut me CIA-n. Përshkruhej komploti për likuidimin e Enver Hoxhës dhe premtimi i Mehmetit për të ndryshuar kursin politik të Shqipërisë, duke i dhënë një drejtim të ngjashëm me atë të Jugosllavisë së Titos. Plani arrinte deri te mënyrat e asgjësimit të Enverit, ku parashikohej helmimi me veprim të vonuar, atentati me armë ose aksident automobilistik...” Pasi ka treguar si u njoh me lajmin për ekzistencën e dokumentit sekret dhe mënyrën e fshehtë si raportoi te ministri Reiz Malile, ish-diplomati Andoni rrëfen me detaje momentet e operacionit për rrëmbimin e shkresës misterioze në arkivin e ambasadës së SHBA-së në Buenos Aires dhe mënyrën konspirative si e solli atë në Tiranë. I gjithë misioni i fshehtë sipas tij nuk mund të realizohej pa ndihmën dhe bashkëpunimin e argjentinasit Gerardo Farrani dhe të punonjësit të ambasadës amerikane në Buenos Aires, Mendes. Për Andonin ato 13 orë fluturimi nga kontinenti i largët në Tiranë me dokumentin e mistershëm në çantën diplomatike, kanë qenë plotë makth.
Premtimi i CIA-s për Mehmet Shehun:
Tre milionë dollarë po të dështojë operacioni
“Mehmet Shehu do të shpërblehej me 3 milionë dollarë po të dështonte operacioni i CIA-s për përmbysjet në Shqipëri”. Teksa veçon këtë fakt nga dokumenti “Tepër sekret” ish-diplomati Andoni, i cili pohon se ish-kryeministrit i ishte premtuar që në kushtet e dështimit do të merrte strehim politik në SHBA ose në një vend mik. Ish-ambasadori shqiptar në Argjentinë shton se pavarësisht se në dokument nuk përmendej emri i Mehmet Shehut, përshkrimi dhe pseudonimet që përdoreshin e bënin të plotë identifikimin e tij si protagonist kryesor të kësaj sfide të jashtëzakonshme. Sipas Andonit, njeriut që e ka zbuluar i pari letrën misterioze, plani i CIA-s ishte në thelb një program i plotë i ndarë në tre faza. Faza e parë parakuptonte veprimet e Mehmet Shehut për të eliminuar Enver Hoxhën. Faza e dytë përfshinte ndryshimin e kursit politik në Shqipëri kur frenat e pushtetit do t’i merrte ish-kryeministri Shehu. Faza e tretë kishte të bënte me vendosjen e lidhjeve diplomatike të vendit tonë me SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore. Është interesante, shton ish-diplomati Andoni, mënyra si parashikohej në dokumentin e famshëm kapërcimi i Shqipërisë në ekonominë e tregut dhe të iniciativës së lirë, ku synohej jo kalimi i menjëhershëm në formën e plotë të sistemit kapitalist, por bashkëjetesa disavjeçare e klasës kapitaliste me ekonominë sociale, ku shtresa e të rrënuarve do të mbijetonte në saj të një strategjie sociale. Ndërkaq, plani sekret për zhvillimet e vrullshme në Shqipëri, sipas autorit të librit “Atje larg në fund të botës” parashikonte edhe masat konkrete në rrethanat e dështimit të operacionit të drejtuar nga CIA në Shqipëri. Në këto kushte Mehmet Shehu sigurohej menjëherë nëpërmjet mbrojtjes së SHBA-së dhe fitonte azilin politik në Perëndim dhe do të merrte një shpërblim tre milionë dollarë. Sidoqoftë, përmbyll Andoni, fakti që kjo letër mundi të zbulohej pesë vjet, pasi kishte ndërruar jetë kryeministri komunist dhe ishte shpallur superagjent i Perëndimit, të lë të dyshosh për vërtetësinë e saj...
Një ditë me Kastron në Brazilia
Pjesëmarrja e Fidel Kastros në ceremoninë e kalimit të pushtetit presidentiti të ri në Brazil, përbënte një ngjarje të madhe dhe një kthesë në trajtimin që i bënte Kuba Amerikës së Jugut. Të gjithë e dinin që do të vinte Fideli, por askush nuk thoshte se kur do të mbërrinte dhe me çfarë avioni. Ardhja e tij ishte veshur me mister. Ato ditë Fideli ishte personazhi kryesor i bisedimeve dhe i konferencave të shtypit. Intervistat e Fidelit në sallën e kongresit vazhduan për dy orë e gjysmë. Më shumë se 400 gazetarë e prisnin dhe shoqëronin nga pas.
Salla ishte plot me pjesëmarrës. Delegacionet, deputetët dhe personalitetet e vendit kishin zënë vendet e tyre. Ishte ora 17.05, kur në sallë hyri Fideli. Auditori u drodh, një lëvizje e vetvetishme spontane e të gjithë pjesëmarrësve me duartrokitje frenetike. I veshur ushtarak, me karizmën e tij, Fideli kalon për të zënë vendin, duke u takuar me pjestarët e delegacioneve.
Një radhë para tij kishte zënë vend Daniel Ortega, udhëheqësi i revolucionit Sandinist në Nikaragua. Ishte koha kur ai kishte rënë nga froni. Violeta Chamarro kishte zënë vendin e tij pas zgjedhjeve demokratike. Pas kësaj, ylli i Ortegës ishte venitur. Një ngjarje e tillë ishte bërë objekt i pyetjeve të gazetarëve dhe politikanëve të vendit e të huaj. Nga një pyetje e tillë, se si do të vejë fati i Kubës pas dështimit të revolucionit në Nikaragua, nuk shpëtoi as Fideli. Ai u përgjigj kështu kësaj pyetje: “Revolucioni nuk ndalet kurrë. Sandinistët aktualisht janë pakica, por ata duhet të luftojnë që të rifitojnë besimin e shumicës, pastaj të kthehesh të rrish në pushtet”.
Pas mbarimit të ceremonisë së kalimit të pushetit, delegacionet duhet të largoheshin njëri pas tjetrit nga parlamenti për të ndjekur programin. Delegacioni kuban ishte pas nesh. Na bëri përshtypje se kalimi i delegacionit amerikan, që kryesohej nga zv.presidenti Quale, kaloi pa u vënë re. Tek-tuk u ndienë disa zëra: “Poshtë Fondi Monetar Ndërkombetar”, “Amerika Latine e lirë” e ndonjë tjetër. Por në çastin, kur Fideli do të hynte në veturë, turma shpërtheu në duartrokitje dhe brohoritje: “Kuba, Kuba, Vivia Fidel, adelante camarades (përpara shokë)” etj.
Një ditë më vonë, Fideli do të ishte mysafir në Rio de Zhaneiro. Një konferencë shtypi e organizuar nga kanali televiziv “O globo” në një nga sallat e tij të mëdha, me pjesëmarrjen e më shumë se 600 gazetarëve e të kanaleve televizive të gjithë Brazilit. Intervista e Fidelit transmetohej direkt.
Elokuenca e mahnitshme e liderit kuban kishte mbërthyer të pranishmit, duke mos lenë asnjë rast për të dyshuar në përgjigjet e tij. Nëe nga gazetarët e pyeti Fidelin: nëse rinia ka liri në Kubë, përse nuk lihet të emigrojë?.
Udhëheqësi kuban e quajti këtë pyetje një shtrembërim të së vërtetës dhe, duke iu drejtuar gazetarit, i tha: “Për të qenë të sigurtë në këtë që po them, që tani je i ftuar të vish në Kubë e të marrësh kontakt me të rinjtë, që të shkruash më vonë se çfarë thonë ata. Madje, po deshe, hajde tani se kemi dy-tre vende bosh në avion”.
Një ditë më vonë, intervistat e Fidelit dhe konferenca e tij e shtypit kishin mbushur faqet e gazetave të Brazilit, ku spikaste ideja e tij se “nëqoftëse nuk do të bashkohemi, do të mbetemi përjetë koloni”.
Njëri nga gazetarët e kanalit televiziv “O globo” e pyeti: - A është e kënaqur rinia në Kubë?
Fideli iu drejtua gazetarit me një pyetje: - Kush ju ka thënë juve se rinia kubaneze është e pakënaqur? Nëse doni ta provoni, jeni dhe ju të ftuar për një vizitë në vendin tim. Unë mund t’ju them se rinia kubane mëson, punon, argëtohet e përgatitet për mbrojtje.
Oratoria dhe aftësia e rrallë e liderit kuban e mbajti sallën për 4 orë në tension dhe të mbërthyer në një kureshtje të rrallë. Miliona njerëz në të katër anët e Brazilit ndoqën me interes intervistat e liderit kuban, i cili përballej për herë të parë me një mision të tillë qeveritar, duke sfiduar kështu politikën e izolimit të kohës nga SHBA.