E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici vret veten me një plumb në zemër, dyshime për tumor

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 10-06-2011 10:56

Tiranë- Një punonjës i policisë së Tiranës ka zgjedhur një vdekje të shpejtë, përballë një vdekjeje me vuajtje. Ky është dyshimi i parë i policisë, pas vetëvrasjes me një plumb në zemër të 45-vjeçarit Beqir Dautit, paraditen e djeshme në rrugën “Don Bosko” të Tiranës. Një burim i policisë së kryeqytetit i tha MAPO-s se shkak i kësaj vetëvrasjeje dyshohet të jetë diagnostikimi me tumor në kokë i efektivit të policisë, Beqir Dauti. Babai i dy fëmijëve, me detyrë inspektor rendi në komisariatin 3 në kryeqytet i ka dhënë fund jetës në ballkonin e shtëpisë së tij, duke qëlluar me një plumb në zemër veten. I tmerruar, djali i tij 14-vjeçar, i cili në ato momente ka qenë në shtëpi, ka njoftuar fqinjët dhe policinë për ngjarjen. Vetëm pak minuta më pas, forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje dhe nisën punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku në përfundim të saj u arrit në përfundimin se vdekja kishte ardhur si pasojë e vetëvrasjes së kryer nën kushte të rënda depresioni të 45-vjeçarit Beqir Dauti. Kolegët e Dautit bëjnë të ditur se prej gati 1 jave ai nuk ishte paraqitur në punë, pasi kishte pasur probleme të shpeshta shëndetësore dhe kishte marrë pushime për të kryer analizat. “Ishte një njeri shumë i qetë dhe punëtor. Prej disa kohësh kishim vërejtur se kishte shqetësime të shpeshta nga koka dhe ankohej herë pas here nga spondeloartroza. Pak ditë më parë mori leje për të bërë disa analiza dhe prej atëherë nuk kishte ardhur më në punë” - tregojnë kolegët e viktimës. Ndërkohë, fqinjët e familjes Dauti shprehen se asnjëherë nuk kanë pasur probleme me ta dhe se kanë qenë një familje shumë e qetë, e ardhur disa vite më parë nga Elbasani. “U habitëm dhe u shokuam kur morëm vesh ngjarjen. Unë nuk isha në shtëpi, por më njoftoi menjëherë ime shoqe për atë çfarë kishte ngjarë dhe erdha menjëherë këtu. S’dimë çfarë të themi. Kemi mbetur të shokuar, pasi Beqiri ishte një njeri shumë i qetë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me ne. Ata kishin një dyqan ku bluanin dhe shisnin kafe dhe pothuajse e gjithë kjo zonë i njihte dhe kishte respekt për ta” - tregon fqinji i familjes Dauti. Nga ana e saj Policia e Tiranës pas këqyrjes së kufomës dhe dokumentimit të ngjarjes si vetëvrasje, nisi punën për të identifikuar shkaqet që çuan kolegun e tyre drejt këtij veprimi. Sipas të dhënave të para të mbledhura në vendngjarje, dyshimet kryesore janë përqendruar në faktin se viktima mund të jetë diagnostikuar me tumor dhe kjo gjë ka sjellë një gjendje të rëndë psikologjike tek ai. Duke mos përballuar dot këtë situatë, ai ka vendosur t’i japë fund jetës me armën e shërbimit. Ndërkohë, pritet të merren në pyetje të afërmit e viktimës, të cilët do të hedhin dritë mbi shkaqet e vërteta që shtynë efektivin e policisë drejt vetëvrasjes. Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet dhe autopsisë, për të parë nëse dyshimet e ngritura për vetëvrasjen, si pasojë e zbulimit të një tumori, janë të sakta apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›