Konflikti me oficerin e RENEA-s, lirohet i akuzuari
Tiranë- Gjykata e Tiranës ka vendosur dje të lërë në qeli Armand Pezën, ndërsa liroi shokun e tij Xhimi Hasanbega. Gjykata ka pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës shtrënguese të sigurisë “arrest me burg” ndaj Pezës, i cili akuzohet për kanosie me armë dhe prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake, pas një arsenali të tërë armësh të sekuestruara pranë banesës së tij. Mbetet ende e paqartë sasia prej 200 gramë lëndë narkotike, që sipas policisë ishte e llojit kokainë, e cila është duke u analizuar në laboratorin e kriminalistikës në kryeqytet. Pavarësisht argumenteve të avokatit të tij mbrojtës, Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Armand Pezës, i cili do të përballet edhe më akuzën e agresionit të armatosur ndaj një efektivi të repartit special RENEA. I arrestuari, i pranishëm në sallën e gjyqit, përveç gjenealiteteve nuk ka dhënë asnjë shpjegim për akuzat e prokurorisë. Ndërsa avokati i tij mbrojtës tha se armët e gjetura në depon pas shtëpisë janë armë që i përkasin vitit 1997, ndërsa klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me to. Sipas prokurorisë, arsenali i armëve, mes të cilave edhe një pushkë snajper, u gjendën në shtëpinë e gjyshes se Armand Pezës. Ndërsa për personin e dytë të arrestuar në shoqërinë e Pezës, Xhimi Hasanbega, përfaqësuesi i akuzës tha se nuk ka asnjë lidhje me armët apo sherrin mes mikut të tij dhe efektivit të forcave speciale, duke kërkuar nga gjykata caktimin e masës së sigurimit detyrim për paraqitje. Dy ditë më parë Armand Peza tha se armët e sekuestruara pranë shtëpisë së gjyshes, nuk janë të tijat, pasi ato ndodhen aty që prej vitit 1997. Gjithashtu, Peza ka mohuar në mënyrë kategorike pronësinë e lëndës narkotike të gjetur po aty, e cila sipas prokurorisë dyshohet se nuk është lëndë narkotike por përzierës. Peza u arrestua katër ditë më parë pas një sherri të armatosur me një efektiv të repartit special RENEA, me të cilin ka qenë në lokal para debatit që përfundoi me shkrehje armësh. L.Bakillari