E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia Bashkiake e Tiranës dhunon zyrat elektorale të LSI-së

04-04-2011 / Gazeta 55

Axhenda komuniste e destabilizimit

Pas sulmeve kamikaze të dy javëve më parë të deputetëve të PS ndaj njësive bashkiake të LSI-së në kryeqytet, dje Edi Rama urdhëroi policinë bashkiake të shkatërrojë zyrat elektorale të kësaj force politike në Tiranë

Pas sulmit huligan të disa ditëve më parë ndaj njësive vendore të drejtuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim në Tiranë, dje Edi Rama urdhëroi policinë bashkiake të kryejë një tjetër akt huliganizmi ndaj LSI-së. Kësisoj, njësia bashkiake numër 5 në kryeqytet është bërë shkak për konflikt, duke shënuar të parin rast për këto zgjedhje, të një përplasje mes palëve me interesa të ndryshme në betejën elektorale të 8 majit. Bëhet fjalë për një konfrontim mes Policisë Bashkiake dhe përkrahësve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas përpjekjes nga ana e policisë së bashkisë së kryeqytetit për të hequr flamujt e kësaj partie në disa prej zyrave elektorale në kryeqytet.
Jashtë çdo kompetence dhe juridiksioni të policisë bashkiake dhunimi i simboleve partiake të në një force politike, policia bashkiake tregoi dje se është “kokë e këmbë” në shërbim të interesave politike të Edi Ramës dhe kurrsesi në shërbim të komunitetit.
Nga incidenti i djeshëm mësohet se policët e Bashkisë së Tiranës, kanë hequr flamujt e LSI-së duke bërë që të shkaktohet një nervozizëm në radhët e simpatizantëve dhe mbështetësve të kësaj partie të cilët u gjendën menjëherë aty për të kundërshtuar këto veprime të papërgjegjshme, sigurisht të urdhëruara nga Edi Rama.
U desh ndërhyrja e qytetarëve të thjeshtë që ky incident të mos merrte përmasa të mëtejshme, të cilat mund të përbënin rrezik për të dyja palët, por njëherazi iu komunikua Policisë së Bashkisë së Tiranës se aksioni i tyre bie ndesh me kompetencat dhe juridiksionin e veprimtarisë së kësaj strukture, e cila logjikisht duhet të jetë në shërbim të komunitetit, përsa kohë paguhen nga taksat e qytetarëve të Tiranës.

Erisa Xhixho: Edi Rama lufton si “Don Kishot” me flamurët e LSI
Nënkryetarja e LSI-së dhe njëherazi kandidatja për kryetare të minibashkisë nr. 5 reagon për dhunën e ushtruar nga Bashkia e Tiranës mbi simbolet dhe të rinjtë e LSI-së.
Pas incidentit të ndodhur ditën dje ku policia e Bashkisë së Tiranës ka dhunuar simbolet e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe është konfrontuar me të rinjtë e kësaj force politike, ka reaguar Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëkohësisht kandidatja e Koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për kryetare të minibashkisë nr. 5 Erisa Xhixho.
Erisa Xhixho ka shprehur indinjatën dhe përbuzjen e thellë ndaj kësaj sjellje të Bashkisë së Tiranës duke e quajtur kryetarin e saj Edi Rama si një “Don Kishot i cili lufton kundër simboleve të LSI-së”.
Sipas saj, Lëvizja Socialiste për Integrim është duke respektuar Kodin Zgjedhor dhe institucionet e administrimit të zgjedhjeve duke bërë me dije se ligji parashikon që me regjistrimin e kandidatëve për kryetar minibashkie apo bashkie në Komisionin e Zgjedhjeve fushata është e hapur dhe për këtë sipas saj LSI është brenda rregullave ligjore ku brenda 45 ditëve çdo njeri është i lirë të shprehi opinionin e tij dhe simbolet e partisë që ai beson dhe që nesër do ta votojë.
“Nga ana tjetër do të shprehja në emër të LSI-së gjithë indinjatën ndaj sjelljes dhe fobisë që ka Rama ndaj simboleve të LSI-së duke u sjellë në këtë mënyrë si një Don Kishot ku në qoftë se Don Kishoti merrej me mullit e erës, Rama merret me simbolet e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, vijoi prononcimin e saj për mediet nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho.
Sipas saj Tirana ka nevojë për një ndryshim të vërtetë ku Kryetari i Bashkisë të merret me problemet, me shqetësimet e qytetarëve dhe zgjidhjen e tyre.
“Për këtë do të votojnë shqiptarët më 8 maj, për ndryshimin e vërtetë në Tiranë”, tha ajo. Më pas nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëherazi kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për kryetare të minibashkisë nr. 5 Erisa Xhixho bëri me dije se persona që kanë qenë të pranishëm në momentin e heqjes së flamujve dhe kanë qenë dëshmitarë okularë kanë bërë denoncimet përkatëse dhe LSI do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë që çdo shkelës dhe çdo provokues i kësaj situate të shkojë përpara drejtësisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›