E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Bashkiake rikthen hapesirat per qytetaret e Tiranes

Policia Bashkiake e Tiranës liroi sot, një ambient publik në lulishten e parkut “Rinia”, të zënë në mënyrë të paligjshme nga kompleksi Taivani.
Hapësira e betonizuar dhe e përdorur për parking, do të kthehet nga Bashkia e Tiranës në lulishte dhe do të jetë tashmë në funksion të qytetarëve të kryeqytetit.

Sipas procedurës, Policia Bashkiake, u kërkoi pronarëve të operatorit “Taivan”, dokumentet e pronësisë. Pronarët nuk paraqitën asnjë dokumentacion ligjor. Sot, Policia Bashkiake zbatoi ligjin dhe ia ktheu këtë hapësirë qytetarëve.

“Sot, po i kthejmë qytetarëve të Tiranës një hapësirë të zënë në mënyrë të paligjshme. Bashkia e Tiranës do ti kthejë qytetarëve, çdo hapësirë që atyre u takon, duke nisur nga parkingu tek Pallati i Kulturës, ku vetë Bashkia ka zënë hapësirën qytetare e kudo në Tiranë, ku në kundërshtim me ligjin ka ndodhur ky fenomen”, - u shpreh para mediave, Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha.

Gjatë aksionit, Policia Bashkiake ka ndeshur në rezistencën e menaxherëve të Taivanit, të cilët e kanë kërcënuar Drejtorin e Policisë Bashkiake.

z.Hoxha u shpreh se do të bëjë kallëzim penal ndaj këtyre kërcënimeve.

Bashkia e Tiranës deklaron se presionet dhe kërcënimet nuk do ta ndalojnë aspak, që të zbatojë ligjin dhe të mbrojë interesat e qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›