Policia: Gani Kamberi është vetëvrarë
Policia e Tiranës ka hedhur poshtë variantin e vrasjes së Gani Kamberit, banorit të parë të Kasharit që denoncoi në prokurori skandalin e shitjes së trojeve dhe mbivendosjen e tokave në Kashar. Duke mbrojtur uniformat blu, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka deklaruar se veprimet hetimore edhe në rastin e parë janë kryer nën drejtimin e prokurorit. Ditën e djeshme, teksa pritej raporti mjeko-ligjor i viktimës, policia ka dalë me versionin e saj rreth vdekjes së Gani Kamberit, për të cilin prokuroria ka deklaruar se është vrasje dhe jo vetëvrasje. Policia u shpreh se në njoftimin e datës 13 nëntor 2007 ka bërë publike ngjarjen e ndodhur në fshatin Kashar, mbi shkaktimin e vetëvrasjes së Gani Kamberit. "Theksojmë faktin që veprimet e para hetimore në lidhje me ngjarjen janë kryer nën drejtimin e pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të prokurorit të gatshëm të Prokurorisë së Tiranës", tha policia, duke sjellë në dukje se organi i akuzës i ka kontrolluar veprimet. Sipas policisë, në lidhje me këtë ngjarje, materialet dhe aktet procedurale të prodhuara iu dërguan organit të akuzës, duke iniciuar dhe përpilimin e një sërë vendimesh ekspertimi, një sërë ekzaminimesh të mëtejshme, të cilat janë të administruara në dosje. "Ato kanë të bëjnë me aktin biologjik të gjakut të viktimës; aktin e ekspertimit teknik me armë; aktin e ekspertimit mjekoligjor dhe aktin e ekspertimit për faktorët plotësues të qitjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit, gjatë gjithë periudhës gati njëmujore ka përcaktuar dhe kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore për sqarimin e rrethanave, pyetjes së personave të tjerë që tregonin rrethana të dobishme për hetim, por sërish ka rezultuar se kjo ngjarje ka qenë vetëvrasje", ka insistuar policia. Këtë e ka vërtetuar duke treguar se nga analiza e fakteve rezultoi që ishte një vetëvrasje e pastër e të ndjerit Gani Kamberi.