E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohen Reinxhersat, i pambrojtur Liqeni i Shkodrës

18/08/2010 Nuk ruajtën mjedisin dhe nuk ndaluan gjuetinë e paligjshme

SHKODER- Liqeni i Shkodrës ka mbetur i pambrojtur që prej rreth një jave, pasi Ministria e Mjedisit ka shkarkuar nga detyra 9 inspektorë të ruajtjes së mjedisit, të njohura ndryshe si trupat Reinxhers. Ky fakt është bërë i ditur vetëm dje nga zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, i cili mbërriti në Shkodër për të parë nga afër kushtet e këtij liqeni, si dhe për të marrë pjesë në një takim me studentët e shkollës verore për ekoturizmin në Universitetin e Shkodrës. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave për arsyen e shkarkimit të 9 trupave ruajtëse të mjedisit në Liqenin e Shkodrës dhe ligatinat përreth tij, zëvendësministri Bino theksoi se shkak janë bërë pakënaqësitë e krijuara rreth ruajtjes së mjedisit dhe aktiviteteve të paligjshme në Liqenin e Shkodrës. Zv/ministri Bino bëri të ditur se nuk janë arritur rezultatet e duhura në drejtim të ruajtjes së liqenit nga hedhja e mbeturinave, në ndërhyrjet për të penguar peshkimin e paligjshëm dhe sidomos atë me mjete që dëmtojnë resurset peshkore, siç është gjuajtja e peshkut me gjenerator. Njëkohësisht zv/ministri Bino theksoi se shkarkimi nga detyra i inspektorëve të mjedisit në Shkodër është bërë dhe në kuadër të nevojës për reformim të strukturës mbrojtëse të mjedisit jo vetëm në bazë, por edhe në qendër. Trupat ruajtëse të Liqenit të Shkodrës, të emërtuara forcat Reinxhërs, u krijuan në vitin 2004 me iniciativën e qeverisë italiane dhe të asaj shqiptare. Si pasojë e rritjes së numrit të peshkatarëve të paligjshëm, këto forca u përballen me vështirësi të shumta në kryerjen e detyrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›