Policia Gjyqësore mbledh mendjen

TIRANË - Nga dita e djeshme, oficerët e Policisë Gjyqësore, aq shumë të akuzuar për zvarritjen e hetimit, do të riorganizohen në bazë të një urdhri të ri për funksionimin e punës së tyre. Pas diskutimeve dhe konsultave të shumta mes OPGJ-ve, prokurorëve dhe juristëve, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme vendosën të nxjerrin një urdhër me 26 pika, i cili iu jep më shumë hapësirë dhe motivim oficerëve të Policisë Gjyqësore, të cilët do të jenë në varësi të strukturave të policisë. Memorandumi i përbashkët mes organit qendror të akuzës dhe dikasterit blu u nënshkrua ditën e djeshme nga Ina Rama dhe Bujar Nishani, të cilët thanë se një urdhër i tillë ndoshta fillimisht do të hasë vështirësi në zbatim, por me kalimin e kohës do të japë rezultate konkrete. Sipas këtij urdhri, rezulton se Oficeri i Policisë Gjyqësore që do jetë në varësinë e të drejtuesit, ka të drejtën ligjore të hetojë të gjitha veprat penale që referohen nga këto struktura dhe duhet të raportojë jo më pak se një herë në muaj tek prokurori lidhur me vijimësinë e hetimit. Në urdhër gjithashtu përcaktohen qartë kur prokuroria mund të bëjë veçimin e akteve, veprim i cili parashikon hetimin e çështjes nga vetë prokurori. Raste të tilla sipas urdhrit të ri, janë vetëm atëherë kur vepra penale i atribuohet punonjësit të Policisë së Shtetit. Sipas kryeprokurores Rama, “një element shumë i rëndësishëm i urdhrit, i cili do të ndikojë në rritjen e efikasitetit të hetimeve të realizuara nga shërbimet e Policisë Gjyqësore, është fakti se qoftë drejtuesi i shërbimit, qoftë oficeri i Policisë Gjyqësore do të ndjekë ecurinë e procesit penal edhe gjatë procesit të shqyrtimit gjyqësor, duke u vënë në dispozicion të prokurorit të çështjes, për ta ndihmuar atë në një përfaqësim optimal të akuzës në gjykim, duke rritur interesin dhe përgjegjësinë e shërbimeve të OPGJ-ve në konkludimin me një vendim fajësie të hetimit të zhvilluar prej tyre”.