E Shtunë, 31 Tetor 2026

E sjellin "pako"

TIRANË - Hetuesit kriminalë amerikanë të emigracionit dhe doganave nuk “falin” ish-oficerin e Policisë Kriminale të Korçës, 32-vjeçarin Lorenc Balliu. Të ndihmuar nga Interpol Tirana dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ata kanë sjellë me pranga në duar e këmbë autorin e dënuar me 16 vjet burg për vrasjen e Gazmend Tahirllarit pesë vite më parë, për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Ai i është dorëzuar zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Hetimin e Krimeve, Agron Kuliçajt, shefit të zyrës rajonale të sigurisë në ambasadën amerikane, Patrick Leonard dhe Jason Manyx, përfaqësuesi i përkohshëm i agjencive të zbatimit të ligjit për emigracionin, kufirin dhe doganat. Sipas një njoftimi për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bëhet e ditur se ditën e djeshme ka ardhur i blinduar dhe i rrethuar nga federalë të SHBA-ve ish-punonjësi i policisë së Korçës, i cili më 3 janar të vitit 2003, së bashku me pesë kolegët e tij, kanë keqtrajtuar deri në vdekje Tahirllarin, gjatë shoqërimit të tij në polici. Dy muaj pas vrasjes, më 17 mars 2003, Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës e shpalli fajtor për veprën penale të “vrasjes” dhe e dënoi me 16 vjet burg Balliun. I njëjti dënim lihet në fuqi dhe nga Apeli i këtij rrethi, katër muaj më vonë. Ngjarja për të cilën akuzohet Balliu ka ndodhur në fshatin Goskovë të Korçës, ku oficeri i policisë së asaj kohe, Lorenc Balliu, ka goditur me shkelm në fytyrë viktimën Gazmend Tahirllari, duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja ka ndodhur në automjetin e policisë, ndërsa viktima po shoqërohej për në komisariat. Protagonistë të dhunës ishin policët e grupit të gatshëm të policisë, të cilët pasi e ndoqën Gazmendin për ta kapur në një kodër afër fshatit, e zbritën që andej duke e dhunuar. Goditja fatale ishte ajo e dhënë në pjesën e gojës dhe prapa kokës, duke i thyer kafkën. E vërteta u zbardh nga ekspertë kriminalë të thirrur nga Avokati i Popullit, pas zhvarrimit të viktimës. Pas ngjarjes së rëndë, u arrestuan gjashtë efektivë policie, pjesëtarë të grupit të gatshëm. Pas hetimeve të zhvilluara bazuar mbi provat që evidentoi grupi i ekspertëve pas zhvarrimit të viktimës, pesë ish-uniformat blu dolën para togave të zeza. Robert Qyli, Sokol Gurishta, Dashnor Ganolli, Albert Myftari dhe Lorenc Balliu, ish-punonjës policie në Komisariatin e Policisë Korçë, u akuzuan për “vrasje”, “moskallëzim të krimit” dhe “kryerje të veprimeve arbitrare”. Lorenc Balliu, inspektor krimesh, u dënua në mungesë me 16 vjet heqje lirie, mbasi rezultonte se ishte larguar në drejtim të paditur.

Ngjarja

Ngjarja ka pasur si fillesë një grindje të Gazmendit me të shoqen, Mirelën, e cila pas sherrit është larguar për në shtëpinë e prindërve të saj, në një fshat të Devollit. Gazmendi pati kërcënuar shoferin e taksisë që shoqëroi gruan e tij drejt shtëpisë së vajzërisë dhe ky denoncoi në polici. Thirrjeve të policisë për të shkuar për të dëshmuar ai nuk iu përgjigj, duke përkeqësuar situatën e tij përballë ligjit. Tahirllari në gjendje të dehur nuk u është bindur forcave të policisë për ta shoqëruar, dhe ka tentuar t’u largohet, por është kapur shumë shpejt. Forcërisht ai është futur në fugonin e policisë, ku gjatë transportit për në komisariat mbi të është ushtruar dhunë, gjë që ka bërë që Tahirllari të përfundonte në spital, ku pas disa orësh ka vdekur. Trupi i pajetë i viktimës është çuar nga spitali në shtëpinë e familjes Tahirllari, ndërsa versioni i parë i policisë ka qenë se vdekja është shkaktuar nga pija e tepërt, gjë që është kundërshtuar fort nga të afërmit e viktimës, të cilët kanë akuzuar policinë për vrasjen e Gazmendit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›