E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Hakmarrjet e '97 vranë "Ninon" e Pogradecit

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Një grup i përbashkët hetimi i policisë së Korçës dhe asaj të Pogradecit janë duke punuar në disa dosje të '97-ës, autor i të cilave dyshohet të jetë Avni Hoxha. Policia dyshon se 47-vjeçari nga Starova është viktimë e një hakmarrjeje të mundshme nga të afërmit e një të vrari në këtë vit trazirash. Burimet nuk bënë të ditur identitetin e viktimës së ekzekutuar në vitin 1997 për efekt të hetimeve. Por konfirmuan se kjo është një ndër pistat kryesore në të cilat janë zhvendosur hetimet. Kjo për shkak se gjatë atyre viteve, Hoxha, që njihej si i forti i Pogradecit me nofkën "Nino", kishte qenë ndër kontigjentët më problematikë. Sipas burimeve të policisë, "Nino" dyshohet të ketë qenë autor i shumë ngjarjeve të rënda gjatë atyre viteve, si vrasje, përdhunime, kërcënime etj. 
Burime nga grupi i hetimit thanë se Hoxha ka pasur konflikte me shumë persona në fshatin e tij, por veçanërisht në Pogradec e në fshatra të tjerë të këtij rrethi. Drejtori i Policisë në qarkun e Korçës, Emri Vata, bëri të ditur se emri i viktimës gjendet si i dyshuar në shumë krime, veçanërisht të atyre të ndodhura në vitin 1997 dhe më pas. "Po shohim me kujdes dosjet e '97 dhe të krimeve të tjera të rënda që kanë ndodhur në këtë qytet. Dyshojmë se shtytës të këtij krimi të jenë të prekurit nga një vrasje që ka ndodhur në këtë vit, ku mendohet se ka pasur dorë viktima por edhe persona të tjerë", u shpreh Vata. Policia e Korçës dhe e Pogradecit kanë shoqëruar deri më tani 20 persona të dyshuar, por gjer në mbrëmje asnjërit nuk i është komunikuar akuzë konkrete për ngjarjen. Mësohet se të gjithë të shoqëruarit janë banorë të Pogradecit, mbasi viktima gjithë konfliktet i ka pasur në këtë rreth. Burimet e policisë thanë se rrethi i të dyshuarve si autorë të kësaj vrasjeje është ngushtuar mjaft, por ende është herët për të folur me emra konkretë. Grupi i hetimit ka përjashtuar hakmarrjen për vrasjen e kryer nga viktima para viteve '90, krim për të cilin ai kishte vuajtur dënimin. Nisur nga dëshmitë e banorëve të lagjes numër 2 të Korçës, ku ndodhi vrasja ditën e martë, në ekzekutimin e viktimës kanë qenë të paktën dy persona, autori i krimit që ka shkrepur pistoletën dhe drejtuesi i mjetit që priste ekzekutorin. Nuk përjashtohet mundësia që për t'i mbrojtur krahët ekzekutorit të ketë qenë edhe ndonjë person i tretë, i cili mund të ketë qenë brenda mjetit, targa e të cilit nuk është fiksuar nga askush. Tashmë kanë nisur veprimet proceduriale për veprën penale të "Vrasjes me dashje" dhe të "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake". Avni Hoxha u ekzekutua në pritë, vetëm pak metra larg shtëpisë së vajzës së tij të martuar. Ai u qëllua brenda në makinë me 7 plumba, katër prej të cilave në kokë, çka i solli edhe vdekjen e menjëhershme. Policia konfirmoi pas ngjarjes se për nga mënyra e ekzekutimit, vrasësi është profesionist, çka dyshohet se ai ishte paguar për krimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›