Shembet tavani, rrezikohen 16 nxënës të klasës së parë
BURREL - Shembet tavani i klasës, vihet në rrezik jeta e 16 nxënësve të klasës së parë. Ngjarja ndodhi dje në shkollën "Shefqet Kazdeda" në fshatin Urakë, por fatmirësisht disa minuta përpara se nxënësit të futeshin në mësim. Drejtori i shkollës Aqif Heta dha menjëherë alarmin, duke përmbushur edhe shkresën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që urdhëron drejtorët e institucioneve shkollore se "në rastet e dhunës në shkolla, vdekjeve, djegieve, shembjeve, përmbytjeve apo vjedhjes duhet të njoftojnë brenda një ore Drejtorinë Arsimore". Ndërkohë dje paradite, Heta dorëzoi në këtë zyrë një shkresë zyrtare ku vihej në dijeni ngjarja. Nisur nga dëmi i shkaktuar në tavan është konstatuar se nëse do të kishte pasur nxënës brenda në momentin e shembjes do të kishte pasur viktima. Drejtori i shkollës 9- vjeçare Urakë shprehet se ka informuar në kohë rekord Drejtorin e Zyrës Arsimore të Rrethit Mat, Flamur Stafasani, kryetarin e komunës Rukaj dhe kryetarin e fshatit. Sipas tij, kryekomunari premtoi marrjen e masave. Ndërsa nxënësit e klasës së parë janë sistemuar përkohësisht në sallën e mësuesve, deri në zgjidhjen e këtij problemi. h.p