Policia Kroate në ndihmë të Policisë Shqiptare për kërkimin e gomones së humbur tre ditë më parë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kroate, Vladimir Faber, përmes një komunikimi zyrtar ka informuar se autoritetet kroate po bëjnë gjithçka për të ndihmuar në kërkimin e mjetit lundrues me tre peshkatarë nga Vlora, të cilët kishin dalë për gjah prej së dielës së kaluar.
Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit Shqiptar bëri të ditur se z. Faber ka informuar se përveç Zyrës Qendrore Kombëtare Kroate për Kërkimin dhe Shpëtimin në kërkimet në det janë përfshirë dhe Autoritetet e Portit të Dubrovnikut dhe Rajoni Policor i Dubrovnikut.
Ndërkohë, që Zyra Qendrore Kombëtare Kroate për kërkimin dhe shpëtimin në det dhe Policia Kroate janë në kontakt me Qendrën Kombëtare Malazeze të Kërkimit e Shpëtimit.
Në përfundim të komunikimit të tij, z.Faber siguron se autoritetet kroate do të bëjnë gjithçka brenda mundësive për të ndihmuar në kërkimin e mjetit lundrues.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit konfirmoi sot zyrtarisht se gomonia me tre peshkatarë, e humbur prej tre ditësh, sipas informacioneve ndodhet ndërmjet ujrave territoriale të Malit të Zi dhe Kroacisë.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet se, autoritetet kroate e malazeze kanë angazhuar për kërkimin e këtij mjeti patrullime detare dhe ajrore, ndërkohë që nga Bari Itali pritet dërgimi i një avioni të specializuar për këtë qëllim.
Gomonia me tre peshkatarë shqiptarë kishte në dalë në det prej ditës së dielë. Për humbjen e saj kapiteneria e portit të Vlorës u informua rreth orës 08:30 të ditës së djeshme nga një shtetase nga qyteti i Vlorës, e cila ka njoftuar se bashkëshorti i saj Romeo Purizo, 43 vjeç, gjendej në det të hapur me një mjet lundrues së bashku me dy shokë të tij dhe se rrymat po e çonin atë drejt ujrave territoriale të Malit të Zi.
...