Shkëmbimet tregtare mes Kukësit dhe qyteteve të Kosovës shënojnë rritje

Fluksi i hyrjes së shtetasve shqiptarë në Kosovë gjatë këtyre ditëve të janarit është dy herë më i lartë në krahasim me fluksin e hyrjes së kosovarëve në Shqipëri.
"Gjatë këtyre ditëve fluksi i lëvizjes së njerëzve në kufirin Shqipëri - Kosovë më së shumti është përqendruar në hyrjen e banorëve të zonave kufitare të Shqipërisë në drejtim të Kosovës", tha sot drejtori Rajonal i Kufirit, Ylber Zyberi.
Sipas tij, mesatarisht në 24 orë janë 350 shtetas shqiptarë që kalojnë kufirin në të dy anët, ndërsa 150 janë shtetas të huaj, kryesisht kosovarë.
"Përmes pikave të kalimit kufitar mes dy shteteve dalin në 24 orë rreth 400 shtetas, prej të cilëve 280 janë shtetas shqiptarë", saktësoi Zyberi.
Afërsia me qytetet e Prizrenit e Gjakovës u ka krijuar mundësinë banorëve të kësaj zone për furnizimin me mallra të konsumit të përditshëm, madje edhe për shkaqe shëndetësore.
Ky fluks i lëvizjes në kufirin mes dy shteteve fqinje për këtë periudhë konsiderohet normal nga drejtuesit e policisë rajonale të kufirit. Mbi 90 për qind e lëvizjes së shtetasve kryhet përmes doganës së Morinit në rrethin e Kukësit, ndërsa lëvizja në 4 pikat e tjera të kalimit kufitar është minimale. Janë kryesisht banorë të fshatrave kufitare që pas hapjes së akseve rrugore kryejnë vizita te të afërmit e tyre matanë kufirit, apo ushtrojnë tregtinë e vogël në tregun e Prizrenit e të Gjakovës. Kështu vetëm nga qyteti i Kukësit e fshatrat përreth tij janë rreth 120 tregtarë të vegjël që çdo ditë kalojnë kufirin për tregti në qytetin e Prizrenit. Po ashtu janë edhe rreth 70 persona të tjerë të punësuar në Prizren, apo Gjakovë nga Kukësi, Hasi e Tropoja.
Pozitive është se pavarësisht fluksit e kushteve me reshje dëbore të këtyre ditëve të janarit, akset rrugore që lidhin Shqipërinë me Kosovën nuk janë bllokuar për asnjë moment, si dhe nuk është regjistruar asnjë aksident automobilistik
Në kufirin Shqipëri - Kosovë, prej 125 km, funksionojnë 5 pika të kalimit kufitar prej të cilave Morini, Shishtaveci e Orgjosti në rrethin e Kukësit, Qafë Morina në rrethin e Tropojës dhe Qafë Prushi në rrethin e Hasit.
...