Sheshi, shoqata "Tirana" nis lëvizjen qytetare
Shoqata "Tirana" zhvilloi dje një takim me banorë të kryeqytetit duke shprehur kundërshtinë e saj për mënyrën se si Bashkia e Tiranës ka proceduar me projektin rregullues të Tiranës, i cili sipas kësaj shoqate ka prekur interesat ekonomike të banorëve të kryeqytetit. Ky tubim, sipas kryetarit të kësaj shoqate, Arben Tafaj, njëkohësisht dhe kryetar i njësisë bashkiake nr.8, është nisja e një lëvizje qytetare që synon t'i thotë ndal politikave dhe ndërhyrjeve arbitrare të pushtetit. "Ende dhe sot, 20 vjet pas përmbysjes së sistemit diktatorial, hartuesit dhe miratuesit e këtyre planeve urbanistike, marrin nëpër këmbë të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve, duke ndërhyrë arbitrarisht në pasurinë dhe pronat e tyre, duke i shpronësuar ato pa asnjë kompensim apo pëlqim nga ana e pronarëve, duke hedhur mbi hartë vija dhe njolla të "gjelbërta" apo të "kaltërta" pa i marrë asnjë mendim paraprak këtyre qytetarëve model, madje duke i lënë ata në një "terr informativ" në lidhje me atë se çdo të bëhet me të ardhmen e pronave të tyre dhe të fëmijëve të tyre", u shpreh dje Tafaj.