E Diel, 1 Nëntor 2026

Zanafilla e një gjakmarrjeje që ka ngujuar një fis

Djali 20- vjeçar ka vrarë me thikë një person dhe që nga ajo ditë familjes i duhet të qëndrojë e mbyllur në një shtëpi në Babrru

TIRANË- Kur vret dikë duhet të mendosh për dy varre, gjaku duhet paguar me gjak. Origjina e tij vinte pikërisht andej nga ku kanuni dhe rregullat e tij shekullore të gjakmarrjes zbatoheshin me përpikëri. Por prej vitesh familja e tij jetonte në Tiranë ku për çdo krim “hakmerret” ligji. Kështu fati deshi që djali i ri rreth të 20-tave, që megjithëse vinte nga Tropoja dhe që paraardhësit e tij nuk kishin gabuar asnjëherë për t’i hyrë në hise gjakmarrjes, t’i hapte “udhë” hasmërisë pikërisht në qendër të kryeqytetit, me një tjetër familje po nga Tropoja. E që prej një viti, një familje ruhet nga gjakmarrja, ndërsa tjetra ruan të marrë gjak. Ngjarja e ka zanafillën rreth një vit më parë kur 20-vjeçari Visar Ymaj qëlloi për vdekje me thikë 18-vjeçarin Fatjon Kërnaja. E prej një viti diku në periferi të Tiranës, në lagjen Babrru, qëndron e ngujuar nga frika e gjakmarrjes familja Ymaj.

Gjakmarrja

Dikur ai kishte qenë oficer profesionit duke zbuluar ngjarje kriminale e çuar në qeli autorët e tyre. Por pas shumë vitesh e ndërsa ka dalë në pension i moshuari Murat Ymaj, i duhej të përballej me një krim autori i së cilës ishte pikërisht djali i tij. Për krimin që kreu djali i tij 20-vjeçar, tashmë po e vuan e gjithë familja. Kush e ka radhën për të paguar gjakun e 18-vjeçarit Fatjon Kërnaja? Të gjithë pjesëtarët e familjes Ymaj ruhen. “Djali im pranoi se goditi me thikë 18-vjeçarin Fatjon Kërnaja. Ishte një ngjarje e cila ndodhi rastësisht. Ata nuk njiheshin me njëri-tjetrin e nuk kishin pasur konflikte më parë. Tashmë djali im po e vuan dënimin pasi ndodhet në burg. Por ne kemi marrë fjalë se jemi në gjak”,- shprehet Murat Ymaj rreth të 70-tave. Tre muajt e parë u ngujuan edhe familjet e vëllezërve të mi, por morën haber se të gjithë do të ishintë lirë veç burrave të shtëpisë sime. Pra unë e dy djemtë e mi bashkë me familjet e tyre” tregon më tej i moshuari. Ai shprehet se rrallë herë del nga banesa për të takuar djalin në burg apo për të shkuar te banesa e djalit të madh. “Unë për të vdekur kam e nuk kam frikë nëse do të marrin hak te unë. Kam frikë për djemtë e fëmijët e tyre të cilët nuk kanë shkuar as në shkollë e madje nuk kanë edhe të ardhura ekonomike”,- shton më tej Ymaj.

Tentativat për tu pajtuar?

Që ditën që ndodhi ngjarja, kur do të përcillej për në banesën e fundit 18-vjeçari, familja Ymaj dërgoi njerëz për të marrë pjesë në dhimbjen e tyre e për tu çuar ngushëllimet e familjes. Por një prej familjes Kërnaja, siç tregon Murat Ymaj, u shpreh se nuk kishin mendimin e gjithë familjes së viktimës ndaj dhe nuk mund të pranonin pajtim. Kështu ndërmjetësi u rikthye sërish në banesën e familjes Kërnaja disa muaj më pas por sërish e njëjta përgjigje, nga ana tjetër familja Ymaj ndodhej e ngujuar. “Familja Kërnaja nuk pranoi pajtim, e ndoshta ne do të tentojmë sërish” tregon Ymaj. “Nëse duan të marrin hak të paktën të synojnë autorin, dhe të lënë të lirë familjarët e tij”,- shton më tej Ymaj.

Të ngujuar përgjithmonë?

Murat Ymaj nuk di të thotë se për sa kohë do të qëndrojnë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Deri më sot ata nuk kanë marrë asnjë konfirmim nga familja e viktimës për të qenë të lirë, kështu që për të mos rrezikuar jetët e tyre, pjesëtarët e familjes Ymaj e kanë më të “lehtë” të qëndrojnë në banesë. Një jetë e mbyllur si në burg, pa shkollë, pa punë, pa gëzime, vetëm pak kilometra larg metropolit po përjeton një familje. Prej një viti ftesat e mbërritura në adresë së familjes Ymaj për të marrë pjesë në gëzimet e të afërmve të tyre, përcillen nga kryefamiljari vetëm me një falënderim e urim. Pjesëmarrja është e pamundur. “Nuk kemi marrë pjesë në asnjë gëzim apo edhe hidhërim që na ka ndodhur në fis gjatë këtij viti. Nuk duam të vëmë në siklet të afërmit ndaj dhe nuk kemi shkuar”,- thotë i moshuari. “Tashmë ky hall na ka rënë, e na duhet ta përballojmë” shton më tej ai. Ymaj tregon se me familjen Kërnaja pavarësisht se janë nga e njëjta zonë nuk kishin pasur lidhje miqësie apo njohje nga afër me të. Por ai shton se kishte respekt për këtë familje edhe tashmë që i ka zënë halli me të sërish nuk nguron të thotë se respektin e ka, por pikërisht prej dorës së tyre ruhet, se atij apo fëmijëve të tij mund t’i kushtojë jetën. Policia: Në periferi ka familje të ngujuara

Policia e Tiranës tregon se janëshumë familje të ngujuara në periferi. Vetëm në Babrru të kryeqytetit janë rreth 14 familje të cilat ngujohen nga frika e gjakmarrjes. Familja Ymaj është aktualisht më e rrezikuar. Ngjarja është e freskët ndodhi vetëm një vit më parë, e familja tregon se ka marrë fjalë për gjakmarrje. Kështu policia shpesh herë viziton këtë familje për tu siguruar nëse gjithçka shkon mirë. “Policia kontaktoi me familjen e viktimës e ata u shprehën se drejtësia të bëjë punën e saj, dhe ne tonën”,- thanë burimet policore. Sigurisht që nëse ngjarja e një viti më parë kur u vra Kërnaja do të pasojë me një ngjarje tjetër që do të prekë familjen e autorit, policia do të bëjë punën e saj. Do të zbulojë autorin e do të çojë atë në qeli. -----------------------------------------Grindja banale që solli vrasjen

Visar Ymaj ishte cilësuar si ushtari më shembullor i repartit dhe për këtë ishte dekoruar nga presidenti. Por vetëm një javë më pas, ai do të përfshihej në një grindje banale që do t’i kushtonte jetën kundërshtarit të tij, ndërsa vetë përfundoi në qeli. 20-vjeçari Ymaj kishte marrë leje vetëm për pak orë për tu larguar nga reparti ku kryente shërbimin ushtarak. Ndaj dhe ishte duke konsumuar pije alkoolike në një lokal pranë stacionit të trenit në Tiranë, me disa shokë të tij. Fare rastësisht takon kushërirën, gjë për të cilën bëhet xheloz 18-vjeçari Fatjon Kërnaja, i cili mbërriti pranë tyre më një motor. Fjalët fyese irrituan ushtarin, i cili goditi adoleshentin me një thikë duke e lënë të vdekur. Kjo ngjarje pasoi me arrestimin e ushtarit Visar Ymaj, e më pas me ngujimin e familjarëve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›