E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: PS të lirojë sheshin, ska leje për grevën

Autori i Lajmit: Redaksia

Policia u kërkon organizatorëve të grevës së Partisë Socialiste që të marrin masa për zhbllokimin e bulevardit dhe lënien e lirë të mjeteve të transportit.
Një ditë pas nisjes së protestës së opozitës, e cila është paralajmëruar se do të përshkallëzohet nga dita në ditë, Policia e Tiranës ka dalë me një komunikim zyrtar, ku i kërkon drejtuesve të PS-së, të respektojnë ligjin dhe të lirojnë sheshin, pasi nuk kanë marrë leje për ta zhvilluar këtë grevë.
Reagimi i policisë
Policia e Tiranës në një njoftim për shtyp ka deklaruar se tubimi i PS-së u zhvillua normalisht dhe Policia në bashkëpunim me organizatorët mori masa të plota për mbarëvajtjen e tubimit. Sipas Policisë, pas tubimit, një grup prej 30-40 personash kanë prishur rendin dhe qetësinë publike në kryqëzimin e rrugës së "Elbasanit" dhe në vazhdim edhe në Bulevardin "Zhan Dark" dhe "Bajram Curri", duke shkatërruar disa objekte të reklamave të qytetit." Forcat e policisë bënë të mundur shoqërimin e 23 prej tyre në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë dhe pas kryerjes së veprimeve të nevojshme procedurale ata u lanë të lirë", thuhet në njoftim. Ndërkaq, policia deklaron se nuk është njoftuar për grevën e PS-së. "Në të gjitha njoftimet që Partia Socialiste ka dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë nuk ka kërkuar mbështetjen e policisë për këtë përshkallëzim të protestës, me qëllim që Policia të marrë masat e saj në zbatim të ligjit. Sipas policisë edhe koncert festiv i PD-së u zhvillua pa incidente. Policia e Tiranës bën me dije se situata në qarkun e Tiranës është e qetë dhe Policia e Kryeqytetit, krahas masave për sigurimin e rendit dhe të qetësisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe te qetësisë në të gjithë territorin e qarkut.
Qëndrimi i PS-së
Kretët e Partisë Socialiste janë të vendosur ta vazhdojnë grevën deri në transparencën e plotë të zgjedhjeve. Madje, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe me protestën e nisur dy ditë më parë. Ata janë shprehur se nëse policia nuk i lejon të vazhdojnë protestën për shkak se nuk kanë marrë leje pranë Policisë së Tiranës, ashtu siç e parashikon ligji, atëherë ata do të bëjnë kërkesë çdo ditë për leje 24-orëshe.

Ky lajm është publikuar: 02/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›