E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritan Shehu: “Lidershipi i PS-së po pengon integrimin e vendit me protesta”

Autori i Lajmit: Lorena Killo

Gjatë një interviste të dhënë ekskluzivisht për gazetën “Ballkan”, deputeti demokrat Tritan Shehu komentoi lidhur me situatën politike në vend. “Vendi nuk është në krizë. Kriza politike është në PS. Ajo rrënjët e saj i ka brenda kësaj partie dhe veçanërisht te kryetari e saj, Edi Rama”, - u shpreh ai. Shehu, gjithashtu, u shpreh optimist për sa i përket integrimit të vendit në BE, duke komentuar se kjo tashmë është një ëndërr që po plotësohet, pavarësisht situatës politike. Sipas tij, Shqipëria shumë shpejt do të hyjë në hapësirën Shengen dhe do të jetë pjesë e BE-së. Duke qenë se Shehu është edhe një njeri akademik, profesor i shkencave mjekësore, ai ka komentuar edhe ndryshimet që po bëhen në sistemin e arsimit dhe kryesisht të sistemit master. Gjithashtu, ai shpjegoi dhe vështirësitë, që po has sistemi i shëndetësisë aktualisht, ku shprehu pikat kyçe që duhet të ndryshojë. Më gjatë ai ka sqaruar përgjatë kësaj interviste.

Zoti Shehu, një koment lidhur me situatën politike në vend?
Situata politike në vend në kuadrin institucional është normale, sepse institucionet realisht po kryejnë funksionet e tyre. Qeveria po realizon programet në fushën e reformave në vend dhe në atë të integrimit evropian. Shqipëria është një nga pak vendet me rritje ekonomike dhe në këtë periudhë të krizës botërore. Parlamenti, megjithëse opozita në atë merr pjesë në mënyrë të kufizuar dhe të çuditshme, funksionon normalisht, komisionet parlamentare po punojnë me kapacitet të plotë. Është miratuar një numër i madh ligjesh gjatë kësaj kohe. Po kështu dhe institucionet e tjera po kryejnë detyrat e tyre normalisht. Të gjitha këto kanë bërë të mundur që Shqipëria të bëjë hapa të mëdha përpara. Tashmë ne jemi një hap larg heqjes së vizave si dhe jemi shumë afër statusit të kandidatit të BE. Të gjitha këto të bëjnë të kuptosh që Shqipëria ka stabilitet të qëndrueshëm politik. Ajo që quhet krizë politike në Shqipëri ekziston vetëm në një pjesë të politikës shqiptare, ekziston brenda opozitës shqiptare. Kjo, fatkeqësisht, është e përfshirë në një vorbull kaotizmi me ide anarshiste e revolucionare të tipit “Çe Guevara”. Kjo është një gjendje me mungesë qartësie politike, e cila e ka futur PS në një taktikë e një luftë, e cila nuk është një luftë demokratike politike, por është një luftë e cila të sjell shumë mbrapa në kohë. Kjo krizë që ka përfshirë Partinë Socialiste vjen edhe për shkak të një lufte të brendshme të saj. Lidershipi i saj kërkon të hedhë përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve mbi shpatullat e 20000 komisionerëve të saj. Pa dyshim që unë nuk mund ta mohoj që një situatë e tillë kaotike dhe me një vizion jodemokratik në PS të mos krijojë efekte negative dhe jashtë kësaj partie, por sidoqoftë ky refleks është pasojë e një krize të brendshme të PS-së. Kështu zgjidhja e këtij problemi, e kësaj çështjeje duhet kërkuar brenda Partisë Socialiste dhe nuk mund të kërkohet jashtë saj. Kjo sepse zgjidhja nuk varet nga institucionet jashtë saj, por vetëm brenda PS. Pra unë mendoj që ky është një problem, që duhet të zgjidhet brenda opozitës. Mazhoranca ka ndihmuar dhe po ndihmon duke treguar gatishmërinë për të krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme, bile hapësira që tejkalojnë anën ligjore dhe formale. Psh, ajo ka pranuar çdo ofertë për Kodin Zgjedhor, për ndryshimet e tij, miratoi ngritjen e komisionit hetimor si e kërkoi PS etj. Në këtë situatë, unë mendoj që do të ishte e dobishme shtimi i presionit direkt mbi PS nga institucionet e ndryshme, shqiptare apo ndërkombëtare. Ka pasur presion, por duhet shtuar edhe më tej, sepse nuk mund të ndihmohet ndryshe një forcë politike për të dalë nga kjo situatë, nga ngërçi ku është futur, nga vorbulla që ka brenda saj.

Përplasjet në shesh. Opozita protestoi ju festuat?
Opozita zhvilloi një protestë e cila ishte paralajmëruar me kohë. Në realitet ajo ishte shumë e pafuqishme. Pjesëmarrja e vogël, konfuzion idesh. Dhe më tej u mbyll me një vendim absurd, grevë urie e deputetëve në rrugë. Për mua, ajo ishte një dështim e tashti kërkohet të përdoret greva si mjet për të ngritur moralin e militantëve. Së pari, më vjen keq me keqpërdorimin që po u bëhet deputeteve të PS nga udhëheqja e asaj partie gjatë gjithë kësaj periudhe. Bojkote, gjysmëbojkote, çadra, e tashti dhe greva e urisë. Protestat janë normale, sepse protestat organizohen në të gjithë vendet demokratike evropiane. Por tendenca që me këto protesta të tentohet të krijohet një destabilitet i vendit, kjo është e rrezikshme dhe kjo nuk përputhet me demokracinë. Është antidemokratike dhe godet vetë Partinë Socialiste. Unë mendoj që lidershipi i PS-së nuk duhet të guxojë të tentojë të trembë të tjerët me gogolin e protestës që vazhdon ta përdorë. Protesta ka një cak ligjor. Shqipëria është një shtet ligjor. Shqipëria është një vend që shumë shpejt do të anëtarësohet në BE, është anëtare e NATO-s. Pra unë mendoj që ajo forcë politike të kuptojë e të jetë koshiente e rregullave demokratike. Nuk mund te bllokohet bulevardi kryesor i vendit nga një greve urie. Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër dhe është e patolerueshme. Lidershipi i opozitës duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe mos bjerë pre e atyre që duhen të futin në aventura të rrezikshme. Realisht ai kërkon në këtë mënyrë të krijojë tensione artificiale në vend, të dëmtojë imazhin tonë për të penguar hapat e liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendit. Partia Demokratike nga ana e saj nuk protestoi, por festoi me rastin e 1 Majit nëpërmjet një koncerti për tu argëtuar në sheshin “Nënë Tereza”. Kështu u festua për ditën e punës dhe gjithë vlerave të njeriut.

Si e shikoni marrëdhënien e opozitës me Parlamentin? Një marrëdhënie e kushtëzuar?
Opozita ka treguar dhe këtu një qëndrim konfliktual. Ajo e njeh Parlamentin, sepse deputetët e saj erdhën bënë betimin. Por ajo vjen një orë dhe largohet. Unë mendoj që këtu kemi të bëjmë me një infalitet të mënyrës së të menduarit politik. Kemi të bëjmë me një mungesë dhe një strategji të vërtetë të një lufte politike që opozita po ndjek. Këtu kemi të bëjmë me një iracionalitet të plotë brenda lidershipit të opozitës. Këto veprime janë absurde.

Sa optimist jeni ju për liberalizimin e vizave brenda këtij viti?
Unë mendoj që jemi shumë afër heqjes së vizave, jemi shumë afër sepse realisht që nga viti 2005 Shqipëria ka hyrë në rrugën e ndryshimeve të mëdha. Ndryshime në nivelet e sigurisë së saj, të kufijve, në nivelet e dokumentacionit, pasaportat biometrike, lufta me krimin etj. Pra, unë mendoj që tashmë ne kemi realizuar kushtet tona dhe kjo do të bëhet realitet brenda këtij viti. Ajo që po ndodh sot në opozitën shqiptare është që ajo pikërisht kërkon të godasë proceset integruese të Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave. Kjo është një vepër cinike ndaj shqiptarëve. Më keq nuk mund të veprohet. Ky është dhe qëllimi i këtyre protestave, grevës së urisë që opozita bën sot në një kohë kur brenda pak ditëve do të merren vendime shumë të rëndësishme për të sotmen e të ardhmen e vendit e të shqiptarëve. Unë i akuzoj që me këto lloj mënyrash dhe me këto lloj organizime ata kërkojnë vetëm dëmtimin e imazhit të Shqipërisë. Shqiptarët duhet ta kuptojnë këtë gjë. Sidoqoftë, nuk do të kenë sukses.

Pse vazhdon të shtyhet mbledhja e Këshillit Kombëtar. Organizimin e PD-së duket sikur e keni lënë pak pas dore?
Mbledhja e Këshillit Kombëtar sipas statutit bëhet dy herë në vit dhe është kryetari i Partisë që e thërret ose 1/3 e anëtarëve. Unë besoj që brenda afatit kohor do të mblidhet dhe do të jemi brenda afateve statutore.

Si njeri që i takon edhe trupit akademik, jeni profesor, çfarë po bëhet me sistemin arsimor?
Ne, aktualisht, jemi në një reformë të rëndësishme në këtë drejtim, e cila ka filluar që në vitin 2005. Tashmë ajo ka dhënë frutet e saj të qarta. Kjo është përsëri një reformë në dinamizëm. Aktualisht, psh, së shpejti do të miratohet një ligj i arsimit të lartë, në Parlamentin shqiptar ku edhe do të shqyrtohet. Të gjitha këto, pa dyshim, synojnë në forcimin e nivelit të shkollave të larta shqiptare. Po kështu, kemi një program të plotë të qeverisë për dixhitalizimin e vendit dhe informatizimin e procedurave. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për një përgatitje të lartë për të nesërmen. Gjithashtu, këtë synojnë dhe ndryshimet që po bëhen në sistemin e studimeve master apo të doktoraturës. Të gjitha këto synojnë në forcimin e shkollës së lartë dhe të studimeve pasuniversitare te ne. Përmirësime të dukshme janë realizuar dhe në arsimin para universitar në këto vite, mjafton të përmendim Maturën Shtetërore etj.

A është e vërtetë që studentët e mjekësisë studiojnë me libra që kanë ekzistuar më parë në kohën e komunizmit?
Po, ka dhe libra të tillë, por shumica dërrmuese janë botime të reja dhe kryesisht nga vendet perëndimore. Unë nuk mendoj që këto pak tekste të vjetra kanë dëmtuar rëndë procesin mësimor. Kjo sepse defekti është kompensuar me leksionet e literaturën e rekomanduar. Sidoqoftë, unë dhe kolegët e mi, pedagogë në mjekësi, mendojmë që shumë shpejt do të kemi tekste të reja dhe në ato materie ku ato mungojnë. Megjithatë, për mendimin tim, më frutdhënëse do të ishte të kishim më shumë përkthime të teksteve perëndimore apo tekste origjinale të tilla. Tekstet tona, të hartuara nga ne, nuk duhet të kthehen në një rutinë apo zakon. Ato duhet të hartohen vetëm aty ku duhet dhe mundet. Do të më pëlqente gjithashtu që studentët të zhvillonin provimet me shkrim dhe me gojë. Në provimin me shkrim duhet të ketë një sasi të konsiderueshme pyetjesh me përgjigje po ose jo. Provimi me gojë duhet të zhvillohet në formë bashkëbisedimi dhe jo me teza të parapërgatitura. Kështu veprohet në shumë vende evropiane. Dhe eksperienca e universiteteve tona, që janë të lidhura me universitete nga ato vende, e përforcon këtë praktikë. Unë mendoj që kjo do të ishte më e duhura dhe që duhet ndryshuar.

Reforma në shëndetësi dhe lufta me korrupsionin

Reforma në shëndetësi ka filluar që në vitin 1992. Kjo është një reformë e madhe, e vështirë shumë komplekse, e cila ka ecur shumë ngadalë dhe me oshilacione në këto 17 vite. Unë kam folur dhe jam involvuar shumë në këtë proces tejet të rëndësishëm për vendin. Meqenëse më pyetët, do të ripërmend shumë shkurt disa kolona që unë i konsideroj esenciale për reformën në shëndetësi në vendin tonë:
Bërja e pajtueshme e sistemit tonë shëndetësor sot me realitetin tonë të ri, atë të ekonomisë së tregut.
Tregu është baza e zhvillimit, pra zgjerimi e forcimi i atij që mund të quhet “tregu i shëndetit”, ka rëndësi të dorës së parë.
Barazia midis publikut dhe privatit, perceptimi i të dyve si pjesë e sistemit tonë shëndetësor.
Autonomia e spitaleve, decentralizimi dhe kalimi i tyre drejt konceptit “spitali ndërmarrje”.
Avancimi i privatizimit duke realizuar privatizimin e kujdesit parësor në nivelin e mjekut të familjes e specialistit ambulator e lidhur kjo me futjen e plotë në skemën e sigurimeve
Zgjerimi i skemës së sigurimeve drejt spitaleve
Domosdoshmëria e objektivizimit të kostos së sistemit shëndetësor nëpërmjet përfshirjes së sistemit DRG.
Rritja e kontributeve direkte të popullsisë për sistemin e sigurimeve shëndetësore.
Të gjitha këto masa dhe shumë të tjera do të vinin sistemin shëndetësor në baza të tjera, do të krijonin konkurrencën, stimulonin iniciativën. Impakti i madh i tyre di të jetë përmirësimi i raportit cilësi/kosto. Në këtë logjikë do të minimizohet dhe korrupsioni, ai që shprehet në marrëdhëniet pacient-mjek. Unë mendoj se ndryshime në menaxhim dhe format e financimit do të sjellin përmirësime rrënjësore në sistem. Rritja e financimeve duhet të shkojë paralelisht me ndryshimet në menaxhim.
Ky lajm është publikuar: 02/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›