Policia: Paratë false, jo prodhim në Shqipëri
DURRES - Bashkëveprimi i policive rajonale në kuadër të Europol ka mbledhur në Durrës përfaqësues të lartë, të cilët zhvilluan një takim për të luftuar falsifikimin e parave. Në këtë takim, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj ka deklaruar se në vendin tonë ende nuk kemi raste të prodhimit të kartëmonedhave false. Monedhat e hedhura në treg nga grupet e ndryshme kriminale, sipas Kuliqit janë para të ardhura kryesisht nga vendet fqinje. Kartëmonedhat false të valutave euro dhe dollar kanë filluar që të hyjnë në tregun vendas që në vitin 2002 dhe deri në këtë periudhe është bllokuar një sasi prej 45 mijë eurosh nga policia, ndërkohë që sasia në dollarë fals ka qenë më e madhe. Sasia e parave të kapura në treg në të shumtën e rasteve është zbuluar përmes agjentëve të infiltruar në grupet kriminale. “Vlen për t’u theksuar se rastet e para të falsifikimit të monedhave kanë qenë sporadike, por që gradualisht, personat e implikuar në këtë veprimtari janë organizuar në grupe dhe kanë bërë të mundur gjetjen e sasive më të mëdha dhe vënien e tyre në qarkullim”, pohoi Kuliçaj. “Kryesisht monedhat e falsifikuara kanë ardhur nga vendet fqinje dhe konstatohet një tendencë e rritjes së fluksit të përdorimit të tyre në sezonet e verës dhe të krishtlindjeve që shpjegon futjen e tyre nga emigrantët dhe nga grupet kriminale që shfrytëzojnë këto situata”. o.u