Miting historik në shesh, Berisha: Plehërat e Bllokut në koshin e historisë
ADI SHKEMBI
Dhjetëra-mijëra qyt-etarë përkujtojnë në sheshin “Skënderbej” 8 dhjetorin, ditën kur 19 vjet më parë nisi lëvizja studentore kundër regj-imit komunist. Flamuj të Partisë Demokratike, të SHBA-së dhe BE-së, fishekzjarrë, këngëtarë shqiptarë dhe të huaj ishin pjesë e dekorit të kësaj feste, e paralajmëruar prej disa javësh. Mitingun e hapi deputetja e PD-së, Mesila Doda, si përfaqësuese e lëvizjes studentore, Dritan Prifti si përfaqësues i LSI-së dhe një vajzë 19-vjeçare, e lindur pikërisht në 8 dhjetor 1990. Kryeministri Berisha është ngjitur në podium vetëm 5 minuta pas nisjes së mitingut, ku ka kujtuar 8 dhjetorin si ditëlindjen e lirive dhe të drejtave të mohuara. Para qytetarëve në shesh, kreu i ekzekutivit vlerësoi figurën e Azem Hajdarit si studentin që në 1990 së bashku me bashkëmoshatarët e tij shembi murin e Berlinit në Shqipëri. “Nder përjetë Azem Hajdarit, studentëve dhe studenteve liberatorë, engjëjve të demokracisë, djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që shembën 19 vite më parë murin e Berlinit në Tiranë, shpartalluan bllokun bunker dhe sollën lirinë për shqiptarët. Për ne rinia dhe liria janë dhe do të jenë përjetë një dhe të pandarë. Azem ti je gjallë!”, u shpreh Berisha. Nën ritmet e këngës “Final countdoën” (numërimi i fundit mbrapsht), kreu i qeverisë tha se: “Sot ne jemi të lirë, më të lirë se kurrë në ekzistencën tonë. Sot ne jemi më shumë se asnjëherë më parë. Hedhurina e të shkuarës, të bllokmenëve të rinj s’do mund të ndalin kurrë vrapin tonë drejt të ardhmes që meritojmë. Thirrja jonë vëllazërore në sheshin “Skënderbej” për çdo shqiptar është, eja me ne të vrapojmë drejt të ardhmes që meritojmë”. Sipas tij, nga sheshi “Skënderbej” marrin një përgjigje edhe pjesëtarët e mafies, për të cilët theksoi se ligji do të zbatohet me të gjithë rreptësinë e tij. “Ndaj dhe nga ky shesh së bashku me ju le të ftojmë çdo shqiptar të bashkohet me ne, të bashkohet me uraganin tonë të integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë. Ndaj dhe sot unë ftoj shqiptarët të bashkohen me ne për një Shqipëri pa viza, për një Shqipëri në Evropë, sikundër në emër tuaj më lejoni që me plehrat e Bllokut të djeshëm, me kockat e mafies do të tentojnë të na pengojnë, se garancia jonë e plotë dhe totale është mafies do t’i tregojmë ligjin me të gjithë rreptësinë e tij, kurse plehrave të Bllokut në koshin e historisë që meritojnë. ”, theksoi kryeministri. “Jemi bashkuar sot në këtë shesh, me shumë se kurrë në historinë e tij; jemi sot këtu për të nderuar veprën tuaj të madhe, lirinë e fituar më 8 dhjetor. Jemi sot këtu për t’u zotuar se lirinë do të kemi më të çmuarën; se ne së bashku me lirinë dhe vlerat e saj, do të ndërtojmë Shqipërinë e idealeve të dhjetorit, Shqipërinë e vlerave të mëdha, Shqipërinë e burrave dhe grave, të rinjve dinjitozë, Shqipërinë e familjes shqiptare, Shqipërinë evropiane. Ndaj dhe së bashku le ta shpallim nga ky shesh, 8 dhjetorin festën tonë kombëtare”, përfundoi fjalimin kreu i qeverisë. Më pas, në shesh kanë performuar grupi “Elita 5”, Elvana Gjata, Çiljeta Xhilaga, por edhe finlandezët e “Sunrise Avenue”.
Prifti: Koalicioni PD-LSI, garanci për Evropën
Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti ishte dje i pranishëm në mitingun e organizuar me rastin e 8 dhjetorit. “8 dhjetori një ditë e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe gjithë Shqipërinë, pas festës së pavarësisë, pas festës së çlirimit, kjo është festa më e madhe e Shqipërisë sonë demokratike, festa e pluralizmit, pa këtë festë nuk do të kishim sot Shqipërinë në NATO, Shqipërinë në të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare të zhvillimit, pa këtë festë nuk do të kishim zhvillimin e jashtëzakonshëm që ka marrë Shqipëria në këto 19 vjet”, tha Prifti. Sipas tij “19 vjet, pas 8 dhjetorit të vitit 1990, demokratët dhe socialistët janë të bashkuar sot në këtë shesh, por edhe në qeverinë e koalicionin e integrimit evropian të Shqipërisë, për ta çuar vendin më përpara”.
Mesila Doda
Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh ish-studente e dhjetorit 1990, Mesila Doda tha se: “19 vjet më parë ishim ne që vumë në themel këtë kauzë të Shqipërisë Evropiane, shpirtin tonë, ishim ne që vumë zemrën tonë, në themelin e krijimit të forcës tonë, Partisë Demokratike”. “E deshëm Shqipërinë si gjithë Evropa, luftuam për të, punuam për të, ëndërruam, e humbëm, e rigjetëm dhe sot themi me plotë gojën jemi krenarë që jemi brez i ri i viteve ’90, ishim, jemi, dhe do të mbetemi ata që sollën demokracinë në këtë vend. Përballë ish-ministrave komunistë, përballë bijve të komunistëve, sot ne themi Shqipëria nuk ka më frikë nga mafiozët e kuq, Shqipëria i përket demokracisë”, u shpreh Doda.
Rituali fetar
I vetmi detaj që duket se u ka shpëtuar organizatorëve të mitingut të djeshëm ishte përplasja e orarit, kur do të fliste kryeministri dhe hoxha në xhaminë në sheshin “Skënderbej”. Në orën 16.22 kur kreu i qeverisë po mbante fjalimin para qytetarëve paralelisht me të, nisi t’u flasë besimtarëve myslimanëve edhe hoxha, çka për pak çaste shkaktoi një përplasje zërash.