Kufiri, 7 orë debat në Gjykatë
Aristir Lumezi
Pas një seance maratonë që ka zgjatur rreth 7 orë, ka përfunduar shqyrtimi i ankimimit të Partisë Socialiste për marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë në Gjykatën Kushtetuese. Pas debatesh e argumentesh nga të dyja palët, Gjykata Kushtetuese mbylli këtë seancë të parë që i kushtohet dëgjimit të palëve, ndërsa nuk është bërë publike asnjë datë se kur gjykata do të shprehet për këtë marrëveshje. Partia Socialiste kërkoi që pakti i ujërave me Greqinë të kthehet për rinegocim, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e ekspertëve të huaj për këtë çështje. Ndërkohë, porsa kohë që ende nuk ka një vendim përfundimtar janë pezulluar të gjithë procedurat e ratifikimit për marrëveshjen e kufijve detarë me shtetin fqinj.
Seanca
Socialistët, përfaqësoheshin dje nga dy deputetët e saj Sajmir Tahiri dhe Damian Gjiknuri, si dhe koloneli në pension Myslym Pashaj, ish-drejtor i Institutit të Hartografisë. Në kërkesën e tyre, socialistët kërkuan antikushtetueshmërinë e marrëveshjes “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare” mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një nga pikat më të nxehta të kërkesës së socialistëve është roli i presidentit në të dhe mungesa e transparencës. Sajmir Tahiri tha dje në seancë se si në çdo marrëveshje të këtij lloji bazuar dhe në Traktatin për marrëveshje mes dy vendeve, nuk është marrë plotfuqia e presidentit. Sipas tij, mosdhënia e këtij atributi nga ana e presidentit grupit negociator, është një shkelje e rëndë që e bën nul marrëveshjen. Sipas socialistëve, grupi që ka negociuar marrëveshjen e kufirit ka vepruar vetëm përmes një urdhri të lëshuar nga kryeministri Berisha dhe jo nga kreu i shtetit. Por përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme, Ledia Hysi e hodhi poshtë këtë pretendim të socialistëve. Sipas saj, “Traktati i Vjenës nuk pengon negocimin mes dy vendeve që kanë marrëdhënie fqinjësie shumë të mira, pa pasur nevojën e Plotfuqisë. Nuk na u kërkua një gjë e tillë, as nga pala greke. Ne jemi marrë vesh përmes notave verbale me Greqinë”. Gjithashtu, socialistët kanë cilësuar një mungesë të theksuar transparence mungesën e hartave që shoqërojnë atë. “Më jepni një marrëveshje të njëjtë në historinë botërore të përcaktimit të kufijve mes shteteve, që është paraqitur pa hartat përkatëse”? pyeti Gjiknuri në mbrojtjen e kërkesës së PS-së. Sipas tij, nëse do ti referohemi marrëveshjes së kufirit detar mes Italisë dhe Greqisë, ajo është shoqëruar me hartën respektive. Por përfaqësuesi i Kuvendit, Lulëzim Lelçaj e kundërshtoi Gjiknurin në argumentin e tij, duke thënë se kërkesa e hartës është çështje teknike dhe nuk ka të bëjë me kushtetutshmërinë e marrëveshjes. Deputeti socialist Sajmir Tahiri, në fjalën e tij argumentoi se mes dy vendeve ka pasur përcaktim kufitar, i cili me marrëveshjen e re i është dhënë më shumë hapësirë ujore Greqisë. Sipas tij, një argument i fortë i saj është marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë për pastrimin e Kanalit të Korfuzit në 1958 nga minat e Luftës së Dytë Botërore por dhe ruajtja e luftanijeve greke të territorit shqiptar në 1997 sipas një marrëveshjeje.
pjesë nga Dialogu në Gjykatën Kushtetuese
Vladimir Kristo, kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Ka një kapërcim me legjitimitetin e kërkesës tuaj drejtuar Gjykatës Kushtetuese?
Sajmir Tahiri, PS: Partia Socialiste ka arritur të argumentojë përtej çdo dyshimi, se interesi i saj i shprehur në statut dhe program është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me çështjen objekt shqyrtimi. Gjithashtu roli dhe veprimtaria e saj ligjore dhe politike, e cila bazohet tërësisht në këto dokumente themelore lidhen domosdoshmërish me parimet themelore të përfshira në marrëveshjen objekt shqyrtimi. Vetë Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar legjitimimin e kërkuesit parashikuar në nenin 134/2 nëse përmbushet kushti për lidhjen që duhet ët ekzistojë ndërmjet interesit të shprehur në statutin dhe çështjen në shqyrtim. Në këtë rast PS gëzon legjitimitet të plotë të verë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
Vladimir Kristo, kryetar i Gjykatës Kushtetuese: Ju e kundërshtoni me terma politikë apo juridikë marrëveshjen?
Sajmir Tahiri, PS: Argumentet që kemi parashtruar janë kushtetuese, ligjore dhe teknike, të gjitha të lidhura ngushtë me parimet themelore kushtetuese të implikua nga marrëveshja objekt shqyrtimi.
Kujtim Puto, anëtar i Gjykatës Kushtetuese: A duhet të zbatohet ndonjë parim tjetër sa i takon gjirit të Sarandës?
Damian Gjiknuri, PS: Kemi konkluduar se pala shqiptare në negocimin e kësaj marrëveshjeje nuk ka përdorur precedentët e ngjashëm për t’iu referuar në negocimin e saj, siç është marrëveshja mes Italisë dhe Greqisë për kufirin detar.
Vitore Tusha, anëtare e Gjykatës Kushtetuese: Ju mendoni se s’duhet të kishte marrëveshje apo duhet të ndiqeshin parimet e konventës së Detit?
Sajmir Tahiri, PS: Ne kemi kërkuar shfrytëzimin maksimal të përvojave më të mira në negocimin e marrëveshjes ujore me Greqinë dhe mbi bazën e Konventës së Detit. Nga faktet që u parashtruan del që ka pasur vazhdimisht një përcaktim të kufijve me Greqinë, të cilat palët ia njihnin dhe respektonin njëri-tjetrit, pasi qeveria pretendon se nuk ka pasur asnjëherë marrëveshje kufijsh.
Kujtim Puto, anëtar i Gjykatës Kushtetuese: Mungesa e deputetëve në Kuvend ka nxitur Partinë Socialiste që t’i drejtohet ajo si subjekt Gjykatës Kushtetuese?
Damian Gjiknuri, PS: Përfaqësimi parlamentar nuk është kusht që shteron gjithë instrumentet ligjorë në dispozicion të partive politike. Po të pranonim këtë, do mohonim vetë motivin e ekzistencës së partive politike, që për një motiv apo një tjetër nuk arrijnë dot përfaqësimin parlamentar. Vetë gjykata evropiane për të drejtat e njeriut ka pranuar rolin themelor, që luajnë partitë politike si mbartëse të interesave sovrane të popullit.
Pashaj: Shqipëria ka humbur
Koloneli në pension, Myslym Pashaj argumentoi se përmes kësaj marrëveshje Shqipëria humb disa qindra kilometra katrorë sipërfaqe ujore dhe shelf kontinental. sipas tij, kjo marrëveshje përcakton se në 1 metër vijë bregdetare Shqipëria fiton 10.2 km2 sipërfaqe nënujore ndërsa Greqia 17.9 km2 sipërfaqe nënujore. Debati është përqendruar në statusin e ishullit Baketa dhe Othonos që sipas Pashaj grupi negociatori dhe marrëveshja i ka përcaktuar si pjesë kontinentale duke i llogaritur atyre dhe shelf kontinental. Pasha ka paraqitur disa harta dhe përllogaritje të tij të bëra dhe në terren ku konkludon se marrëveshja është bërë në disfavor të shtetit shqiptar.