PS, anëtare e socialistëve evropianë
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste e Shqipërisë zgjidhet anëtare e Partive Evropiane Socialiste. Në ditën e dytë të punimeve të Kongresit PSE-së, përveç këtij pranimi, është marrë vendimi tjetër që kryesocialisti Edi Rama të anëtarësohet në presidencën e PSE-së. Kreu i këtij organizmi të lartë, Martin Shultz tha se “Kongresi i Partive Socialiste Evropiane asocioi PSSH-në në familjen evropiane socialiste. Ky është një sukses i madh për të gjithë ne. Është mbi të gjitha një sukses për ju dhe për Shqipërinë pasi është një hap më tej i juaji drejt Evropës”. “Ne, socialistët evropianë besojmë se Partia Socialiste e Shqipërisë është një anëtar i ri i fortë dhe i rëndësishëm për familjen tonë. Ka shumë gjëra që duhen bërë në vitet që do të vijnë. Na duhet të përmirësojmë më tej jetën e qytetarëve tanë në të gjithë Evropën, e sidomos në vendin tuaj. Ajo për të cilën ne kemi nevojë është demokracia, drejtësia sociale dhe respekti për shtetin ligjor, parime këto të rëndësishme sidomos për Shqipërinë në këto momente”, theksoi Shultz. Vetë kreu i PS-së, Edi Rama deklaroi për mediat se “ky është një moment historik për Partinë Socialiste, është moment historik për gjithë socialistët dhe progresistët shqiptarë, sepse ne sot jemi anëtarë me të drejtë vote të Partisë Socialiste Evropiane. Pra, PSSH është integruar në BE, duke u bërë pjesë e PSE, me të drejtë vote, me përfaqësi në Kongresin dhe Presidencën e saj”. Lider i socialistëve, Rama pretendon se ka marrë mbështetjen e duhur në lidhje më kërkesat e opozitës shqiptare për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “PSE është shprehur qartë në mbështetje të PSSH, në mbështetje të kërkesave tona legjitime, për të bërë transparencën e plotë të procesit elektoral të 28 qershorit, në mbështetje të një hetimi të thellë dhe të plotë parlamentar, duke filluar nga transparenca e kutive të votimit”, theksoi Rama. Sipas tij, është shumë e rëndësishme sot, që socialistët dhe progresistët shqiptar kanë marrë këtë mbështetje dhe duke filluar nga sot është pjesë e kësaj Partie Socialiste të Evropianëve në gjithë hapësirën e BE. “Po ashtu, unë jam shumë krenar, sepse sot ne kemi marrë edhe një mbështetje të plotë edhe nga PSE, për qëndrimin tonë lidhur me domosdoshmërinë që procesi i liberalizimit të vizave të përshpejtohet në nivelin e BE dhe që Shqipëria e shqiptarët të mos paguajnë asnjë kosto për një proces politik të mbërthyer nga një ngërç i madh, që është marrë peng nga pushteti i Sali Berishës, por përkundrazi të lëvizin lirisht një orë e më parë si gjithë të tjerët në Ballkan, kur për fat të keq ne kemi mbetur të fundit”, deklaroi Rama. Në kongresin e PSE-së të Pragës përveç PS-së morën pjesë edhe drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Zëdhënësja e PSE: Nuk ka pasur rezolutë për zhvillimet në Shqipëri
Zëdhënësja e Partisë Evropiane Socialiste, Silke Tomson, e kontaktuar nga mediat shqiptare deklaroi se “Kongresi i PSE nuk ka miratuar asnjë rezolutë për Shqipërinë”. Një ditë më parë Partia Socialiste e Shqipërisë shpërndau një deklaratë për mediat, sipas së cilës: “Në Kongresin e Partive Socialiste Evropiane që po zhvillohet në Pragë, u mbajt një takim i posaçëm për çështjet e Ballkanit ku u propozua një qëndrim i PES mbi zhvillimet politike në Shqipëri”. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili pas reagimit të zëdhënëses së PSE-së, ka reaguar duke e cilësuar si një skandal dhe mashtrim të kreut të PS-së, Edi Rama. “Jemi për të denoncuar skandalin dhe mashtrimin e radhës, tashmë në modë në politikën e Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste, lidhur me gjoja një rezolutë të miratuar në kongresin e fundit të PSE-së. Sigurisht të gjendur në vështirësi të mëdha për arsye të një bojkoti vetëvrasës, Edi Rama ka arritur në marrëzinë e tij politike që të shpik edhe veprime që nuk kanë ndodhur kurrë, edhe rezoluta që nuk kanë ekzistuar kurrë. Është e qartë që Edi Rama ka demonstruar sjelljen më të papërgjegjshme dhe më skandaloze, duke ju referuar dhe mashtrimeve të mëdha publike të karakterit të lartë politik”, theksoi Vasili. Sipas tij, jo vetëm që nuk ka pasur një rezolutë, por përkundrazi delegacionit të drejtuar nga Edi Rama i është bërë thirrje e qartë publike që t’i japë fund bojkotit, të shkojë sa më parë në Parlament, debati parlamentar dhe çdo veprim tjetër i karakterit politik të kryhet në sallën e Parlamentit. “Sigurisht është goxha më i turpshëm se skandali i pardjeshëm, ku në konferencën e punës me përfaqësuesit më të lartë të PSE-së, zoti Rama u ngrit dhe doli jashtë në momentin kur zoti Meta po mbante fjalën e tij, pasi zoti Rama kish mbajtur fjalën e tij, duke treguar qartë, atë që unë e kam thënë dhe herë të tjera, një sistem sjelljesh të pagdhendura, që s’kanë të bëjnë fare me sjelljet evropiane, por dhe demonstrimet e një njeriu që është në një krizë të madhe edhe psikologjike, por edhe politike pa rrugëdalje”, tha Vasili.