E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërveni: Refuzuam ofertën për të lënë det në Korfuz

 

Aristir Lumezi

Zv.shefi i Ushtrisë dhe zv.admiral i flotës shqiptare Kristaq Gërveni hodhi poshtë dje pretendimet e socialistëve për kufirin detar. Duke mbrojtur punën e grupit negociatori, Gërveni solli dhe detaje nga negociatat e bëra me palën greke. sipas tij, pala shqiptare nuk pranoi ofertën greke për ti lënë më shumë hapësirë në kanalin e Korfuzit në shkëmbim të hapësirës në det të hapur. Madje metodologjia e përdorur për të bërë përcaktimin e vijës së kufirit është bërë përmes një debati me relatorin e çështjes, Xhezair Zaganjori kërkoi sqarime pse është zgjedhur parimi i baraslargësisë në përcaktimin e vijës së kufirit dhe jo të barazisë strikte siç është përdorur në marrëveshje të ngjashme. Gërveni tha se “pala shqiptare zgjodhi parimin e baraslargësisë në përcaktimin e vijës kufitare si më të përshtatshëm për ne. “Pala greke na kërkoi ti linim më shumë hapësirë detare për shkak të përdorimit më të shumtë të kanalit të Korfuzit. Grekët kanë një fluks shumë të madh anijesh në këtë kanal dhe për këtë u duhej më shumë hapësirë për të shmangur çdo incident detar në këtë kanal. Madje ata na ofruan edhe kompensim në det të hapur nëse do të pranonim këtë kusht, i cili do të realizohej përmes përdorimit të parimit të barazisë strikte në përcaktimin e kufirit”, u shpreh zv.admirali. anëtari tjetër i gjykatës, Sokol Berberi pyeti se çfarë kompensimi mori pala shqiptare nga kjo ofertë? “Ne nuk e morëm parasysh këtë propozim, e kundërshtuam përmes parimit të baraslargësisë dhe mendoj se kemi dalë më të përfituar për shkak se kufirin e kemi të vendosur në mënyrë të barabartë mes dy vendeve”, ishte përgjigja e zv.admiralit. 
Kristaq Gërveni tregoi dje dhe vështirësitë që ka pasur në negocimet me palën greke dhe për vijën bazë të detit. “I kërkuam Greqisë vijën bazë të detit të tyre. ata nuk na e dhanë dhe kjo ka bërë që të shtyhen negociatat për pesë muaj. Ne fund ata na i dhanë vijën bazë mbi të cilën do të niste dhe përcaktimi i vijës së kufirit. Vija bazë që ata paraqitën na interesonte dhe palës sonë”, u shpreh Gërveni. Duke iu përgjigjur pretendimit të PS-së për mungesën e hartave, zv.admirali u shpreh se në fund të marrëveshjes kërkohen vetëm koordinatat e saj dhe në kohën digjitale hartat nuk janë shumë të praktike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›