E Diel, 1 Nëntor 2026

Eduard Selami: Në demokraci ka vend për pozitën e opozitën

 

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami tha dje në një intervistë për “Zëri i Amerikës” se në demokraci ka vend si për opozitën dhe pozitën. Duke komentuar debatin e fundit politik në Shqipëri, ai solli një shprehje të Abraham Linkoln, ish-president i SHBA-së, sipas të cilit për të mbajtur një shtëpi ka nevojë për të dyja anët. “Shteti ligjor pa diskutim ka nevojë për zbatimin e ligjeve. Kur acarohet politika dhe jeta politike në Shqipëri kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë minimizon dhe arritjet e demokracisë. Është për të theksuar që në demokraci ka vend për pozitën dhe opozitën. Është si një shtëpi e përbashkët që siç ka thënë edhe Linkoln, nuk mund të qëndrojnë nëse është e përçarë dhe nuk mbahet nga të dyja anët. Në këtë aspekt mendoj që klasa politike shqiptare do të mbajë parasysh pikërisht për këtë gjë, që ka nevojë për të dyja palët dhe bashkëpunim të vazhdueshëm”, u shpreh Selami. Sipas tij: “Mungesa e normave të etikës, jo vetëm që lë një shije të keqe, por është në të njëjtën kohë një mungesë respekti për institucionet dhe mungesë fokusimi për problemet reale që kanë njerëzit. Ata janë atje, rrugën konkrete do ta gjejnë, por pa një dialog, pa një bashkëpunim, pa një respekt reciprok mes forcave politike nuk mund të ketë një përparim të qëndrueshëm, i cili u takon të gjithë shqiptarëve”. Selami i bëri thirrje forcave politike të gjejnë gjuhën e përbashkët, si interes i të gjithë qytetarëve. “Klasa politike shqiptare e ka pjekurinë e duhur, edhe në momentet që duken më të errëta dhe më konfrontuese, mendoj që do gjendet gjuha e përbashkët sepse ky është interesi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve”, theksoi ish-kryetari i PD-së. Më tej, i pyetur për 8 dhjetorin, që konsiderohet si dita e rrëzimit të regjimit komunist, Eduard Selami është shprehur se ajo është dita më e rëndësishme për Shqipërinë. “8 dhjetori është një nga momentet më emocionuese të mijat, por edhe më progresive të Shqipërisë, jo vetëm sepse ra diktatura komuniste, por sepse u kalua drejt prirjeve perëndimore. Kjo ngjarje me të drejtë do të mbahet mend si ngjarja më e rëndësishme e Shqipërisë”, ka shtuar Selami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›