E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Përfundon transportimi i kutive

TIRANË- Strukturat e Policisë së Shtetit në Qarqet Berat, Dibër, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, në zbatim të detyrave institucionale në funksion të sigurimit të rendit e të qetësisë publike gjatë procesit të përsëritjes së zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore që u zhvillua ditën e sotme, me mbylljen e procesit të votimit morën masa dhe u angazhuan për përmbushjen me sukses të fazës tjetër të rëndësishme të detyrave që i ngarkon ligji në kuadër të këtij procesi, që është shoqërimi i kutive të votimit me materialet zgjedhore nga Qendrat e Votimit në Vendet e Numërimit të Votave.

Zyra e shtypit e Policisë së Shtetit bëri të ditur se ky proces ka filluar pas orës 19.00 dhe ka vazhduar normalisht pa pasur asnjë incident. Deri në këto momente nga punonjësit e policisë janë shoqëruar dhe dorëzuar në Vendet e Numërimit të Votave të gjitha materialet zgjedhore të Qendrave të Votimit, ku u realizua procesi i përsëritjes së zgjedhjeve gjatë ditës së sotme, përkatësisht në 9 komuna.

Po ashtu u shoqëruan dhe materialet e Qendrave të Votimit të Komunës Shalë, ku me vendim të komisionit përkatës u anulua votimi që ishte parashikuar për t’u zhvilluar sot. Në të gjithë vendin nga punonjësit e Policisë së Shtetit, me përfundimin e procesit të votimit, është kryer shoqërimi i materialeve zgjedhore drejt Vendeve të Numërimit të Votave.

Aktualisht nga strukturat e Policisë së Shtetit në Qarqet Berat, Dibër, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë janë marrë masa për ruajtjen e ambienteve të Vendit të Numërimit të Votave, të cilat janë marrë në ruajtje nga ora 19.00 e ditës së sotme.

Gjatë gjithë ditës së sotme Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht si në drejtim të ruajtjes së objekteve zgjedhore deri në çeljen e votimit, ashtu dhe në drejtim të garantimit të rendit dhe të qetësisë publike gjatë ditës së votimit.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›