Policia, Ramës: Zhbllokoni bulevardin, rëndon trafikun
Policia e Tiranës ka vazhduar të kërkojë edhe dje, në ditën e 4-t të grevës së opozitës, lirimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Në një letër drejtuar kreut të bashkisë, Edi Rama, policia deklaron se bllokimi i bulevardit ka rënduar trafikun në 13 akse të kryeqytetit. “Nga një vëzhgim i trafikut, i bërë në datën 03.05.2010, nga ora 07:30 deri në orën 10:00, me gjithë punën e bërë për menaxhimin e trafikut nga shërbimet e policisë rrugore, konstatohet se, si rezultat i ndryshimit të regjimit të lëvizjes së mjeteve në qytetin e Tiranës dhe bllokimit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, u përkeqësua ndjeshëm situata e trafikut në 13 segmente rrugore”, citohet në letër. Në letër theksohet se policia vazhdon të kërkojë ndërhyrjen e kreut të bashkisë, për të zhbllokuar situatën e rënduar. “Vazhdojmë të shprehim shqetësimin tonë në lidhje me situatën e krijuar dhe rikërkojmë edhe njëherë ndërhyrjen tuaj, me autoritetin e kryetarit të bashkisë, për zhbllokimin e bulevardit dhe krijimin e normalitetit në qarkullimin e automjeteve”, thuhet në letrën e policisë.
#