Meta: Keqardhje për grevën. PS ti rikthehet dialogut
Panorama e vështirë politike e krijuar nga protesta socialiste para Kryeministrisë është plotësuar së fundmi edhe me daljet publike të aktorëve kryesorë në qeverisje, si numri dy i saj, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai ka shfrytëzuar Konventën e Lëvizjes Rinore për Integrim për të dhënë mesazhet e veta politike edhe në drejtim të situatës së krijuar nga greva e urisë së opozitës. Meta e ka kanalizuar qëndrimin e vet në raport me imazhin që krijon ky aksion i PS-së dhe sidomos kostot e mundshme të saj në procesin e integrimit. “është koha që secili të tregojë me vepra se punon për integrimin europian të vendit. është koha që të gjithë të përfshihen në aksionin tonë më të rëndësishëm, që është në interes kombëtar, pikërisht heqja e vizave, marrja e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE”, tha Meta. Kreu i LSI-së tha se “të gjitha forcat politike në vend duhet të angazhohen në Parlament dhe në mënyrë pozitive, si kusht që çdo forcë të përmbushë detyrat e veta ndaj vendit”. Meta shprehu keqardhjen e thellë për grevën e urisë që po zhvillohet nga kolegët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Por, kjo nuk më ndalon dot mua që t’i ftoj edhe njëherë që të jenë bashkëpunues e të afrohen në dialog me mazhorancën dhe qeverinë për të realizuar pretendimet e tyre. Mes tyre dhe qytetarëve është bërë një kontratë e votuar nga Parlamenti, që është Kushtetuta. është e rëndësishme të respektohet Kushtetuta, pavarësia e gjykatave dhe komuniteti ndërkombëtar. është e papranueshme që një politikan të thotë që lirinë tonë nuk e çojmë në Gjykatë Kushtetuese”, këmbënguli Meta. Duke vlerësuar rolin e rinisë në gjallërimin e jetës politike në vend, kreu i LSI-së nuk ka lënë pa përmendur me sens kritik modelin e Edi Ramës në këtë penetrim nga jashtë në politikë. “Jeni ju që nuk duhet të lejoni që LSI të marrë viruset e forcave të tjera politike kur vijnë në pushtet”, u shpreh Meta, duke apeluar për “higjienë” politike dhe shmangie të katapultimit. Precedenti i krijuar nga kreu aktual i PS-së, i cili doli në krye të selisë rozë nëpërmjet një prezantimi nga shoqëria civile, përbën me sa duket një model që po e bën klasën politike të reflektojë. Për sa i përket reflektimit politik të Metës për grevën e urisë, duhet thënë se ai ka përcjellë një mesazh të njohur e të përsëritur kohët e fundit nga përfaqësues të shumicës në pushtet. “Kanë të drejtë të zgjedhin edhe këtë formë ekstreme të sakrificës për pretendime që ata kanë. Por kjo nuk më ndalon mua që të kujtoj se me të gjithë shqiptarët është bërë një kontratë e përbashkët që është Kushtetuta e Shqipërisë, e cila është votuar edhe nga shqiptarët”, deklaroi ministri i Jashtëm i Shqipërisë.
#