E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballkani duhet të kryejë detyrat e shtëpisë për të qenë pjesë e BE-së

Prishtinë, 3 prill - Në prag të ditës së Europës, sot në Prishtinë u mbajt një debat, ku u diskutua për Traktatin e Lisbonës. Në këtë debat u tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i kryejnë detyrat e shtëpisë, nëse duan të hyjnë në gjirin e Bashkimit Europian. 
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian në Prishtinë, Renzo Daviddi, i cili foli për Traktatin e Lisbonës, tha se me zgjerimin e Bashkimit Europian dhe me mundësinë për të pasur anëtarë të rinj në BE, rregullat janë forcuar deri në maksimum, kështu që duhet të zhvillohet një mekanizëm i ri, tha ai. 
“Traktati i Lisbonës është një dokument kompleks, sepse mundohet të përmbledhë një numër të traktateve që nga vitet ‘50. Pse kishim nevojë për një traktat të ri të Lisbonës? Kemi dëgjuar mjaft kritika se si funksiononte Bashkimi Europian. 
Por, mendoj se, një prej gjërave që është futur në Traktatin e Lisbonës, është për t’u dhënë më shumë zë qytetarëve”, ka thënë Davidi, raporton RTK. 
Ndërkaq, publicisti Beqë Cufaj u tregua skeptik për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian. Të gjitha krizat, duke filluar nga Greqia, e bëjnë skeptik publicistin Cufaj, që Ballkani Perëndimor do të futet në gjirin e BE-së, për arsye që, siç tha ai, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zgjidhin problemet që kanë mes vetes dhe brenda vetes. 
“Për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, sidomos për marrëdhëniet që kemi ne në këtë trekëndëshin Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, marrëveshja e Lisbonës është jo aq shpresëdhënëse për të pasur lëvizje të shpejta, sidomos për Bosnjën dhe Kosovën.
Politika e jashtme e BE-së, pas marrëveshjes së Lisbonës, për Bosnjën do të mund të jetë më efektive, ndërsa kur jemi te Kosova, kemi problemin esencial që Kosova nuk është e njohur nga të gjitha shtetet e BE-së dhe kjo vetvetiu paraqet një problem.
Ne dëgjojmë zëra në Kosovë që deri në vitin 2020 nuk do të ketë anëtarësim në BE, unë jam madje edhe më skeptik, që nëse do të vijë te kjo”, thotë Beqaj.
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Europian në Prishtinë luan rolin kryesor në realizimin e axhendës në Kosovë, me qëllim promovimin e përafrimit të Kosovës me Bashkimin Europian.
Traktati i Lisbonës hyri në fuqi më 1 dhjetor 2009 dhe solli një listë të reformave për kornizën institucionale të Bashkimit Europian.
Në fushën e politikës së jashtme u krijua pozita e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikat e marrëdhënieve të jashtme dhe sigurisë. 
Të gjitha misionet e udhëhequra nga BE-ja dhe që gjenden jashtë BE-së, duke përfshirë misionin në Kosovë, ia raportojnë komisionerit për marrëdhënie të jashtme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›