E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e ligjit, Shqipëria “parajsa” e gjuetisë së paligjshme

Ervin KOÇI

Shqipëria deri tani ka qenë një “parajsë” e gjuetisë së paligjshme, e cila ka bërë që të shfaroset fauna e vendit. Si të mos mjaftonin me qindra ndoshta dhe mijëra gjuetarë amator dhe fare pa eksperiencë, çdo vit në vendin tonë vinin dhe 700 deri në 1000 gjuetar të huaj, për të gjuajtur në vendin tonë. Këta të fundit futeshin në teritorin shqiptar pavarësisht nga sezonet e gjuetisë, duke pasur në posedim pajisje nga më të sofistikuarat për gjueti dhe duke gjuajtur edhe kafshë ose shpezë gjahu ndaj të cilëve ishte i ndaluar. Për pasojë në 15 vitet e fundit në vendin tonë është zhdukur thuajse pjesa më e madhe e kafshëve dhe shpendëve të rrallë, specie të të cilëve tashmë ekzistojnë vetëm në albumet zoologjik. Futja e gjahtarëve të huaj bëhej rregullisht çdo vit nga Shoqata e Gjuetarëve Profesionistë të Shqipërisë e cila në bashkëpunim me disa shoqata të huaja në Itali e Francë, bënte sjelljen e gjuetarëve nga këto vende. E licencuar diku nga vitet ’90 nga Ministria e Bujqësisë dhe më pas edhe e rikonfirmuar nga Ministria e Mjedisit, kjo shoqatë fuste rregullisht çdo vit grupe të tëra gjuetarësh nga jashtë. Këta të fundit e konsideronin Shqipërinë si një “habitat” të tyrin, pasi jo vetëm që nuk paguanin asnjë lloj takse apo detyrimi ndaj shtetit, por mund të gjuanin edhe nëpër rezervatet e mbrojtura me ligj nga shteti, duke shfarosur specie të rralla zogjsh dhe kafshësh.

Ligji i ri
Ligji i ri “Për gjuetinë” ka sjellë debate të forta në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Përfaqësuesit e shoqatave të gjuetarëve kërkuan mbrojtje me ligj nga shteti ndaj faunës së egër, duke propozuar vendosjen e tatimit. Debati kishte të bënte me konceptet e gjuetisë, nëse është aktivitet sportiv apo fitimprurës. Federata Shqiptare e Gjuetarëve e ka kundërshtuar ligjin e ri të qeverisë, pasi nuk mbron interesat e pronës publike dhe nuk ndan qartë kompetencat. “Ne kërkojmë rregull në këtë aktivitet. Aktualisht kemi 17 mijë anëtarë të regjistruar që paguajnë kuota, por në rang vendi numërohen me dhjetëra mijëra, të cilët gjuajnë pa kriter. Ne kërkojmë rritjen e tarifave, tatim për fitimin e siguruar nga gjahu, bllokimin e armës në kohën kur nuk lejohet gjuetia etj.”, tha Kujtim Hazbiu, sekretar i zyrës juridike në federatë. Tjetër debat lidhej me distancën e gjuajtjes nga zonat e ndaluara bregdetare, pasi gjuetarët e konsiderojnë kufirin 2 km shumë të madhe. Sipas ligjit të ri, çdo gjuetar do të ketë zonën e tij të aktivitetit, duke marrë miratimin në Ministrinë e Mjedisit, falë kritereve dhe garës së konkurrimit. Federata e Gjuetarëve të Shqipërisë me traditë dhe përvojë 60-vjeçare, anëtare e Bashkimit Ndërkombëtar të Federatave të Gjuetisë (CIC), anëtare e Federatës Europiane të Gjuetisë e Konservimit të Faunës së Egër është organizatë jofitimprurëse që bashkon të gjitha shoqatat rajonale të gjuetarëve të organizuara në bazë të ndarjes administrative të Republikës së Shqipërisë.

Zonat e lejuara për gjueti
Gjuetia do të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara për ushtrimin e gjuetisë. Zonat e gjuetisë përfshijnë tokat, pyjet, kullotat dhe zonat ujore të populluara me lloje të faunës së egër, objekt gjuetie, si më poshtë vijon: a) fondin pyjor dhe kullosor; b) tokat bujqësore; c) sipërfaqet ujore të brendshme, (lagunat që lidhen me detin, kënetat, liqenet natyrore e artificiale, lumenjtë e përrenjtë); ç) shkëmbinjtë, rrëpirat, humnerat e ranishtet. Sipërfaqet e përmendura më sipër, përdoren për gjueti vetëm kur janë të përfshira në territoret e një zone konkrete, të lejuar për gjueti. Zonat e gjuetisë të krijuara në pronë shtetërore formohen në bazë qarku. Një qark mund të ketë më shumë se një zonë gjuetie. Zonat komunale të gjuetisë krijohen me sipërfaqet, pyjore e kullosore, që ka në pronësi një komunë ose duke bashkuar territore të pyjeve e kullotave komunale të dy a më shumë komunave, që janë në vazhdim e që formojnë sipërfaqe të pashkëputura. Pronarët privatë të pyjeve dhe kullotave mund të kërkojnë të krijojnë në tokat e tyre zonë të gjuetisë, kur zona e propozuar plotëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj.

Vendet e ndaluara për gjueti
Ushtrimi i gjuetisë ndalohet në: a) të gjitha sipërfaqet, që nuk përfshihen në një nga zonat e gjuetisë; b) zonat e mbrojtura. Kontratat për mbarështrimin e faunës së egër dhe gjuetinë në sipërfaqe të zonave të mbrojtura, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, zbatohen deri në përfundim të afatit të tyre; c) kullotat dhe livadhet në fazën e korrjes; ç) fushat e kultivuara për prodhimin e varieteteve të farave; d) vreshtat e mbjella rishtazi; dh) vreshtat nga krasitja deri në vjeljen e prodhimit; e) sipërfaqet e mbjella me drithëra, nga 1 prilli deri në përfundimin e korrjes së tyre; ë) sipërfaqet bregdetare, që shërbejnë si habitate për shpendët migratorë në një gjerësi 2 km nga bregu i detit; f) sipërfaqet, ku zhvillohet akuakultura; g) parcelat eksperimentale; gj) hapësirat detare; h) zonat e shpallura si zona me rëndësi të veçantë për shpendët; i) zonat urbane dhe industriale; j) aeroportet, heliodromet, rrugët dhe hekurudhat; k) territoret e reparteve, të bazave e të instalimeve ushtarake; l) tokat, brenda 300 metrave nga vendbanimet, rrugët kryesore publike, ndërtesat fetare, shkollat, dyqanet e zyrat; ll) varrezat dhe oborret e mbyllura;
m) fidanishtet, pemishtet, vreshtat dhe kopshtet e destinuara për prodhim intensiv, në sipërfaqe deri në 100 ha, nëse janë të rrethuara, që pengon migrimin natyror të kafshëve të egra; n) territore, ku vërtetohet prania e sëmundjeve me patogjenitet të lartë.

Sezoni i gjuetisë

Gjuetia ushtrohet vetëm brenda sezonit të hapur për gjueti, i cili përcaktohet sipas kritereve gjeografike, klimatike e biologjike dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. Për çdo vit, ministria publikon hapjen e sezonit të gjuetisë në faqen e saj të internetit. Kohëzgjatja e gjuetisë sipas llojeve, si dhe ditët e lejuara për gjueti, brenda sezonit të gjuetisë, caktohen me urdhër të veçantë të ministrit. Dita e gjuetisë fillon pas lindjes së diellit dhe përfundon me perëndimin e tij. Gjuetar mund të jetë personi fizik, që: a) ka mbushur moshën 22 vjeç; b) ka leje të mbajë armë; c) ka fituar testin për çështjet, teorike dhe praktike, që lidhen me veprimtarinë e gjuetisë; ç) është pajisur me leje gjuetie; d) njeh dhe respekton manualin e gjuetarit; dh) merr pjesë në monitorimin dhe inventarizimin e faunës së egër të zonës së tij.

11 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›