E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu në Durrës: “Gjyqtarët t’i zbardhin vendimet brenda afatit”

Laureta Rryçi
Gjyqtarët e Gjykatës së Durrësit duket se nuk i respektojnë afatet për zbardhjen e vendimeve, duke sjellë pasoja serioze mbi qytetarët që duan t’i ankimojnë këto vendime. Ky konstatim u bë dje gjatë analizës së kësaj gjykate nga zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i cili nuk ngurroi dje t’u numëronte gjyqtarëve pakënaqësitë që kishte ndaj tyre. Sipas Spahiut, ndaj kësaj gjykate kishte ankesa të shumta nga qytetarët dhe pjesërisht kjo kuptohej për shkak të volumit të dosjeve që gjykonin këta gjyqtarë. Spahiu ka folur dje me tone të ashpra ndaj togave të zeza duke u kujtuar se gjykojnë në një gjykatë të etiketuar si “Gjykatë karriere”. Më tej nga kryetari i kësaj gjykate është bërë një pasqyrim të punës njëvjeçare me anë të shifrave.
Vërejtjet
Numri dy i KLD-së u ka kujtuar dje gjyqtarëve të Gjykatës së Durrësit se ata janë pjesë e një gjykate karriere, si dhe pjesë e një gjykate pilot për rritjen e transparencës gjyqësore nëpërmjet investimit në regjistrimin audio të seancave gjyqësore. “Është fakt se ndaj Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ankesat janë të shumta, dhe jo vetëm nga qytetarët. Veçanërisht janë konstatuar: raste të dorëzimit të vendimeve me vonesë kur palët kanë 15 ose 10 ditë afat për të bërë ankim dhe raste të mosparaqitjes në punë të gjyqtarit, pa asnjë shkak justifikues, madje dhe në mënyrë përsëritëse dhe me frekuenca të larta shpeshmërie”, - u shpreh numri dy i KLD-së. Më tej ai shpjegoi se ndaj kësaj gjykate nuk mungonin ankesat e qytetarëve si për procese penale, ashtu edhe për ato civile. “Më lejoni t’ju them se ngarkesa e punës, e madhe apo e ulët, në çdo gjykatë është një burim ankesash për gjyqtarët. Gjykata e Durrësit, ashtu si dhe ajo e kryeqytetit, është e rënduar me çështje për gjyqtar. Na duhet të pranojmë se ky faktor është tërësisht objektiv, por shkakton pakënaqësi si në gjykatat ku ka shumë punë, ashtu dhe në ato gjykata ku volumi i çështjeve është i ulët, apo ku larmia e çështjeve për gjykim është e varfër dhe nuk justifikon nevojat profesionale të gjyqtarit”, - tha dje Spahiu në fjalën e tij.
Sipas të dhënave që u pasqyruan dje rezultonte se kjo gjykatë duket më cilësore në vendimet civile, sesa në ato penale. “Pa dashur të vë theksin mbi standardin e vendimmarrjes dhe arsyetimit të vendimit (qoftë edhe për faktin se statistikat mbi ecurinë e vendimeve janë një tregues i pakontestueshëm dhe se vlerësimi i vendimeve është atribut i gjykatave më të larta), mund ta vë theksin te fakti se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës është ndoshta e vetmja gjykatë ku këto vitet e fundit ka pasur shumë gjyqtarë provizorë në stazh dhe pothuaj fare prurje gjyqtarësh definitivë që të mund të larmojnë mendimin juridik”, - tha Spahiu.
Statistikat
Sipas të dhënave statistikore, 68% e çështjeve civile përfundojnë me një seancë dhe 34% e çështjeve penale me tri seanca. Nga statistikat, ngarkesa e punës ka ardhur në rritje, gati e dyfishuar që nga viti 2003 dhe ngarkesa në civile gjatë vitit 2009 tregon mbi 500 çështje për gjyqtar. Sipas të dhënave që rezultojnë nga vetë analiza e punës, vendimet e ankimuara të kësaj gjykate janë lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Durrës në masën 73% për çështje civile, ndërsa nuk është në të njëjtat nivele në çështjet penale të themelit.
Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për përjashtimin e Mirela Fanës
Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë kërkesën e avokatit të biznesmenit Artan Dulaku për përjashtimin nga trupi gjykues i gjyqtares Mirela Fana. Sipas një kolegji që e shqyrtoi këtë kërkesë, pretendimet e avokatit Lin Alia nuk përbëjnë shkak ligjor për ta pranuar atë. Në këtë mënyrë padia civile mes biznesmenit dhe kryeministrit Sali Berisha do të vazhdojë të gjykohet me relatoren Mirela Fana. Avokati mbrojtës i biznesmenit Artan Dulaku kërkoi në seancën e parë përgatitore, me anë të një deklarate, largimin e relatores së çështjes, Mirela Fana. Shkak për largimin e saj është bërë fakti se është bashkëshortja e njërit prej avokatëve të Sali Berishës, Neshat Fana. Ky i fundit, aktualisht anëtar i KLD-së, ka qenë prej vitesh përfaqësues ligjor i kryeministrit. Vetë gjyqtarja Fana, pasi dëgjoi kërkesën për përjashtimin e saj, deklaroi se nuk e sheh të arsyeshme të japë dorëheqjen. Pas këtij veprimi u vendos që shqyrtimi i kërkesës për dorëheqje të bëhet nga një tjetër trupë gjyqësore. Në këtë kërkesë të protokolluar pranë Gjykatës së Lartë, Dulaku, me anë të avokatit të tij, shprehet se bazuar në nenet 19, 21/2 i K. Pr. P., gjyqtarja Fana, si relatore e kësaj çështjeje, do të ketë njëanshmëri ligjore dhe procedim jo të drejtë e të barabartë në gjykim.

Vodhën cigaret në lokal, shoqërohen në polici

Durrës - Tre adoleshentë janë identifikuar si autorët e vjedhjes së një lokali në qytetin e Durrësit. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se pronari i lokalit të dëmtuar ka denoncuar në organet e rendit vjedhjen e në sasie paketash të llojeve të ndryshme. Organet e rendit theksojnë se pas hetimeve u bë i mundur identifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Tre personat e identifikuar, dy 13-vjeçarë me inicialet A. Gj. dhe R. R., lindur në Rrogozhinë e banues në lagjen Nr. 13 Durrës; personi i tretë, me inicialet G. A., lindur në Devoll e banues në Durrës. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se materialet procedurale për veprën penale të vjedhjes i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

11 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›