Avokatët e Kumbaros ankimojnë në Gjykatë të Lartë masën e re
Avokatët e ish-shikasit Ilir Kumbaro, mbi të cilin rëndon akuza për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, kanë apeluar në Gjykatë të Lartë masën e re të sigurisë. Sipas avokatëve, të dyja shkallët e gjykatave për krimet e rënda kanë marrë një vendim në kundërshtim me ligjin ndaj klientit të tyre pak ditë pasi Gjykata e Lartë e kishte shuar masën e sigurisë për Kumbaron. Ankimimi i tyre i ka kaluar procedurat e para në këtë gjykatë dhe është lënë që të shqyrtohet më 17 shkurt kërkesa në fjalë. Në këtë ditë, Gjykatës së Lartë i duhet të shprehet sërish brenda një kohe të shkurtër për të njëjtin person dhe për të njëjtën masë sigurie. Vendimi i parë i Gjykatës së Lartë i shërbeu Ilir Kumbaros për të rifituar lirinë nga autoritetet angleze. Avokatët sapo morën vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë e përdorën për ndërprerjen e procedurave për ekstradimin e Kumbaros në Shqipëri. Kumbaro është një nga të pandehurit për procesin ku pritet të zbardhet dhe zhdukja e Remzi Hoxhës. Përfaqësuesi i akuzës shpeshherë është shprehur se në këtë proces është i vlefshëm jo vetëm dëshmia e Kumbaros, por edhe prezenca e tij për të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për shuarje të masës së sigurisë, Prokuroria tentoi sërish të rikuperonte terren duke kërkuar një masë të re sigurie për Kumbaron. Kjo kërkesë u pranua edhe nga kolegji i Shkallës së Parë, edhe nga kolegji i Apelit. Tanimë do të jetë Gjykata e Lartë që do të vendosë nëse Kumbaro do t’i lajë njëherë e mirë hesapet me Drejtësinë shqiptare. Gjykata e Tiranës, më 18 shkurt 2003, vendosi ndaj Ilir Kumbaros masën “arrest me burg” në mungesë, duke e shpallur në kërkim. Ai dyshohej për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “torturës”, kryer në bashkëpunim. Për mungesë provash dhe faktesh, çështja ndaj Ilir Kumbaros u pushua për t’u rihapur në shtator të 2006-s me vendim të prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Theodhori Sollaku. Më 5 maj të vitit 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” vetëm ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budion Meçe, masë e cila u ndryshua më pas nga Apeli. Për Kumbaron nuk u kërkua vendosja e një mase të re, “kleçkë”, e cila është shfrytëzuar mjaft mirë nga avokatët për të bindur Gjykatën e Lartë se masa e marrë në mungesë ndaj klientit të tyre i ka humbur efektet.
Gjykata e Lartë lë të lirë ish-administratorin e DARFO-s, Eduard Belegu
Gjykata e Lartë vendosi dje të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Elbasanit mbi ish-administratorin e DARFO-s, Eduard Belegu. Burime zyrtare pranë kësaj gjykate sqaruan dje për gazetën “Albania” se ndaj Belegut nga masa e sigurisë “arrest me burg”, u la masa e re “detyrim me paraqitje”. Belegu që në kohën e arrestimit ishte këshilltar i ministrit aktual të Energjetikës u akuzua nga prokuroria për periudhën kohore 2003-2007, kur kishte dhe postin e administratorit të DARFO-s. Bashkë me Belegun organi i akuzës preu edhe fletë-arreste për persona të tjera, ndaj të cilëve rëndojnë të njëjtat akuza. Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit nga ana e tyre arrin në shumën 6.5 milionë euro. Akuza zyrtare që u ngrit mbi katër të arrestuarit ishte "vjedhje për shkak të detyrës". Pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Elbasanit mbi bazën e një denoncimi të bërë në organin e akuzës, Gjykata e Rrethit Elbasan vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj të dyshuarve. Burime zyrtare të Policisë bënë me dije se të akuzuarit ishin Eduard Belegu, ish-administrator i DARFO-s, Artur Belegu, magazinier, Tonin Gjonaj, ish-drejtor dhe Fatos Pengu, ish-përgjegjës. Më tej në njoftimin zyrtar thuhej se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur hetimet në procedimin penal nr. 169, që prej datës 16 shkurt 2008, për veprën penale të dyshuar se është konsumuar nga drejtuesit e DARFO-s, kompania që zotëron me koncesion Uzinën e Ferrokromit në Elbasan.
11 Shkurt 2010