E Diel, 1 Nëntor 2026

Skamja shënon rekorde tek shqiptarët, zonat malore 114.5 për qind të varfëra

Megjithëse vendi ynë shpreson të bëhet herët a vonë pjesë e BE-së, në Shqipëri ende një pjesë e popullsisë, kryesisht zonat malore, nuk ka kapërcyer pragun jetik. Ky fakt jepet nga të dhënat e rap[ortit më të fundit të INSTAT-it, të publikuar për vitin 2009, në anketën për matjen e nivelit të jetesës. Projekti më i madh i matjes së trendit të varfërisë në Shqipëri që nga viti 2002, i financuar nga Banka Botërore dhe PNUD tregoi se krahasuar me vitin 2005, përqindja e popullsisë së varfër është ulur nga 16.2 për qind në 2005 në 13.0 për qind në 2008. Por ndryshe nga zona qendrore dhe bregdetare, zonat malore kanë mbetur prapa, duke zgjeruar distancën me zonat e tjera. “Varfëria rurale në të gjitha rajonet e vendit është e theksuar ku mjaftë zona kanë përjetuar një rënie të ndjeshme në vitin 2008, megjithatë në rajonin malor, varfëria rurale ka qëndruar pothuajse e njëjtë. Më konkretisht, ndërsa në rajonet rurale shkalla e varfërisë ishte 67 për qind më e lartë se niveli kombëtar i zonave rurale në vitin 2002, dhe vetëm 14 për qind më e lartë në vitin 2005, tani është 114,5 për qind më e lartë”,- thuhet në raport. Përqindja e të varfërve në zonat malore tregon për një ndryshim pothuajse të papërfillshëm nga 25,6 për qind në vitin 2005, në 26.6 për qind në vitin 2008. Nga analiza që kanë kryer ekspertët rezulton se brenda rajonit malor, problemi shfaqet në zonat rurale. Kryeqyteti ynë Tirana, megjithëse shfaq nivelin më të ulët të varfërisë, nuk ka pasur reduktim të mëtejshëm në krahasim me vitin 2005, përkundrazi, një rritje e vogël në 8.7 për qind në vitin 2008 nga 8.1 për qind që ishte në vitin 2005.

Rritja e çmimeve
Në një kohë që kërkesa agregate në vend është në rënie, çmimet e mallrave të konsumit, në ndryshim nga vitet e mëparshme, kanë pësuar një rritje gjatë muajit janar. Një nga arsyet kryesore për rritjen e çmimeve të shportës është e lidhur ngushtë me zhvlerësimin e lekut ndaj euros dhe dollarit, efekt ky i akumuluar në muaj të tërë. Rritja e çmimeve në një kohë që treguesit e tjerë të ekonomisë janë në rënie, rëndon edhe më shumë situatën e konsumatorëve dhe veçanërisht shtresave të varfra. Sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja e çmimeve për mallrat e shportës është një nga efektet e dallgës së dytë të krizës, që pritet të vërë në vështirësi ekonomike më shumë se 30 për qind të popullsisë së vendeve në zhvillim. Në këtë kategori futet edhe Shqipëria, e cila vuan nga një diferencë në rritje midis shtresave të ndryshme sociale. Burimi i varfërisë në vendet si Shqipëri, sipas BB-së, po vjen fillimisht për shkak të humbjes në masë të vendeve të punës, si edhe rënies së remitancave, që mbeten faktor kryesor për sigurimin e ushqimit për një numër të madh familjesh në vend. Humbja më e madhe e vendeve të punës do të jetë në sektorin e ndërtimit, sipas BB-së, pasi studimi bën të ditur se rënia e këtij sektori llogaritet që të jetë e shpejtë edhe gjatë vitit 2010. Varfëria e rritur në shumë nga vendet me të ardhura mesatare ose të ulëta ka ardhur edhe për shkak të kolapsit në çmimet e ushqimit. Duke qenë se janë vende bujqësore dhe pjesa më e madhe e popullsisë jeton me anë të punës në bujqësi, rënia e çmimeve të këtyre prodhimeve pritet të vazhdojë të jetë prezente edhe në vitin 2010.

Ekspertët
Një ditë pasi INSTAT publikoi inflacionin, i cili arriti në masën 3.6 për qind, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, i sugjeroi qeverisë që të ndryshojë në mënyrë urgjente buxhetin e shtetit 2010. Rishikimi i shpenzimeve do të ndikonte në ecurinë e monedhës vendase, e cila është nënçmuar djeshëm kohët e fundit sipas Canit. “Kursi i këmbimit ndikon direkt në inflacion, ndaj stabilizimi i tij do të ishte një masë për të zbutur çmimet”, tha ai. “Buxheti nuk është në baza realiste, vijon të ndjehet një optimizëm në deklaratat e qeveritarëve, ndërkohë, ajo që mund të them është se, në 2010 ekonomia shqiptare do të vuajë”,- shprehet Cani lidhur me një fakt të tillë. Për aq kohë sa deficiti buxhetor nuk vihet nën kontroll, leku do të vijojë të ketë probleme. Sipas Institutit të Statistikave çmimet e ushqimeve që pësuan rritjen më të madhe ishin kryesisht perimet e zarzavatet. “Po të kemi parasysh që ushqimi është dominues në familjet e varfra, atëherë mund të themi se këtu ndihet inflacioni real”,- thotë Cani. E në këtë pikë nuk ka masë lehtësuese për të sugjeruar, pasi ky efekt është i pashmangshëm. Ndërkohë kërcënimi i mëtejshëm për të pasur sërish çmime të larta është energjia elektrike, e cila do të godasë buxhetet e familjeve të varfra. Sipas ekspertëve, ndikim në rritjen e inflacionit në treg kanë dhënë edhe përmbytjet e Shkodrës, pasi dëmtimi i prodhimit vendas nuk ka plotësuar nevojat e tregut duke rritur çmimet.

Tregtia me jashtë, deficit rekord

Deficiti tregtar në muajin dhjetor arriti në 33 miliardë e 324 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 18.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 7.8 për qind krahasuar me dhjetor 2008. INSTAT publikoi dje të dhënat e tregtisë me jashtë, duke theksuar se janë eksportuar rreth 9.8 miliardë lekë mallra, me rritje 3.1 për qind në krahasim me muajin nëntor 2009 dhe rritje me 41.8 për qind në krahasim me dhjetorin e 2008-s. Kurse importet regjistruan 43 miliardë lekë mallra, me rritje 14.3 për qind në krahasim me nëntorin 2009 dhe rritje 0.2 për qind në krahasim me një vit më parë. INSTAT i raporton të dhënat në monedhën vendase, e cila ka humbur shumë pikë ndaj euros. Nëse do të raportoheshin në monedhën evropiane, do të kishim rënie të importeve me të paktën 10 për qind. Tregtia me vendet e Bashkimit Europian në dhjetor është 65.4 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 60.6 për qind dhe importi 26.2 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 5.1 për qind dhe importi 14.5 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin Britani e Madhe, Kinë, Kroaci, SHBA, Turqi etj., dhe për importin Austri, Greqi, Gjermani, Itali, Kinë etj. Sipas Institutit të Statistikave, në muajin dhjetor 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3 miliardë e 883 milionë lekë, duke zënë 9 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me nëntor 2009, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 7.9 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuar e zënë nënproduktet e naftës (70 për qind).

11 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›