Krimet e Rënda rrëzojnë kërkesat e Aldo Bares
Laureta Rryçi
Gjykata e Krimeve të Renda rrëzoi dje të gjitha kërkesat e avokatit të Aldo Bares, i njohur ndryshe si kreu i bandës së Lushnjës. Kolegji penal i drejtuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari gjykoi dje se pretendimet e të pandehurit nuk kanë bazë ligjore dhe, për rrjedhojë, duhet të rrëzohen. Ka mjaftuar ky vendim dhe menjëherë avokati i Bares, Vladimir Meçe, kërkoi që të shtyhet seanca për shkak se i duhet të konsultohej me klientin e tij për qëndrimin që do të mbante në vazhdim të këtij procesi. Kërkesa u pranua dhe seanca e radhës u la për më 17 shkurt.
Pretendimet
Avokati i Bares prej disa seancash ka përdorur disa alternativa për të mbyllur këtë proces ndaj klientit të tij. Sipas Meçes, në këtë proces jemi përballë pavlefshmërisë së akteve si dhe pushimit të dosjes për tejkalim afatesh. Më tej avokati vijon me pretendimet e tij se edhe dy prej akuzave të ngritura në kohë nga prokuroria kundër Aldo Bares, janë parashkruar. Sipas avokatit, shkatërrimi i pronës me zjarr dhe dhunimi i varreve nuk mund të jenë në dosje, pasi janë akuza që kanë më shumë se pesë vjet që janë kryer dhe nga koha e kryerjes nuk është bërë asnjë veprim procedural. Ndërkohë që akuza, nga ana e saj, i ka thënë gjykatës se nuk duhet të marrë parasysh asnjë nga kërkesat e parashtruara në deklaratën e një jave më parë nga avokati Vladimir Meçe. Sipas akuzës, arrestimi, hetimi dhe më pas zgjatja e afateve të hetimit për të gjitha veprat penale që rëndojnë mbi Aldo Baren janë kryer në bazë të të gjitha rregullave. Sipas akuzës, Aldo Bare, së bashku me avokatin e tij, janë duke bërë manovra nga më të ndryshmet për t’iu shmangur hetimit gjyqësor. Në përfundim të fjalës së tij, prokurori i çështjes, Genti Trenova, kërkoi të mos merren parasysh kërkesat e avokatit Meçe për klientin e tij Aldo Bare dhe të vazhdojë gjykimin për të gjitha veprat penale që ai akuzohet.
Akuzat
Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, akuzohet për mbi 20 vrasje, krijimin e organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Ai u ekstradua nga Turqia më 25 nëntor të vitit të kaluar. Krimi më i rëndë që rëndon mbi supet e tij është ekzekutimi i Artur Dajës, armikut të tij të përbetuar, të cilit nga akuza pretendohet se Bare i preu kokën dhe ia shëtiti përmes qytetit të Lushnjës.
Arrestimi në Turqi kreut të bandës së Lushnjës
Aldo Bare u arrestua më 25 mars të vitit 2006 në Ankara. Alfred Shkurti, i njohur me nofkën Aldo Bare, konsiderohet nga Drejtësia shqiptare si drejtuesi i bandës kriminale të njohur me emrin si banda e Lushnjës. Aldo Bare u arrestua nga Policia turke në Ankara, i maskuar me një pasaportë false maqedonase me emrin Mikel Kodra. Arrestimi i Bares u bë pas një bashkëpunimi me Policinë turke dhe Interpol Ankaranë, si dhe një numër policish të vendeve të tjera partnere. Për 3 vjet Drejtësia shqiptare punoi për ekstradimin e Bares në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, edhe Drejtësia italiane ishte e interesuar për ekstradimin e Bares për shkak të disa veprave penale që dyshohet se shqiptari kishte kryer atje. Bare pretendoi, nëpërmjet avokatit të tij turk, se nuk duhet të ekstradohej në Shqipëri pasi kthimi i tij rrezikohej deri në eliminim fizik. Gjithsesi, pas procedurash të gjata në disa shkallë e procese gjyqësore në Turqi, Drejtësia shqiptare mundi që ta ekstradojë të shumëkërkuarin. Aldo Bare po gjykohej në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasje, vjedhje dhe trafik droge. Pas ekstradimit, gjykimi do të vazhdojë tani me vetë dëshmitë e Aldo Bares.
11 Shkurt 2010