Policia aksion në Lazarat, shoqërohen 9 persona

Policia e Gjirokastrës ka përçarë sërish grupet e bashkëpunimit për kultivimin e kanabis sativës në fshatin Lazarat. Forcat e Policisë së Gjirokastrës mbështetur nga Delta Forcë, në vendin e quajtur Kordhocë kanë bërë bllokimin e 5 automjeteve të vogla të cilat kishin ngarkuar mbi zgarra çisterna plastike dhe transportonin ujë për të kultivuar drogë në Lazarat dhe janë shoqëruar në pikën e bllokimit në Dragot, si dhe dy kamionë me pleh. Policia ka shoqëruar në komisariat 9 persona nga lagjia Zinxhira dhe lagjia Puntore, si dhe 7 drejtues të mjeteve nga Lazarati që transportonin ujë dhe pleh ku ndaj tyre filloi procedimi penal për mos kallzim krimi. Gjithashtu gjatë operacionit u bë bllokimi i dy pikave ku furnizoheshin automjetet me ujë si dhe sekuestrimi i dy pompave të ujit të fuqisë së lartë, me vlerë rreth 3 mijë euro secila. Nga ana e Specialistëve të Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër është grumbulluar informacion në rrugë operative për dy shtetas nga Lazarati të cilët kishin lidhur pompat në lumin Drino dhe kanë hapur një kanal rreth dy kilometra për të maskuar tubot plastike të diametrit të gjerë që çonin uje në hyrje të fshatit Lazarat për tua shitur disa banorëve për të kultivuar kanabis. Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër është e vendosur të vijojë aksionin për të bllokuar çdo pike furnizimi me ujë me qëllimin kultivimin e kanabisit në fshatin Lazarat dhe çdo automjet dhe person që tenton të transportojë ujë për të kultivuar kanabis, si dhe do të vijojë operacionet për shkatërrimin e parcelave me lëndë narkotike në Komunën Lazarat.