Policia arreston autorin e vrasjes së Aurora Trashanit

Pas lajmit të publikuar në RTV “Ora News” përsa i takon autorit të vrasjes së 30 vjeçares Aurora Trashani ndërsa dyshohej se ka ndihmuar autorin e vrasjes së viktimës në datën 3 shkurt te largohej nga vendgjarja, menjëherë vjen dhe deklarata nga policia e cila prangos autorin.
Pas një hetimi intensiv, a arrestua bashkëautori në vrasjen e 30 vjeçares Aurora Trashani, i cili dyshohet të jetë shtetasi Abedin Mulaj.
Specialistë të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së personit në Policinë e Tiranës, në sajë të një pune intensive hetimore, në drejtim të zbardhjes dhe dokumentimit tërësisht të vrasjes së 30 vjeçares Aurora Trashani, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e bashkëautorit të kësaj vrasje.
Gjatë ecurisë së hetimit, grupi hetimor i përbërë nga Specialistë Kriminalist e oficerë të Krimeve të Rënda, bënë të mundur arrestimin e bashkëautorit të dyshuar të vrasjes, i cili është shtetasi Abedin Mulaj, 47 vjeç, me banim në Tiranë.
Ndërkaq, policia deklaron se është bërë e mundur dhe identifikimi i autorit tjetër në këtë ngjarje të rëndë por për arsye të hetimit, nuk mund të bëhen publike gjeneralitetet e tij.
Kjo ngjarje e rëndë, ka ndodhur më datë 2 shkurt 2011, ku viktima Aurora Trashani, u gjend e vrarë dhe e djegur në banesën ku jetonte, pranë zonës së Zogut të Zi, në Tiranë.
Ndaj autorit të dyshuar të vrasjes, u mor masa e menjëhershme e arrestit për konsumim të veprës penale të "Vrasjes me dashje", ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t`i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.