E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët

Festat e fundvitit po sjellin një forcim të lekut, për shkak të prurjeve valutore të emigrantëve që kthehen pranë familjeve të tyre. Gjatë ditës së djeshme 1 dollar është këmbyer me 83.5 lekë, ndërsa 1 euro me 120.1 lekë. Prurjet e emigrantëve gjatë festave janë një fenomen që ka shoqëruar vendin gjatë këtyre 17 viteve duke u bërë një faktor kryesor edhe për uljen e varfërisë.
Ndikimi në varfëri
Ndikimi i remitancave në Shqipëri është i rëndësishëm sepse remitancat përbëjnë një burim kritik të ardhurash për familjet pritëse, duke përfaqësuar mesatarisht, rreth 41 për qind të të ardhurave mujore. Sipas studimeve del se niveli i varfërisë reduktohet ndjeshëm përmes familjeve që presin remitanca. Statistikat përshkruese të të ardhurave ditore për frymë, tregojnë se përjashtuar kontributin e remitancave, pothuajse 40 për qind e familjeve rezultojnë nën kufirin e varfërisë. Ndikimi i remitancave nuk ndjehet vetëm në nivel familjeje. Më shumë se gjysma e tyre shkojnë në sektorë të ndjeshëm. Sipas studimeve, 59 për qind e familjeve përfituese jetojnë në zona rurale dhe mëse 2/3 e tyre drejtojnë një aktivitet prodhues. Gjithashtu, remitancat e shpenzuara në zonat rurale mund të kenë një efekt më të madh se ato të shpenzuara në zonat urbane, pasi ato priren më shumë drejt konsumit të mallrave dhe shërbimeve lokale. Remitancat janë të orientuara, kryesisht, për konsum. Përpjesa e madhe e remitancave për konsum tregon qëllimin primar, pjesë e strategjisë së emigrantëve dhe e familjeve të tyre në Shqipëri, për të dalë nga varfëria dhe për të ngritur nivelin e jetesës. Shumë studiues të çështjes së remitancave, pranojnë që herët a vonë këto flukse monetare do të vijnë në rënie. Të dhënat e bilancit të vendit tregojnë se me kalimin e viteve në emigrim, vërehet një rënie në nivelin mesatar të dërgesave për emigrant. Për ruajtjen e ekuilibrit makroekonomik si dhe sigurimin në vazhdimësi të financimit të deficitit korent, prioriteti qëndron në kanalizimin e tyre drejt investimeve.
Shqipëria e varur nga emigrantët
Nëse vendit do t’i mungonin të ardhurat nga emigrantët, atëherë mbyllja e deficitit me jashtë do të ishte e pamundur. Vetëm në 9 muajt e fundit, deficiti tregtar i vendit ka mbërritur në 1.5 miliardë euro, në një kohë që emigrantët sjellin rreth 1 miliardë euro në vit. Ky është edhe eksporti më i madhe i vendit, që gjithsesi mbetet në kuadrin e një pune të pakualifikuar dhe të lirë, që shitet kryesisht në tregun europian. Një nga problemet më të mëdha që vlerësohet nga ana e specialistëve në një periudhë të dytë për vendin, është mungesa e krahut të punës në Shqipëri. Emigrimi i 1/3 të popullsisë dhe kryesisht të krahut të lirë të punës, sjell probleme në një moment të dytë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›