E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet e huaja mbeten të bllokuara

Investimet e huaja kanë qenë në stanjacion dhe ky është një problem i hasur për shumë vite. Ky ka qenë edhe shpjegimi që ka dhënë ministri i Financave, Bode, gjatë prezantimit të aktit normativ ku ndërrojnë destinacion rreth 200 milionë dollarë nga buxheti i vitit 2007. “Përsëri ka probleme me avancimin e investimeve të huaja, në formën se si janë kontraktuar ato. Ju e dini se avancimi në segmentin rrugor Lushnjë-Fier është tepër i ngadaltë dhe këto,sigurisht që krijojnë probleme në ritmikën e realizimit të investimeve me financim të huaj. Për këtë arsye, një pjesë e donatorëve dhe kontratave të nënshkruara më përpara, kanë përcaktime jo të sakta lidhur me detyrimet e palëve për realizimin ritmik të grafikëve të investimeve dhe për këtë shkak ne kemi synuar të ndryshojmë mënyrën e kontraktimit të investimeve të huaja, duke i krijuar më shumë hapësira qeverisë shqiptare që t’i disbursojë ato fonde në varësi me nevojat dhe progresin e punimeve. Pra, po rrisim pjesën vendimmarrëse të qeverisë në këto kontrata dhe po pakësojmë kompetencat e donatorëve dhe investitorëve të huaj, të cilët kanë preferuar t’i shtrijnë në shumë vite këto kontrata”,- tha Bode.
11-mujori, realizimi vetëm 46.8%
Sipas Ministrisë së Financave, për 11 muaj qeveria ka investuar një shumë prej 32.8 miliardë lekë, nga 70 miliardë lekë që shuma e investimeve që është parashikuar në buxhetin e vitit 2007. Por, sipas Bodes, në fund të këtij viti nuk do të ketë mosrealizime të paktën përsa i përket investimeve me fonde të brendshme. “Me gjithë dëshirën tonë të madhe për të zbuluar më tej se çfarë nuk mund të realizohet në vëllimin e investimeve publike, të gjithë përdoruesit e buxhetit na ofruan vetëm 3 miliardë lekë. Kjo do të thotë që ata që synojnë të realizojnë tërësisht investimet publike me financime të brendshme. Në krahasim me faktin e vitit të kaluar, 11-mujori shënon një rritje prej 22% të investimeve publike me financim të brendshëm dhe ka një stanjacion përsa i takon financimit të investimeve me financime të huaja. Gjatë këtij muaji, janë përgatitur për financim të gjitha punimet në proces. Në fakt, është një sëmundje e vjetër kjo e përdoruesve të buxhetit, të cilët presin fundin e vitit për të mbyllur të gjithë situacionet dhe për të likuiduar investimet e tyre”,- tha Bode. Nëse i referohemi llogarisë së Ministrisë së Financave atëherë duhet që qeveria të realizojë 38 miliardë lekë, gjatë një muaji. Një pjesë të mirë të këtyre mosrealizimeve janë me burime të brendshme.
Financimi i Durrës-Kukës
Qeveria një pjesë të konsiderueshme të fondeve të rialokuara i ka destinuar për rrugën Durrës-Kukës. “5 miliardë lekë që ne shtojmë në vëllimin e investimeve të këtij viti, janë tërësisht të destinuara për këtë segment rrugor. Ishte parashikuar që për periudhën nëntor-dhjetor 2007 të financohej ky segment me kredinë që kemi marrë në fillim të këtij viti, në shumën 230 milionë euro. Nuk kemi nevojë ta marrim këtë vit. Kemi negociuar me fituesin e atij tenderi, për ta marrë shumën vitin që vjen. Dhe kjo do të thotë, që në fund të vitit 2008 ne të mbetemi përsëri rreth 100 milionë euro më pak nga targeti që kemi vendosur me FMN-në. Sepse FMN-ja na lejon të marrim jo më shumë se 680 milionë Euro kredi, ndërsa opozita thotë se deficiti është i madh dhe po marrim shumë borxhe. Ndërkohë që ne nuk po shfrytëzojmë as hapësirat që na lejon FMN-ja për të marrë borxh”,- tha Bode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›