E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia bashkiake në Tiranë aksion për largimin e mjeteve të braktisura

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Policia bashkiake ka nisur heqjen e mjeteve të lëna prej kohësh në rrugë, që zënë hapësira publike dhe kthehen në problem për qytetarët.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Blendi Sula, u ka bërë thirrje pronarëve të mjeteve të braktisura në hapësira publike për t’i hequr vullnetarisht.

“Policia Bashkiake Tiranë ka nisur një aksion për largimin e mjeteve të braktisura që zënë hapësira publike, të kthyera në problem për qytetarët. Ata që kanë lënë mjete të tilla të marrin masa dhe t’i largojnë vullnetarisht brenda një muaji nga data e vendosjes së njoftimit. Mjetet që nuk largohen brenda afatit do të spostohen e depozitohen në pikën e bllokimit”, shkruan Sula.

Policia bashkiake e Tiranës ka njoftuar më herët pronarët e mjeteve se, nëse nuk i largojnë ato brenda afatit të përcaktuar, automjetet do të transportohen në vendin e përcaktuar për depozitimin e mjeteve të braktisura.

Lirimi i hapësirave publike nga makinat e braktisura është pjesë e nismës së qeverisë për kthimin e hapësirave publike në shërbim të publikut.

Kjo nismë kombëtare, e cila nuk prek vetëm automjetet e braktisura, por të gjitha strukturat që kanë cenuar hapësirat publike ka nisur në muajin korrik dhe synon të përmirësojë cilësinë e jetës urbane, të rrisë funksionalitetin e bizneseve dhe të garantojë respektimin e standardeve të mikpritjes dhe shërbimit, jo vetëm në zonat turistike, por në çdo qytet e fshat të vendit.

Nisma do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, në bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore, për t’u siguruar që hapësirat publike i përkasin qytetarëve.

Kryeministri ka deklaruar se “ofensiva” nuk do të ndalet deri sa fenomeni të zhduket. Kjo nismë është pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Nga aksioni për heqjen e automjeteve të braktisura 1 nga 7

/e.i//a.f//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›