Shërbimi i Dermatologjisë në QSUNT, me aparaturë të re diagnostikuese

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Shërbimi i dermatologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është pajisur me aparaturën e re të dermatoskopit.
Kjo aparaturë e fjalës së fundit të teknologjisë ndihmon në diagnostikimin e hershëm të pacientëve për problematika të ndryshme të lëkurës, nga nishanet, lezionet, njollat etj.
Drejtori i përgjithshëm i QSUNT-së Tiranë, Florenc Spaho tha se me këtë aparaturë, ekipi i dermatologjisë garanton kujdes të sigurt dhe profesional për çdo pacient.
“Në shërbimin e dermatologjisë kemi instaluar tashmë dermatoskopin e ri, një pajisje moderne që ndihmon mjekët të kryejnë ekzaminime të sakta dhe të hershme të lëkurës. Ky investim rrit cilësinë e diagnostikimit të ndryshimeve të lëkurës, duke mundësuar zbulimin në faza të hershme të lezioneve dhe tumoreve të lëkurës, si dhe ndjekjen më të kujdesshme të pacientëve”, tha Spaho.
Dermatoskopi është një pajisje e blerë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe e instaluar përpara disa ditësh në repartin e dermatologjisë në QSUNT.
Prof. dr. Ermira Vasili u shpreh se dermatoskopi është një aparat që përdor dritën e polarizuar bashkë me kompjuterin, në të cilin ruhen të gjitha imazhet e pacientit që kërkon të kontrollojë nishanet apo njollat e ndryshme.
“Gjatë kontrollit që e bëjmë një herë në gjashtë muaj, një herë në vit në varësi të problematikës që e vendos mjeku, ne i kemi imazhet e ruajtura dhe shohim çfarë ndryshimesh ka pësuar ky nishan”, tha Vasili.
Drejtori i përgjithshëm i QSUNT-së në Tiranë, Florenc Spaho nënvizoi se “ky aparat diagnostikon në kohë, bën të mundur një bashkëpunim midis disa specialiteteve si dermatologjisë, onkologjisë dhe kirurgjisë plastike”.
“Fokusi i Qeverisë shqiptare është që ne të investojmë në infrastrukturë edhe në teknologji. Të shpëtosh një jetë të bën hero, ta bësh atë përditë të bën mjek ose infermier”, përfundoi Spaho.
Shërbimi i dermatologjisë në QSUNT trajton çdo ditë raste të pacientëve që kërkojnë ndërhyrje të specializuar.
Falë punës së vazhdueshme të mjekëve dhe fushatave ndërgjegjësuese, çdo vit e më shumë qytetarë po marrin masa parandaluese për shëndetin e lëkurës, përmes kontrolleve të shpeshta, diagnostikimit të hershëm, etj.
/e.i//r.e/a.f/