E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia dështoi në përpjekjen për të prishur antenën e Vizion Plusit



Inspektorati i Ndërtimit ka dështuar në tentativën e tij për të prishur antenën e Vizion Plusit ditën e djeshme. Një sulm i paprecedentë ndaj njërës prej dhjetëra antenave që ndodhen në malin e Dajtit ka ngritur në këmbë këto forca të shtetit. Me forca të shumta policie jashtë orarit zyrtar dhe në mot të keq, drejtorë e inspektorë kishin marrë një urdhër të prerë se kjo antenë nuk mund të jetë më këmbë. Gjithçka nisi rreth mesditës, kur inspektorë e policë kanë parë e riparë vendin për të disatën herë. Janë dashur disa orë që në vendngjarje të vijë një fadromë e marrë borxh. Me fjali standarde dhe të cituara prej shefave të tyre, inspektorët u përpoqën që të justifikojnë prishjen e një antene të vetme kur urdhri u ka shkuar të paktën 15 televizioneve të tjera. Sulmi ndaj Vizion Plusit ka nisur disa javë më parë, por e vërteta e antenave është shumë e thjeshtë dhe e vështirë për shtetin, që nuk do ta kuptojë. Asnjë prej antenave të televizioneve private të vendosura në malin e Dajtit nuk është me leje. Ato janë konsideruar ndërtime të paligjshme dhe sipas Policisë Ndërtimore, duhet të prishen, por fadromat janë drejtuar vetëm te njëra prej tyre. Të gjendur nën presionin e një publiku që ndiqte direkt ngjarjen, inspektorët janë tërhequr gjatë orëve të pasdites.

Përtej fasadës

Prej disa javësh Vizion Plusi, pa asnjë elegancë, është vendosur në qendër të një seriali goditjesh nga segmente të larta shtetërore. Goditja ndaj Vizion Plusit nuk ka qenë vetëm selektive, por edhe brutale. Askush nuk është i habitur nga sulmet direkte apo indirekte që segmente të shtetit apo të politikës bëjnë ndaj medias. Mentaliteti politik që mbizotëron aktualisht është se kërkon ta ketë median vasale. Çdo përpjekje që një media të jetë e balancuar, realiste dhe në shërbim të qytetarëve, siç është Vizion Plusi, tentohet të nëpërkëmbet nga segmentet shtetërore dhe ato politike. Përpjekjet për nënshtrim nga njëra anë dhe nga ana tjetër, përpjekjet për t’u shërbyer interesave të qytetarëve, përbëjnë thelbin e një konflikti të vjetër mes pushtetit dhe medias. Kjo gjë shihet qartazi në rastin e Vizion Plusit. Por ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë zhvillim mjaft dramatik për lirinë e medias në Shqipëri, është fakti që brutalitetit të segmenteve shtetërore ndaj Vizion Plusit i bën jehonë me ngazëllim ndonjë medieje vizive, duke dëshmuar se liria e medias nuk është e rrezikuar vetëm nga pushteti, por edhe nga qarqet mediatike që i shërbejnë verbërisht pushtetit. Ky është në realitet kërcënimi më serioz ndaj lirisë së medias. Kur përpjekjet e pushtetit për të nënshtruar median ndërthuren me interesa për të eliminuar konkurrentët nga tregu mediatik, bëhet mjaft e qartë tabloja e zymtë për lirinë e medias në Shqipëri. Vizion Plusi është tashmë pasqyra ku të gjithë qytetarët shqiptarë shikojnë arbitraritetin e segmenteve shtetërore. “Aleancat fluide” mes pushtetit dhe ndonjë medieje, kundër Vizionit Plusit, nuk përbëjnë kërcënim ndaj këtij të fundit, por një kërcënim serioz për lirinë e medias në vend.

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›