E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Heqja e antenave të Vizion Plusit, sulm i qeverisë ndaj medias së lirë

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste denoncon veprimin e ndërtimorëve. Musa Ulqini: “KKRT-ja të pengojë urgjentisht heqjen e antenave”

Shaban Sulçe
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka reaguar ndaj tentativës së Inspektoratit të Policisë Ndërtimore dhe urdhrit të ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve për heqjen e antenave të transmetimit të Televizionit Vizion Plus në malin e Dajtit. Në një deklaratë për shtyp të Grupit Parlamentar të PS-së, deputeti socialist Musa Ulqini e ka quajtur të paligjshëm urdhrin për heqjen e antenave të transmetimit të Televizionit dhe e ka cilësuar atë si një shprehje e qartë e arrogancës së qeverisë ndaj mediave dhe lirisë së tyre. “Partia Socialiste e Shqipërisë e denoncon ashpër veprimin e djeshëm si një veprim arbitrar që dëmton pa shkak ligjor mediat dhe cenon rëndë informimin e publikut. Ne i kërkojmë qeverisë dhe institucioneve të tjera si KKRT, që urgjentisht të pengojnë heqjen arbitrare të antenave të Vizion Plusit dhe televizioneve të tjera dhe të mos penalizojnë pronarët e mediave, por të gjejnë zgjidhjen e duhur përmes bashkëpunimit ndërinstitucional”, - deklaroi Ulqini. Ai renditi disa argumente, të cilat dëshmojnë se veprimi i ndërtimorëve për heqjen e antenave nuk ka të bëjë me vendosjen e autoritetit të ligjit, por me një veprim që synon të vendos nën diktat mediat e lira.
Argumentet
Argumenti i parë i paraqitur nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka të bëjë me licencën e transmetimit. “Gjatë dhjetë viteve të fundit, 16 transmetues radio televizivë, të pajisur nga KKRT-ja me licencë lokale për rajonet e Tiranës dhe të Durrësit apo licencë kombëtare, i kanë vendosur antenat e tyre në malin e Dajtit. Në nenin 19 të ligjit për mediat elektronike theksohet: “Licenca e transmetimit radioteleviziv vlen si leje për instalimin e pajisjeve teknike dhe i jep subjektit privat të drejtën për transmetim”. Në këtë nen gjithashtu theksohet se licenca autorizon edhe vendvendosjen dhe fuqinë e antenave transmetuese. Pra KKRT-ja, enti licencues i mediave elektronike, kur ka miratuar lejet e këtyre 16 televizioneve, ka miratuar edhe ngritjen e antenave në malin e Dajtit, si pjesa më e rëndësishme e projektit teknik të instalimit dhe shfrytëzimit të pajisjeve teknike për transmetim radioteleviziv. Kështu veproi ky institucion edhe kur miratoi muaj më parë licencën e një transmetuesi kombëtar. Kështu vepron KKRT-ja edhe sot e kësaj dite gjatë rilicencimeve të televizioneve që plotësojnë kërkesat sipas ligjit. Kjo është një arsye e mjaftueshme ligjore që transmetuesit në fjalë të mos ndjehen të penalizuar për shkak të vendosjes së antenave të tyre në një vend që enti licencues e ka vlerësuar teknikisht si më të përshtatshmin. Aq më shumë që ky territor nuk është pronë private, por është pronë e shtetit”, - vijoi deputeti socialist, Musa Ulqini.
KKRT-ja të japë shpjegime
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar nga institucioni i KKRT-së që të japë shpjegime për mosreagimin ndaj veprimit që dëmton rëndë transmetuesit radiotelevizivë, që ajo vetë ka licencuar. “Drejtuesit e KKRT-së duhet të shpjegojnë publikisht arsyen pse ky institucion i ngarkuar me ligj për të licencuar dhe mbrojtur mediat elektronike në Shqipëri nuk reagon kur një institucion shtetëror dëmton rëndë transmetuesit radiotelevizivë që ai vetë i ka licencuar. Ata duhet të sqarojnë nëse fadromat e qeverisë kanë shkuar në malin e Dajtit me dijeninë dhe miratimin e tyre, apo KKRT-ja është informuar për këtë veprim vetëm nga mediat, njëlloj si qytetarët e tjerë”, - thuhet në deklaratën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Qeveria me dy standarde
Partia Socialiste akuzoi gjithashtu qeverinë se po ecën me dy standarde, sidomos në sulmet ndaj medias së lirë. “Antenat e mediave elektronike të licencuara, përmes të cilave transmetohen programe radiotelevizive nga 16 transmetues për gati 1/3 e popullsisë së vendit, nuk mund të trajtohen si kioska pa leje. Një leje formale e munguar nuk mund të jetë shkak që nesër rreth 1 milion shqiptarë të mos shikojnë në ekranet e tyre programet e 16 televizioneve, që i kanë vendosur antenat e tyre me miratimin e KKRT-së. Ky veprim ndodhi pikërisht dje, kur KRTSH-ja e Republikës, nën drejtimin e kryeministrit Berisha, vendosi të legalizojë 32 zona informale ku janë bërë ndërtime pa leje. Ndërkohë që në emër të vendosjes së autoritetit të ligjit, po dje, fadromat e qeverisë u panë të shkatërronin antenat e ligjshme të televizioneve të licencuara për shkak se pronarët e tyre nuk ishin pajisur me një leje formale ndërtimi, edhe pse toka ku janë vendosur këto antena është pronë e shtetit. Ky dubël standard i qeverisë është një provë e armiqësisë së kryeministrit Berisha ndaj mediave të lira”.
Urdhri i ministrit
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e ka cilësuar urdhrin e ministrit Olldashi si një provë tjetër të moskoordinimit mes institucioneve shtetërore për çështje të tilla të rëndësishme. “Ky problem duhet të zgjidhet mes KKRT-së, Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe të Transportit, dhe jo duke penalizuar dhe dëmtuar padrejtësisht pronarët e mediave elektronike dhe qytetarët”.
Veprimi selektiv
PS-ja e cilëson selektiv dhe të njëanshëm tentativën për të shkatërruar vetëm antenat e Televizionit Vizion Plus. “Fakti që fadromat e qeverisë u përpoqën të shkatërronin vetëm antenat e Vizion Plusit, i vlerësuar nga publiku si televizion i paanshëm dhe jo në shërbim të qeverisë, lë shijen e hidhur që ky veprim në emër të vendosjes së autoritetit të ligjit është një veprim selektiv, që synon t’u mbyllë gojën mediave të pavarura. Në favor të këtij argumenti është edhe heshtja e disa televizioneve që i kanë antenat me të njëjtin status si ato të Vizion Plusit, por që njihen si media në shërbim të qeverisë”, - thuhet në deklaratën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të mbajtur nga deputeti Musa Ulqini.

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›