Policia dhunon deputetin Pandeli Majko
PËRPLASJA / FNSH-të e Shkodrës blindojnë Korçën, mbi protestuesit përdoren shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe gaz djegës
Përplasje mes polici-protestues në Korçë. Dhunë ndaj tre deputetëve të PS-së dhe 40 protestuesve
KORÇË- Dhunë policore, gaz lotsjellës, gaz djegës dhe arrestime. Me këto shtatë fjalë mund të përmblidhen protestat e ditës së djeshme të përfaqësuesve të opozitës. Pothuajse të gjitha protestat e zhvilluara dje kanë përfunduar me konfrontime fizike ku më e rëndë ka qenë ajo e Korçës.
Policia e qytetit juglindor ka tejkaluar haptazi kompetencat e saj duke rrahur deputetin Pandeli Majko. Mbi deputetin që gëzon imunitet është përdorur edhe gaz djegës në sy.
Vetë Majko ka pohuar pas ngjarjes: "Policia u soll jashtë çdo lloj konteksti ligjor për të ashtuquajturin ndalim të mitingut të paligjshëm. U goditën gra, u goditën njerëz. Nuk po them se u keqtrajtuan edhe tre deputetë të parlamentit shqiptar që ishin atje". Ndërkohë deputeti tjetër i PS-së, Alfred Dalipi, u shpreh: Situata ishte tepër e rëndë, policia goditi deputetin e PS-së, Pandeli Majko.
Ata e goditën disa herë me grushte dhe më pasi hodhën spray djegës në fytyrë. Pas kësaj policët goditën deputetin Majko edhe me shkopinj gome duke i shkaktuar hematomë në këmbë. Për rreth dy orë ai kishte vështirësi të mëdha në shikim".
Disa protestues janë lënduar, ndërsa nuk i ka shpëtuar shkopinjve të gomës dhe deputeti i Korçës Pandeli Majko. Ndryshe nga protesta e një jave më parë në të njëjtin vend, organizuar nga përfaqësues të PS në qarkun e Korçës, gjatë mesditës të së mërkurës ka degjeneruar në dhunë mes një grupi simpatizantësh të majtë dhe forcave të policisë.
Anëtarët e PS dhe mbështetësit e saj në mesditën e të mërkurës nën drejtimin e deputetëve Pandeli Majko, Mimi Kodheli dhe Alfred Dalipi synuan të organizojnë një protestë në fshatin Çërravë në aksin nacional Korçë-Pogradec.
Forca të shumta të policisë së Drejtorisë së Policisë në Korçë me pretendimin se protesta ishte e jashtëligjshme kanë ndërhyrë me forcë duke përdorur fillimisht shkopinjtë e gomës si dhe më pas kanë vënë në përdorim edhe gaz lotsjellës.
Protesta është kthyer në një përleshje të dhunshme dhe në mesin e protestuesve ka pasur edhe disa qytetarë të plagosur. Të gjithë efektivat e policisë që kanë marrë pjesë në përleshje kishin në duar shkopinj gome si dhe disa bombola të mëdha me gaz djegës që iu hidhej në sy protestuesve.
Disa prej tyre janë nisur me urgjencë në spitalin e qytetit të Korçës për shkak të problemeve të shkaktuara nga gazi lotsjellës nga uniformat blu por dhe dëmtimeve që kanë marrë nga dhuna e ushtruar mbi ta. Fillimisht protestuesit kanë pritur të startojnë protestën e tyre duke mbyllur për disa minuta aksin kryesor të juglindjes që lidh Korçën me Pogradecin dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Forcat e policë në vendin e protestës kanë qenë të mëdha në numër, ndërkohë që ata nuk kanë lejuar që përfaqësuesit e majtë të nisnin tubimin e tyre paqësor në mbështetje të 200 grevistëve të urisë në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Gazi lotsjellës ka shkaktuar panik dhe befasi, ndërkohë që më pas gjithçka është shoqëruar nga një dhunë e paprecedent.
Mes protestuesve ka hyrë për të qetësuar situatën në raport me veprimet e policisë deputeti Majko, ndërkohë që uniformat blu kanë ushtruar dhunë edhe mbi të, ndonëse ai gëzon imunitet. Për më shumë se 30 minuta dhuna ka vazhduar pa ndërprerje.
Në përfundim të protestës, policia ka mbajtur në komisariat edhe pesë prej protestuesve. Uniformat blu janë justifikuar me faktin që protestuesit kanë shkelur ligjin duke bllokuar në mënyrë të padrejtë rrugën dhe duke kundërshtuar uniformat blu në detyrën e tyre.
*****************************
Deputeti socialist tregon dhunën e ushtruar ndaj Pandeli Majkos dhe detaje të tjera të përplasjes me policinë
Dalipi: U sulmuam nga FNSH-të e Shkodrës
KORÇË- Deputeti i PS-së, Alfred Dalipi, i cili ishte pjesëmarrës në përleshjen me policinë, ka pohuar se konflikti është krijuar nga forcat e policisë që kishin ardhur enkas nga Shkodra për këtë punë.
"Aty nuk ndodhej vetëm policia e rrethit të Korçës por kishin ardhur FNSH-të e Shkodrës që drejtoheshin nga Ivzi Bushati. Për çudi asnjë nga këto efektiva policie nuk dinte të fliste shqip.
Asnjë prej tyre nuk mbante emblemën e policisë apo shenjën ku tregohet emri i tij. Ne i kërkuam që të na thoshin emrat e tyre por ata nuk dinin që të përgjigjeshin. Më pas i kërkuam komandantit të tyre që të na tregonte emrat dhe kombësinë. Ne dyshojmë se ishin shqiptarë sepse ata nuk flisnin mirë shqip",- tha deputeti Dalipi.
Sipas tij, të gjithë efektivët e policisë kishin në brez bombola me tre litra solucione djegëse. Më konkretisht bëhej fjalë për gaz lotsjellës, spray verbues e djegës dhe ngjyrues.
"Këto lëndë kimike u hodhën mbi protestuesit dhe të gjithë u detyruan që të shkonin në spital. Rreth 40 persona kishin vështirësi të theksuara në shikim", pohoi Dalipi. Sipas tij, dhjetë nga protestuesit përfunduan në komisariatin e policisë së Pogradecit ku ndodheshin deri në orët e vona të natës.
Në total në këtë përleshje me protestuesit kanë marrë pjesë 430 forca policie nga të gjitha qytetet e...................................... Korçës si dhe mbështetja e nga FNSH-ja e Shkodrës. Në fund të ngjarjes, deputeti Pandeli Majko, ka goditur me grusht drejtorin e policisë lokale në shenjë proteste.
***************************************
KALLËZIMI PENAL
Deputetët e policia padisin njëri-tjetrin në prokurori
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë tre deputetët socialistë Majko, Kodheli dhe Dalipi kanë depozituar padi në Prokurorinë e Korçës ndaj forcave të policisë, Drejtorit të Policisë së Korçës Bernard Çaushaj si dhe kreut të FNSH-ve të Shkodrës, Ivzi Bushati. Ky i fundit ka organizuar operacionin e dhunës ndaj deputetëve të majtë si dhe një grupi protestuesish të sulmuar edhe me gaz lotsjellës dhe gaz djegës në sy.
Në një prononcim për gazetën, deputeti Majko është shprehur se objekt i dhunës ka qenë edhe vetë ai. Ndërkohë policia e Korçës ka pohuar se Pandeli Majko ka kryer një akt të dhunshëm dhe të turpshëm.
Policia ka bërë një kundërpadi ndaj deputetit Pandeli Majko. Vetë drejtori i policisë juglindore Çaushaj ka mohuar përdorimin e dhunës nga forcat e policisë, që sipas tij vepruan vetëm për të shpërndarë protestuesit që po krijonin konfuzion në një nga arteriet kryesore të Korçës.
****************************
Në një deklaratë zyrtare Policia e Shtetit ka mohuar të ketë pasur dhunë dhe të jetë përdorur gaz ndaj protestuesve
Policia mohon dhunën e Korçës
TIRANË- Në një reagim zyrtar, Policia e Shtetit ka mohuar tërësisht ngjarjen e Korçës, edhe pse ajo është parë nga të gjithë shqiptarët e regjistruar në kamerat e gazetarëve. Më poshtë është deklarata e plotë e policisë për ngjarjen:
"Gjatë ditës së sotme, një numër i kufizuar i qytetarëve, kanë tentuar të bllokojnë aksin rrugor nacional Korçë-Pogradec, tek kthesa e Çërravës, duke arritur pengimin e kalimit të mjeteve vetëm disa fragmente të shkurtra kohore.
Po ashtu kanë bllokuar pjesërisht për rreth 10 minuta aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër.
Policia e Shtetit, në zbatim të akteve ligjore, në të dyja këto raste, ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme.
Sqarojmë opinionin publik se në asnjë rast strukturat e policisë nuk kanë përdorur gaz lotsjellës, si dhe mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim dhe veprimet e kryera nga punonjësit e policisë kanë qenë në respekt të plotë të ligjit.
Ndërkohë protestuesit në të dyja rastet kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë.
Policia e Shtetit, sërish i bën thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi "pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet.
Nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdon puna për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme dhe materialet procedurale për çdo rast do t'i referohen Prokurorisë".
******************************
Në protestë u panë më shumë forca policie se sa protestues
Vlorë, policia ndalon bllokimin e rrugës
VLORË- Protesta e radhës e socialistëve të Vlorës ka vijuar në qytezën e Orikumit. Të lajmëruar për bllokim e Urës së Orikumit, e cila lidh Vlorën me Himarën e Sarandën, policia ka marrë masa me forca të shumta, në numër thuajse më të shumtë se protestuesit. Rreth 70 protestues janë mbledhur në dalje të urës së Izvorit dhe aty janë ulur në shesh siç është dhe tradita e protestave të fundit.
Midis protestuesve ka qenë dhe deputeti Fatmir Toçi, i cili në fjalën e tij është ndalur për vjedhjet e tokave që po u bëhen banorëve të Orikumit si dhe të gjithë bregdetit që nga Porua deri në Ksamil.
Toçi pasi ka folur për situatën e rënduar ekonomike dhe politike që ka përfshirë vendin nga qeverisja e korruptuar, i ka bërë thirrje banorëve të Orikumit si dhe militantëve të PS së që të premten të jenë të gjithë në Tiranë. "Duhet të jemi në Tiranë për të kërkuar të drejtat tona, të mbrojmë tokat që na grabitën si dhe të mbështesim grevistët që sot kanë hyrë në ditën e 12",- tha Toçi.
Më pas ata kanë përshkuar bulevardin e Orikumit, të ndjekur gjithmonë nga forcat e shumta të policisë, që kishin marrë urdhër që rruga në asnjë mënyrë të mos bllokohej. Pas 30 minuta protestë banorët janë shpërndarë të qetë pa bllokim rruge dhe përplasje me policinë e rendit.
Incidenti
"Dikush dëshironte të bënte një eksperiment me Korçën. E bëri, mesazhi u mor. Përdorën shkopinjtë e gomës dhe një lloj substance që bllokonte shikimin si dhe djegie të lëkurës"
*******************************
Majko: Berisha po përsërit gabimet e vjetra
KORÇË- Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, e ka cilësuar ngjarjen e djeshme si rikthimin e dhunës së vjetër të Sali Berishës ndaj protestuesve të opozitës.
Ai ka bërë një paralelizëm me majin e vitit 1996 kur qindra protestues janë rrahur nga policia sepse kërkonin zgjedhje të lira. Sipas tij, policia ishte lajmëruar për mitingun dhe nuk kishte asnjë arsye për të ndërhyrë në atë formë.
"Ishte një miting si ato që janë organizuar pothuajse në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Ndryshe nga qarqet e tjera ky nuk përfundoi paqësisht por me dhunë. Ajo që bëri dallimin sot është se policia u soll jashtë çdo lloj konteksti ligjor për të ashtuquajturin ndalim të mitingut të paligjshëm. U goditën gra, u goditën njerëz",- tha Majko.
Ai shpjegoi se në miting u keqtrajtuan dhe u goditën edhe tre deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, të cilët ishin në mbështetje të protestuesve. Vetë Majko është goditur me grushte dhe shkop gome si dhe ndaj tij është përdorur gaz djegës. I njëjti gaz djegës është përdorur edhe mbi deputetin Alfred Dalipi.
"Ajo që më bëri përshtypje është fakti se qarku i Korçës përgjithësisht është dalluar për një trajtim tepër të qetë të mitingjeve të kësaj natyre. Në një kohë që në Shkodër mitingu është zhvilluar krejtësisht i qetë, në një kohë që në Gjirokastër mitingu është zhvilluar krejtësisht i qetë, po kështu dhe në qarqe të tjera sot dikush dëshironte të bënte një eksperiment me Korçën.
E bëri, mesazhi u mor. Përdorën shkopinjtë e gomës dhe një lloj substance që bllokonte shikimin si dhe djegie të lëkurës. Do të vazhdojmë të mbështesin grevistët tanë të urisë sepse të gjitha këto protesta disa minutëshe për të bllokuar qarkullimin nuk janë gjëra të cilat duhet të nxisin ironinë",- tha deputeti socialist Pandeli Majko.
Ai shpjegoi se protesta që u zhvillua dje është një thirrje njerëzore për të kujtuar se sot për të drejtën e votës disa njerëz janë duke shkuar drejt kufirit të fundëm të jetës. "Ne patëm një përplasje me policinë, u goditëm nga policia, por kjo është shumë pak lidhur me atë që kolegët e mi që janë në çadrën e grevës së urisë. Unë sot kam parë shumë, Kam parë njerëz që nuk shikonin nga sytë janë goditur me shkopinj gome. Berisha po përsërit gabimet e vjetra",- tha deputeti Pandeli Majko.
Tepelenë-Durrës
Policia shoqëron në komisarit 9 protestues
Partia Socialiste dhe aleatët e saj kanë organizuar dje protesta në disa qytete të Shqipërisë. Sipas korrespondentëve të "Shekullit", protesta ka pasur në Tepelenë, Orikum të Vlorës, Korçë, Tiranë, Durrës. Pothuajse në të gjitha rastet protestat kanë përfunduar me incidente dhe me protestues të shoqëruar në polici.
Në Tepelenë protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin kryesor dhe më pas protestuesit janë zhvendosur drejt rrugës nacionale Gjirokastër - Tepelenë ne vendin e quajtur Agjencia.
Vetëm 30 minuta pas përfundimit të protestës, policia e Tepelenës ka ndaluar gjashtë persona pjesëmarrës në protestë ndërsa aktualisht dhjetëra njerëz janë mbledhur përpara komisariatit në shenjë kundërshtimi ndaj masave të marra nga policia. Personat e ndaluar janë: Gëzim Çunaj, Luan Gerbi, Besa Pata, Astrit Pasho, Novruz Shehu dhe Përparim Hodo.
Ndërkohë. është vendosur shoqërimi në polici i tre nga protestuesit e Partisë Socialiste të cilët bllokuan dy ditë më parë për gati 45 minuta autostradën Tiranë- Durrës. Policia e Durrësit i akuzon për bllokim të trafikut rrugor.
Të ndaluarit janë Erjon Bregasi, Afrim Duku dhe Seit Xhunga, ndërsa pesë protestues janë shpallur në kërkim. Ata janë Llazar Mazniku, Ilir Ngresi, Hekuran Shehu, Altin Baku, Ismail Isaku.
*******************************
TIRANË
Shoqërohet në polici protestuesi nga Lezha
TIRANË- Disa minuta para fillimit të protestës së djeshme të Partisë Socialiste, forcat e policisë shoqëruan një nga përkrahësit e opozitës, i cili kishte ardhur nga qyteti i Lezhës, në mbështetje të protestës. Bëhet fjalë për 41- vjeçarin Arben Simoni, me banim në Lezhë, i cili u shoqërua në ambientet e policisë, pas një incidenti të ndodhur dje pasdite midis protestuesve dhe një drejtuesi automjeti.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, protestuesi i shoqëruar, dyshohet se dje rreth orës 17.00 është konfrontuar fizikisht me Përparim Vladin, 41 vjeç, me banim në Tiranë, i cili në këto momente po qarkullonte me automjetin e tij tip "Benz", në bulevardin "Zogu i I-rë".
Konfrontimi ndodhi pranë "Stacionit të Trenit", në momentet që Simoni, bashkë me përkrahësit e tjerë të opozitës të ardhur nga qyteti i Lezhës dhe Shkodrës, po përgatiteshin për t'u nisur drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit", për të marrë pjesë në protestën e opozitës.
41- vjeçari është shoqëruar në ambientet e komisariatit të Policisë nr. 3, ku është marrë në pyetje rreth ngjarjes, ndërkohë sipas policisë, drejtuesi i makinës ka mbetur i plagosur në gjendje të lehtë. Pas këtij incidenti, turma e protestuesve u drejtua drejt çadrave përballë kryeministrisë ku qëndrojnë grevistët prej 12 ditësh.
Gjatë përshkrimit të bulevardit "Zogu i I-re" dhe "Dëshmorët e Kombit", protestuesit e ardhur nga dy qytetet veriore janë ndaluar dhe përballë godinës së ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme, duke qëndruar për disa minuta, por pa krijuar asnjë incident me forcat e rendit.
**********************
Kodheli: Kjo nuk ishte e nevojshme që të ndodhte, ishin forca policore të ardhura nga diku tjetër
Na sulmuan me gaz lotsjellës e shkopinj gome
KORÇË-Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli theksoi dje se ndaj deputetëve dhe protestueseve është ushtruar dhunë si dhe është përdorur gaz lotsjellës nga policia e qarkut të Korçës, në aksin nacional të rrugës Pogradec- Korçë.
Në një pronocim për "Shekullin", Kodheli thekson se është ushtruar dhunë edhe ndaj grave protestuese dhe deputete dhe ajo ka qenë një prej tyre. Sipas saj, ndaj protestuesve janë përdorur shkopinjtë e gomës dhe gazi lotsjellës.
"Ne kishim bërë një kërkesë për një marshim që lidh Pogradecin me Korçën dhe sipas gjithçkaje që procedon normalisht në këto raste, ishin rreth 200 protestues. Aty gjetëm forca të shumta policie, madje forca speciale të policisë, që ishin pajisur me shkopinj gome, me bombola me gaz lotsjellës, jashtë çdo ligji të Republikës sonë. Është qëlluar ndaj deputetit Pandeli Majko, deputetëve të tjerë si dhe ndaj shumë protestuesve të tjerë, duke i qëlluar kryesisht në fytyrë.
Janë shoqëruar disa djem dhe burra në spitalin e Korçës, ku është dhënë ndihma e parë për të gjithë ata që ishin dëmtuar veçanërisht për ata në fytyrë. Përveç kësaj, është ushtruar dhunë edhe ndaj deputetit Alfred Dalipi",- tha dje Kodheli.
Ajo vuri në dukje se policët që ushtruan dhunë ndaj protestuesve nuk ishin policë të qarkut të Korçës por ishin të ardhur me porosi në atë vend për të ndalur protestën paqësore të protestuesve.
"Kjo nuk ishte e nevojshme që të ndodhte jo vetëm sepse ne mendojmë se jetojmë në një republikë demokratike dhe nuk ishte normale që të ushtroje dhunë ndaj mbështetësve të grevistëve.
Unë kam qenë dëshmitare okulare e kësaj situate, ku policë me skafandra, me qenë, me shkopinj gome, u lëshuan mbi grevistët ku shumica e të cilave ishin gra pa më të voglin hezitim. Këto forca policore silleshin ndryshe nga forcat policore normale. Këto forca policore nuk ishin forca të zonës, por ishin forca policore të ardhura nga diku tjetër.
Ne kemi denoncuar një person atje që verifikuam që ishte personi kryesor për të ruajtur qetësinë publike. Ky është veprimi që kemi bërë përmes një kallëzimi penal në prokurorinë e qarkut të Korçës"- u shpreh ajo.