Rama: Është koha për t'i dhënë zgjidhje krizës

Kryetari i opozitës, Edi Rama, i ka kërkuar policisë, që të mos ngatërrojë detyrat, që ajo ka, me tekat e pushtetit
Spartak Ngjela tha se Berisha nuk hap kutitë, atëherë do të jenë protestuesit ata që do t'i marrin ato në bodrume
TIRANË - Ndërsa ditët e grevës së urisë kalojnë, opozita vijon të mbetet e vendosur që të mos bëjë asnjë hap prapa në betejën e saj për transparencën e votës. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në protestën e 13-të radhazi në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" i ka përcjellë edhe një herë mazhorancës mesazhin e qartë se është i gatshëm për dialog, por duke qartësuar se zvarritja e tij nuk do ta lodhë opozitën për të çuar deri në fund kauzën e saj për votën e lirë.
Rama
Partia Socialiste dhe aleatët e saj kanë zhvilluar dje protestën e 13 radhazi në bulevardin qendror të Tiranës, duke u solidarizuar me sakrificën që po bëjnë rreth 180 qytetarë dhe 22 deputetë që prej 12 ditësh gjenden të ngujuar në greve urie.
Kreu socialist, Edi Rama, në fjalën e vet të mbajtur para protestuesve të ardhur edhe nga qarqet Shkodër dhe Lezhë i ka bërë fillimisht një apel forcave të policisë, që të ndalojnë sa më parë dhunën ndaj protestuesve në të gjithë Shqipërinë, si dhe të ndërpresin aksionet për arrestimin e personave, që kanë marrë pjesë në bllokimin e akseve të rrugëve. Sipas tij, protestat e qytetarëve në të gjithë vendin nuk bëhen për t'i bllokuar rrugën qytetarëve të thjeshtë, por për të zhbllokuar rrugën e demokracisë.
"Dua të përsëris apelin tim për drejtuesit e policisë së shtetit, të cilët duhet të jenë në krye të detyrës së tyre dhe jo të ngatërrojnë këtë detyrë me detyrimin për t'ju përgjigjur tekave të pushtetit, i cili është në konflikt me qytetarët e vendit, sepse nuk i lejon të votojnë lirisht. Nuk ka asgjë më të gabuar se sa politika qorre që detyron veprime si ato që kanë ndodhur sot", - tha Rama në fjalën e vet.
Më tej, kreu socialistë ka bërë të qartë se është për bisedime me mazhorancën si rruga e duhur për të zgjidhur krizën politike dhe institucionale, siç e quajti ai. Por, kjo, sipas Ramës, nuk duhet parë nga kundërshtarët politikë si një mundësi për të zvarritur dialogun deri në atë pikë sa të lodhë opozitën.
"Po e themi ditë pas dite se nuk ka qasje më të gabuar dhe marrëzi më të madhe në raport me këtë protestë se sa qasja dhe marrëzia që detyron qëndrimin përballë çështjeve që ne ngremë pa lëvizur drejt zgjidhjes, por duke pritur që ne të lodhemi, duke pritur që ne të mërzitemi. Ndaj, dua të theksoj fort as nuk lodhemi, as nuk tërhiqemi, as nuk mërzitemi", - theksoi Rama.
Madje, ai nuk ka nguruar të akuzojë mazhorancën se nuk po tregon vullnet për të zgjidhur krizën, duke vijuar të bëjë deklarata demagogjike me shpresën se do të lodhë protestuesit. "Është koha për t'i dhënë zgjidhje krizës. Ne jemi gati, por nuk është gati pala tjetër.
Nuk janë gati për konkurrencën e lirë, sepse alternativa e tyre është ajo e kontrollit mbi konkurrencën për të zgjedhur, për të investuar dhe për të zhvilluar sipërmarrjen e lirë. Ejani që të gjithë ju për t'i dhënë mbështetje këtyre njerëzve që janë në këtë çadër", - përfundoi Rama fjalën e vet.
Ngjela
Akoma më i ashpër në fjalën e vet ka qenë kreu i PliDr-së, Spartak Ngjela, i cili i ka bërë thirrje popullit që të ngrihet dhe të marrë në dorë fatet e veta. Ndërsa përfaqësuesit e tjerë të opozitës kanë vlerësuar dialogun si rruga e vetme për të zgjidhur këtë situatë, Ngjela nuk ka nguruar të cilësojë se në rast se qeveria nuk do të pranojë të hapë kutitë, atëherë do të jenë protestuesit që do t'ia marrin ato në bodrumet ku i ka fshehur Berisha.
"I vlerësoj të gjithë ata që janë ngritur e kanë bllokuar akset kryesore rrugore. Ky taleban që është kryeministër, ju garantoj, ai nuk e përfill gandizmin, por ne gandistët, të gjithë do ngrihemi një trup.
Ndaj ngrihuni në këmbë të gjithë. Në datën 14 do marrë mësimin përfundimtar. Të gjithë në Tiranë me kuaj, me karroca, me biçikleta, të bllokojmë Tiranën të gjithë në një protestë perëndimore", - tha Ngjela, teksa ka bërë të ditur se opozita do ta presë qeverinë të hapë kutitë deri në datën 14 maj.
E vetmja rrugë, sipas tij, që i ka mbetur qeverisë është që nëpërmjet negociatave të përcaktojë modalitetet sesi do hapen kutitë, duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë se ofertat që mund të kenë ardhur deri më tani nga qeveria mund të lërë jashtë si zgjidhje kutitë.
"Do ta presim deri në datën 14, ju garantoj, mua më keni me vete. Nuk ka asnjë tërheqje. Data 14 është afati i fundit, ndaj atij si mbetet tjetër, veçse të vijë të tregojë modalitetet sesi do bëhet transparenca", - tha Ngjela.