E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e EULEX-it arreston ish komandantin e UCK

PRISHTINE- Policia e EULEX-it ka arrestuar të enjten në Prishtinë ish-komandantin e UçK-së, Sabit Gecin, si të dyshuar në lidhje me krimet e luftës në Kosovës.
Ndërsa mediat kosovare raportojnë se bëhet fjalë për Sabit Gecin, në një komunikatë të EULEX-it vetëm konfirmohet arrestimi i një personi të dyshuar për krime të luftës në Kosovë, por nuk bëhet i ditur identiteti i tij.

“Departamenti ekzekutiv i Policisë së EULEX-it, në bazë të urdhrit të Prokurorisë Speciale, të enjten e ka kryer një bastisje në një shtëpi në Prishtinë dhe e ka arrestuar një mashkull të dyshuar në lidhje me krimet e luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Zyrës për informim të EULEX-it.

Në komunikatë nuk specifikohet identiteti i personit të arrestuar, vetëm theksohet se krimet supozohet se janë kryer ndërmjet muajit prill dhe qershor të vitit 1999.

Me rastin e arrestimit të veteranit të luftës Sabit Geci nga EULEX-i, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës të UçK-së. Në reagimin e kësaj organizate thuhet se me arrestimin e Gecit “të gjithë luftëtarëve të UçK-së, iu bë me dije, nga ky mision se ‘lufta jonë e pastër çlirimtare konsiderohet krim dhe nuk ka asnjë vlerë’”.

Kjo organizatë kërkon që Sabit Geci të lirohet menjëherë, “dhe të ndërpritet ky represion që po bëhet ndaj veteranëve të luftës së UçK-së”. “Në ditët në vijim, në do të shqyrtojmë masat, që këtyre ofendimeve në formë spektaklesh, t’i përgjigjemi shumë ashpër edhe ne”, përfundon reagimi.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›